Departamenti Amerikan vë Shqipërinë në hartën e sulmeve të Iranit

Nga Erjon Dervishi

Departamenti Amerikan i Shtetit e ngjyros Shqipërinë me ngjyrën blu, që do të thotë se Irani mund të përgatisë plane për sulme terroriste. Në deklaratë, përmendet arrestimi i dy iranianëve në Tiranë në mars 2018

Departamenti Amerikan i Shtetit, me anë të sekretarit të saj, Mike Pompeo, ka bërë publike një hartë grafike, ku pasqyrohen aktivitetet me potencial të lartë terrorist, nga ana e Iranit në Europë. Raporti titullohet: “Veprimtaritë e Zgjedhura Operacionale të Sponsorizuara nga Irani në Europë, 1979-2018”. Në krye të listës paraqitet Shqipëria.

Ngjarja

Në hartë, përcaktohet qartë se më datën, 22 Mars 2018, ditën kur në Shqipëri festohet festa e  Bektashinjve, Sulltan Nevruzi, dita më e rëndësishme në kalendarin bektashi, dy iranianë, të maskuar nën profesionin e gazetarit, janë arrestuar nga ana Antiterrori, me akuzën për përgatitjen e planeve të sulmeve terroriste. Sipas njoftimeve, dy iranianët, kishin mbërritur disa ditë më parë në Shqipëri, përmes aeroportit të Rinasit, duke kaluar pa asnjë problem kontrollin policor. Këta dy shtetas iranian janë ndaluar për verifikime të mëtejshme nga agjentët e anti-terrorit në Shqipëri, pas informacioneve të mbërritura nga partnerët ndërkombëtar, se ata kanë prirje të përfshihen në akte terroriste.

Alarmi i policisë shqiptare dhe i shërbimeve sekrete është real pasi në vendin tonë janë strehuar 3000 muxhahedinë, të cilët janë në opozitë me regjimin e Iranit. Sipas hartës, të publikuar së fundmi nga Departamenti i Shtetit, Shqipëria, përcaktohet në zonën blu. Kjo do të thotë se, Shqipëria konsiderohet si një vend, në të cilin janë ndërmarrë tentativa për sulme terroriste, zbulimin e armëve dhe eksplozivëve ndaj personave të dyshuar dhe rritjen e survejimit ndaj individëve nga Irani, të cilët përbëjnë një potencial për kërcënim terrorist. Në një kategori me Shqipërinë, ndodhet edhe Turqia, Bosnja dhe Bullgaria. Ndërsa në kategorinë me ngjyrë të kuqe renditet Gjermania, Austria dhe Franca, si vende tashmë të prekura na sulmet terroriste iraniane. Vende, këto, pro perëndimore dhe strehuese të një numri të madh muxhahedinësh.

Kujtojmë se në Francë, çdo vit, organizohet konferenca e opozitës iraniane, e cila e ka qendrën në Paris. Ky është hapi i parë i Departamentit Amerikan të Shtetit për të tërhequr vëmendjen e qeverive evropiane ndaj rrezikut iranian. Hapi i dytë, ka të bëjë me deklaratën zyrtare të këtij institucioni të publikuar në datën 10 korrik 2018. Departamenti i Shtetit theksoi se, “Një delegacion zyrtarësh të lartë të Departamentit të Shtetit, nga byro të ndryshme, ka qëndruar tre ditë në Arabinë Saudite, për t’u konsultuar dhe për të koordinuar një presion më të fortë ndaj Iranit.

Diskutuam mënyra të reja për ta lënë regjimin pa burime të ardhurash. Si dhe të gjejmë mënyrat, që Irani të mos terrorizoj popullin dhe kombet e tjera. Diskutuam se si Irani i përdor ambasadat, si mbulim për të organizuar sulme terroriste. Shembulli më i fundit është komploti që parandaluan belgët. Kishim një diplomat iranian, nga ambasada austriake si pjesë e komplotit për të vendosur bombë në Kongresin e udhëheqësve të opozitës iraniane në Paris MEK. SHBA nxit të gjitha kombet t’i shqyrtojnë me kujdes diplomatët në ambasadat iraniane për të garantuar sigurinë e vendeve të tyre. Nëse Irani mund të organizojë sulme me bombë në Paris, ai mund të organizojë sulme kudo në botë, dhe i nxisim të gjitha vendet të jenë vigjilentë për sa i përket përdorimit të ambasadave nga Irani si mbulim diplomatik për të organizuar sulme terroriste.”- përfundon deklarata e Departamentit të Shtetit.

Ajo që përbën një kërcënim për Shqipërinë është fakti se, të hënën, më 2 korrik, Zyra e Prokurorit Federal Publik të Belgjikës, shpalli se kishte urdhëruar arrestimin e një çifti iranian me shtetësi belge, pasi ata donin të kryenin një sulm me bombë në Villepinte (Francë), në një konferencë që mbahej atje nga Muxhahedinët iranianë. Çifti e kishte marrë eksplozivin më herët, atë ditë në Luksemburg nga Assodollah Assadi (47 vjec), një diplomat iranian i ambasadës në Vienë. Sipas muxhahedinëve iranianë, Asadollah Assadi ka zëvendësuar një individ me emrin Mostafa Roudaki i cili ka qenë shefi i stacionit të Ministrisë së Inteligjencës, në ambasadën iraniane në Austri. Roudaki u transferua në Teheran dhe u dërgua më pas në Shqipëri në 2017, si shefi i stacionit të Ministrisë së Inteligjencës, për të komplotuar kundër muxhahedinëve në Shqipëri.

Shtetet e Bashkuara forcojnë sanksionet kundër Iranit

Në përpjekje për të kufizuar aktivitetin e Iranit në ambasadat e tij në Europë, Shtetet e Bashkuara po punojnë në dy drejtime: me rritjen e vigjilencës, si dhe me forcimin e sanksioneve kundër Iranit. Sipas Departamentit Amerikan, janë  koordinuar me aleatët rritja e sanksioneve të naftës ndaj Iranit për të dobësuar të ardhurat e Iranit, i cili financon terrorizmin. Gjithashtu Departamenti i Shtetit thekson se me autoritet arabe , “folëm për minimizimin e ndërprerjeve të tregut, për të ndihmuar partnerët, të gjejnë alternativa ndaj furnizimit me naftë të Iranit. Arabia Saudite është një partner kyç në përpjekjet tona për të izoluar dhe shtypur Iranin. Ne gjithashtu kemi zyrtarë të Departamentit të Shtetit që kanë vizituar Bahrainin.

Sekretari Pompeo sapo ka përfunduar vizitën e tij në Abu Dhabi. Këto vizita nga Sekretari dhe zyrtarët e lartë të Departamentit të Shtetit në Gjirin Persik, synojnë presionin ndaj Iranit, derisa të fillojë të sillet si një vend normal”. Nga ana tjetër, porosia për rritjen e vigjilencës nga vendet europiane, ku bën pjesë edhe Shqipëria, tregon se kërcënimi Iranian, realisht ekziston. Ai është prezent dhe për këtë arsye Shtetet e Bashkuara kërkojnë një bashkëpunim më të detajuar. Shtetet e Bashkuara, sipas departamentit, janë të bindura se sulmet në Francë dhe Austri, janë organizuar nga iranianët. Këtë gjë ata mund ta bëjnë vetëm duke u kamufluar nga ana e ambasadave të Iranit në ato vende ku Irani ka marrëdhënie diplomatike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet