Deputeti i PS-së, Fidel Ylli: Teatri duhet shembur një sahat e më parë

Nga Valeria Dedaj

Përfaqësuesit e sindikatës së Artistëve të Skenës dhe Ekranit, Jupi, Çipi dhe Çeloaliaj diskutojnë për shembjen e Teatrit Kombëtar. Për ta argumentet e qeverisë janë të paargumentuara. Kumbaro refuzon debatin për herë të pestë. Deputetët e opozitës premtojnë, se ajo do të jetë në Komision për të dhënë llogari, pasi teatri është aset publik

Teatri Kombëtar do të shembet! Teatri Kombëtar nuk do të shembet! Teatri Kombëtar do të shembet edhe nuk do të shembet… Këto janë frazat kontradiktore, që kemi dëgjuar gjatë 5 muajve në takimet që janë bërë për TK, që nga kreu i shtetit Edi Rama, deri tek të emëruarit e tij në qeveri dhe jo vetëm. Askush nuk di më kë të besojë! A është kjo ngjarje reale apo po luajnë teatër të zgjedhurit e popullit?! A vallë ndonjëri prej tyre është realisht i interesuar për shpëtimin e TK apo ndërtimin e një teatri të ri me kushte bashkëkohore? Këto janë pyetje, që mesa duket do të gjejnë përgjigje konkrete vetëm, kur godina ekzistente e TK-së të shembet.

Në seancën dëgjimore për Komisionin e Medies dje ishin ftuar për të shpjeguar gjendjen e TK-së artistët; Taulanda Jupi (regjisore dhe anëtare e SASE), Kastriot Çipi (regjisor dhe anëtare i SASE) dhe Alert Çeloaliaj (aktor, pedagog në UA dhe kryetar i SASE). Të dukej sikur deputetët ose kishin zënë vendin e aktorëve në një shfaqje dhe luanin rolin, që u ka përcaktuar regjisori, ose ata realisht nuk ishin informuar, rreth asaj çfarë kreu i qeverisë pretendon të bëjë realisht me godinën e TK-së.

Projektin e arkitektit danez, Bjarke Ingels, prezantuar prej tij në kryeministri, deputetët e maxhorancës e quajnë thjesht një skicë dhe jo projekt të mirëfilltë. Ndërsa, vet arkitekti është shprehur në mediet ndërkombëtare, se ndihet i lumtur që ka fituar një konkurs për ndërtimin e TK në Tiranë. Por, përtej këtij shou, një gjë u kuptua qartë, dëshira e tyre më e madhe ishte të dilnin në medie, kush edhe kush më tepër… Kauza e artistëve për mosshëmbjen e TK-së për opinionin publik konsiderohet e drejtë, por besimi që artistët kërkojnë me ngulm nga individë politikë, të cilët në teatër kanë shkuar veçse për homazhet e artistëve, lë shumë për të dëshiruar. Dje u pa qartë se përfaqësuesve tanë nuk u dhimbset shembja e godinës së Teatrit Kombëtar! Fundi dihet!

Luçiano Boçi: Kumbaro ka refuzuar pesë herë diskutimin për TK

Deputeti i opozitës Luçiano Boçi ndali te mosprezanca e ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, në seancë këtë dëgjimore. “Është hera e pesë, që Kumbaro refuzon diskutimet për çështjet e teatrit, madje edhe kur tema për të cilën është ftuar ka qenë teatri, ministrja është larguar në mënyrë demonstrative përgjatë debatit, që kemi zhvilluar”. Justifikimet janë, agjendat e ngjeshura. “Nëse i referohesh rregullores së parlamentit Neni 102, detyron ministren të lërë agjendat e veta edhe të paraqitet menjëherë përballë komisionit përkatës për arsye të ushtrimit të kontrollit parlamentar, në këtë rast komisioni ynë”, thotë Boçi.

Alert Çeloaliaj: Argumentet e qeverisë për shembjen e TK janë boshe

Kryetari i Sindikatës së artistëve të Aktorëve të Skenës, Çeloaliaj, bëri një përmbledhje të diskutimeve që janë bërë për shembjen e Teatrit Kombëtar që prej datës 8 shkurt, ku artistët kanë kërkuar rikonstruksionin e teatrit, por jo tjetërsim të hapësirës së tij.  “Qysh prej datës 8 shkurt të këtij viti, jemi shprehur se ideja për prishjen e TK dhe TKES është e papranueshme. Me 90 firma të komunitetit teatror, Ministrisë së Kulturës i kërkonim debat të hapur publik për këtë temë, por nuk ka pranuar të ulet apo të kthejë. MK në një letër të hapur i drejtohet zotit Ndrenika dhe komunitetit teatror, se nëse kanë heshtur më parë, nuk kanë më të drejtë fjale tani…

Duke u harruar se, edhe pse komuniteti kishte folur fort në vitet 1998 dhe 2002 për nevojën emergjente, për ruajtjen edhe rikonstruksion e TK-së. Në një moment sinqeriteti letra e ministrit të Kulturës shpreh qartë përgjegjësinë për situatën e TK sot, ku citoj: “Unë mendoj njësoj si ju me dhimbje se TK, u la pa investim dhe rehabilitim për dekada, derisa degradimi i tij mbërriti në kufijtë e skajshëm, saqë është i parikuperueshëm. Pra del e qartë që përgjegjëse janë qeveritë e majta edhe të djathta, të cilat kanë thuajse 30 vite në pushtet”. Çuditërisht këtë e thotë ministri më jetëgjatë i Kulturës në Shqipëri, që nën epitetin i parikuperueshëm, nuk ka ndërmarrë asnjë masë për mirëmbajtjen e TK, duke shpërfillur raportin e vitit 1999, që merr përsipër rikonstruksionin e TK për vetëm 1 mln dollar (120 mln lekë).  Nuk ka asnjë argumente.

Ato që japin janë fluide, pa bosht dhe mbi të gjitha gjykuar edhe nga parimi i veprimit apo mosveprimit i ekzekutivit, ndoshta edhe janë penalisht të dënueshme. Thuhet se, TK është në rrezik shembje dhe zjarri, ndërkohë nuk merret asnjë masë, duke vënë në rrezik jetën e spektatorëve dhe të trupës. Nëse nuk ekziston ky rrezik, kjo quhet përhapje paniku. Nëse rreziku ekziston, atëherë përse nuk merren masa? Nuk ka asnjë dokument që vërteton parikueshpërinë e TK.

Para publikut prezantohen tituj në italisht, që pretendojnë se teatri ka në përbërje material asbesti, duke u cilësuar edhe shkaktar për humbjen e disa figurave të teatrit, në një mënyrë aspak etike luajnë me emocionet e të afërmve edhe kolegëve. Askush nuk shpjegon dot se përse ngrihet ky pretendim. Këto, si këto argumente publike shoqërohen nga veprime që kalohen në heshtje, siç është heqja e TK nga zona historike e Tiranës. A thua se kriteret që e vendosën në atë hartë, sot nuk qëndrojnë më? Patriotizmi i tepruar bën që të sulmohet kjo godinë si fashiste, megjithëse UNESCO nuk e vuajti këtë kompleks, kur shpalli godinat e ndërtuara nga Italia fashiste, si trashëgimi botërore…

Problemi i fondeve, çështja për komunitetin teatror bëhet shqetësuese, sepse na është thënë se nuk ka para të mjaftueshme për TK dhe zgjidhja e vetme është shembja e TK dhe nga ndërtimi PPP (Partneriteti Publik Privat) të ngihet një teatër më i vogël më modern, ku pjesa tjetër e teatrit të kompensojë investimet private. Komuniteti teatror është shprehur kundër kësaj ideje, që në vitin 2002. Ekzekutivi dhe ne si komunitet nuk i kemi rezauruar të gjitha mënyrat e mbledhjes së fondeve për rekonstruktimin e teatrit… Përtej shembujve të rikonstruksionit në botë, ky është një institucion unikal ku u themeluan; baleti i vogël në vitin 1967; Filarmonia e Shtetit në (1952), sot TKOB; Cirku Kombëtar në vitin 1952, i vetmi cirk në Ballkan sot; Estrada e Shtetit, (1952), sot Teatri i Metropolit; shkolla e lartë e aktorëve “Aleksandër Mosiu” (1959), sot UA dhe Teatri i Komedisë (2011), sot TKES.

Shembja e tij do të ishte e vlefshme me shembjen e “Mësonjëtores së parë shqipe”, apo të Shtëpisë së Pavarësisë në Vlorë. Të gjithë ata që do të vendosin pro shembjes së TK duhet që të kuptojnë se trashëgimia politike, që do të lënë do të jetë e barabartë me atë të shembjes së kishave edhe xhamive në vitet ’60… Ne mbështesim idenë e ekzekutivit për një teatër të ri edhe dinjitoz në Tiranë, përsa kohë që ky teatër i ri ndërtohet diku tjetër kapacitete spektatorësh edhe vende pune për të rinjtë, duke respektuar, restauruar edhe ruajtur kujtesën, traditën, historinë, artin dhe vlerësimin për gjigantët shqiptarë të skenës me simbol godinën aktuale të TK. E gjithë kjo është lehtësisht e mundshme, duke shpallur TK edhe TKES “Monument Kulture”.

Fidel Ylli: Ju siguroj, që nuk ka asnjë vendim qeverie, nëse do të shembet apo nuk do të shembet TK

Deputeti i opozitës Fidel Ylli u shpreh dje, se nuk ka asnjë projekt as nga bashkia dhe as nga qeveria, por nga një firmë private, e cila ka tokën mbrapa TK dhe zyrat, që ka ofruar një projekt, duke marrë përsipër të ndërtojë një teatër bashkëkohor, i cili vlen 20 milionë euro. “Këtë kërkesë ia ka bërë Bashkisë së Tiranës, e cila ia ka paraqitur kryeministrit dhe këshillit të Ministrave, për ta shqyrtuar mundësinë për t’u ulur me firmën dhe për të kuptuar aspektin ligjor, për çfarë do të negociohet, cilat janë benefitet e të dyja palëve? Është vetëm një ofertë, nëse qeveria do të ulet për të biseduar me firmën ose jo?

Nuk ka asnjë vendim të tillë. Sa i takon TK e kam ndjekur me kujdes dhe kam edhe dosjen me vlerësimet e institucioneve, që e specializuara për të dhënë verdiktin për këtë ndërtesë, të cilat janë skandaloze. Janë argumente të inxhinierëve dhe konstruktorëve, sipas të cilëve aty vetëm teatër nuk mund të bëhet më. Shqipëria dhe aktorët e mrekullueshëm, që kanë dalë në vite kanë nevojë për një teatër të ri kombëtar. Kam marrë pjesë në diskutimet për stadiumin kombëtar, që shteti të ndërtojë vetë një të tillë pa kullë, larg Tiranës, por a ka ky shtet 200 milionë euro për ta ndërtuar, si një stadium në të gjithë botën.

Këto forma i njeh gjithë bota:PPP, ku qeveria vë në dispozicion tokën dhe biznesi hedh paratë për të ndërtuar. Teatri Kombëtar më djeg, se kam pasur njerëz të familjes, që kanë performuar në të, por mos e politizoni çështjen. Keni të gjitha të drejtat e Zotit për të protestuar, për të bërë greva, për të kërkuar transparencë më të madhe të qeverisë. Kur ka qenë Bujar Leskaj ministër Kulture, përse nuk është kërkuar, që të ishte pjesë e trashëgimisë kulturore, siç u futën ministritë dhe stadiumi. Thoni se ai teatër duhet të rrijë në mes të Tiranës si gërmadhë? Kjo qeveri ka bërë katër teatro në katër vjet, që nuk janë bërë në 27 vjet. Por unë mendoj që teatri duhet shembur një sahat e më përpara. Ministrja duhet të vijë këtu, të na japë llogari, të na informojë për truallin, për P-P-P, që gjërat të jenë transparente, pasi është një aset publik. Por format e PPP, nuk i kemi shpikur ne, i kemi marrë në botë…

Qeveria duhet të mbajë përgjegjësi për të ndërtuar një teatër, edhe 50 milionë euro, se është vlerë, për ata aktorë të mrekullueshëm, që ne kemi, që marrin rrugët e Europës e ikin. Ju falënderoj që ngrini zërin se asnjë qeveri nuk ju dëgjon po nuk ngritët zërin, por unë ju them që ministrja do të vijë në komision dhe do të na informojë se çfarë është bërë deri më tani. Ju siguroj që nuk ka asnjë vendim qeverie, nëse do të shembet apo nuk do të shembet”. Gjatë diskutimeve në komision Ylli nuk i kurseu as akuzat ndaj regjisorit Çipi, të cilin e quajti sekretar të Partisë Demokratike. Ndërsa, Çipi iu kundërvu, duke i thënë, që nuk është anëtar i asnjë partie, madje ka refuzuar, që të jetë edhe anëtar i Partisë Komuniste. Prandaj, për këtë akuzë, duhet që t’i tregojë faktet.

Taulanda Jupi: Për teatrin vetëm 0.7 % të buxhetit për artin dhe kulturën

Regjisorja Jupi ndali dje tek buxheti vjetor që qeveria shqiptare shpenzon në vit për artin dhe kulturën. Ajo bëri një krahasim me vendet e tjera të rajonit, ndër të cilat vendi ynë renditej i fundit. “Shqipëria aktualisht ka buxhetin vjetor për artin dhe kulturën, 60 mln euro, ose 0.7 % të buxhetit vjetor të shtetit. Ministria e Kulturës radhitet e fundit përsa i përket peshës ndaj totalit të shpenzimeve për vitin 2018. Sipas zërave edhe shpenzimeve të kësaj ministrie, shpenzimet e saj do të shkojnë për; planifikim, menaxhim dhe administrim, trashëgimi kulturore edhe muze, art edhe kulturë.

Imagjinoni, % të 0.7 % përfundojnë për artin dhe kulturën, veçanërisht për teatrin, i cili është i vetmi art, bashkë me kinematografinë, që i flet botës shqip. Duke lexuar atë që ju vet, si komision keni miratuar në raportin e pr/ligjit për vitin 2018 më lejoni që t’ju citoj se ‘vëmendje i kushtohet mirëmbajtjes së 2456 objekteve të trashëgimisë kulturore, gjithashtu përmes kalendarëve artistikë, të cilët do t’i kthejnë këto në qendra të hapura edhe kulturore. Po kështu në saj të këtij buxheti do të restaurohen edhe disa objekte kulti, siç janë kishat edhe xhamitë. Shpërndarja në zëra të këtij buxheti, duket se shterohet magjishëm nga togfjalëshi trashëgimi kulturore… Sipas parimeve demografike të një shoqërie, 27 vite do të thotë një brez, shoqërisë shqiptare i ka humbur një brez artistësh të skenës.

Përpjekja, që ne bëjmë sot nuk është thjesht vetëm për sot, nuk është një përpjekje thjesht vetëm për të ngritur shpërblimet, për më shumë fonde për teatrin, por ka në thelb vendosmërinë për ta ndryshuar këtë realitet përmes propozimeve në hartimin e strategjive në koncepte të reja reale. Rritja e buxhetit për artin dhe kulturën, vendosja e tij në nivele të paktën të krahasueshme me vendet e rajonit mbetet një nevojë emergjente. Që kjo të jetë efikase duhet që të shoqërohet me një Ligj të ri për Artin dhe Kulturën. Thelbi i së cilës të jetë krijimi i një strategjie kombëtare, i krijimit të elitës kulturore të vendit, autonomisë së artistëve edhe pjesëmarrjes së tyre në vendimmarrje, edhe në përcaktimin e politikave kulturore. Ligji aktual është shumë i përgjithshëm, prandaj duhet që të krijohet patjetër një ligj për Teatrin, në të cilin të përcaktohet qartë statusi i TK, struktura dhe buxheti i tij.

Statuset e teatrove në rrethe dhe krijimi i teatrove rajonalë, që janë në varësi të pushtetit lokal, ku buxheti i tyre përcaktohet me anë të një përqindje përcaktuar nga buxhetet lokale, edhe jo sipas dëshirës së drejtuesve lokalë, si dhe rikrijimi i Qendrës Kombëtare për Artin Skenik. Filozofia aktuale dhe shpërndarja e tyre që janë shumë të ulëta në shumë projekte, bën që artistët të jenë në kufijtë e mbijetesës, duke mos krijuar mundësi, duke i nxjerr ata nga funksioni profesional dhe duke i zbritur në kufijtë e amatorizmit… Serbia për kulturën ka 3 % të buxhetit vjetor (112 mln euro); Maqedonia 3 % e buxhetit vjetor ose 69 mln euro; Kroacia 3 % të buxhetit vjetor, ose 117 mln euro. Ne kërkojmë të paktën barazimin ose krahasimin në nivele të pranueshme të buxhetit shqiptar të Artit dhe Kulturës me vendet e rajonit”.

Kastriot Çipi: Le ta shpallin Monument Kulture, sikundër kanë bërë me Kombinatin e Tekstileve

Regjisori Kastriot Çipi ndryshe nga deputetët e opozitës, që jo fakte, por as dijeni nuk treguan se kishin rreth debateve që janë bërë për TK renditi faktet, se përse TK nuk duhet shembur. “Në këto tre muaj që po flitet për shembje ose jo të TK-së, më bën përshtypje, se nuk është përmendur asnjëherë nga përfaqësuesit e pushtetit TKES. Në projektin që është paraqitur në tv nga kryeministri në datë 12 mars, shihet qartë se nëse ai projekt realizohet TKES nuk do të ekzistojë më. Një vizitë e shkurtër përpara TK mundet që të bëjë çdokënd që të bëjë diferencën e cilësinë e fasadave, që është në fund të fundit, diferenca e dy drejtorëve të ndryshëm, ndonëse të emëruar nga e njëjta maxhorancë… Ka një studim të vitit 1999 që qeveria vazhdon ta injorojë. Kostoja e rikonstruksionit të plotë është 1 mln dollarë. Qeveria ka pasur mundësi, që të vërë në dispozicion këtë shumë; në vitin 1999 ka pasur 3 miliardë lira të ofruara nga qeveria italiane për restaurimin e ndërtesave të ndërtuara nga italianët përpara lufte. E kanë shpërdoruar këtë fond.

Qysh në vitin 2000 ka pasur 2.5 mln euro grant nga Greqia, që në interesat bankare duhet që të ketë ndryshuar për tërë këto vite. Në mënyrë shumë të çuditshme këtë gjë e ndryshojnë duke ia dhënë operës. Ndërkohë që gjendja e TK vazhdon, që të jetë sipas MK në emergjencë… Në katër vite nuk paguhet asnjë qindarkë. Në prill të vitit 2014, ministrja, drejtori i TK dhe drejtoresha e IMK-së, kanë deklaruar në kor se teatri ka rrezik jete. Unë nuk di asnjë rast tjetër që një titullar të deklarojë se një ndërtesë publike përmban rrezikshmëri jete edhe nuk e bllokon dhe nuk e restauron për katër vite… Na thuhet se ndërtesa ka azbest, por askush s’na thotë burimin e informacionit, ndërsa burimi që kemi ne është ai i firmës që e ka ndërtuar. Në 15 faqet e tij nuk ekzistojnë këto fjalë. Na thuhet se ndërtesa rrezikon shembjen sipas specialistëve. Këtu kam raportet e Institutit të Ndërtimit, që është i vetmi institucion i ngarkuar me ligj, që merret me vlerësimin e gjendjes së ndërtesave. Nuk rrezikon në asnjë rresht fjala rrezikshmëri për shembje. Këtë le të ma gjejë cilido prej deputetëve…

Na thuhet se nuk është ndërtuar, si teatër, por si dopo lavoro. Por kjo nuk është e vërtetë, sepse jo vetëm që ka teatër, edhe ka në fasadë emrin Teatri “Savoja”, por që në vitin 1940 ka pasur stinë koncertore. Që ta keni të qartë se çfarë maskare po i bëhet TK, duhet që të dini se nëse shkatërrohet TK, shkatërrohet një stil i veçantë arkitekturor, që sot është në mbrojtje në të gjithë botën… Nëse Kombinati i Tekstileve, që është një gërmadhë, që mund të jetë edhe e rrezikshme, pasi ka 25 vite që nuk punohet në të, por qeveria e ka shpallur Monument Kulture (ka bërë shumë mirë), por a nuk duhet që me të njëjtën logjikë të shpallet edhe TK Monument Kulture?”. Regjisori Çipi përpos prezencës në Komisionin e Medies, ishte i pranishëm mbrëmjen e djeshme edhe në takimin nr.10 për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar. Në këtë takim, ku prezenca ishte më e ulët se çdo herë tjetër u prezantua një dokumentar, në të cilin flitej për shpëtimin e një teatri, sikundër është TK në Shqipëri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Emri i kompromisit

Nga Veton Surroi Në fillim të pluralizmit në ish-Jugosllavi, në Prishtinë mblidheshin partitë politike shqiptare gjithandej Jugosllavisë. Sa herë që…

Abissnet