Denoncimi i mësuesit: Emërohem nga portali, më shkarkojnë pas tre ditësh

Denoncimi/ Ilir Copja, caktohet mësues në bazë të renditjes së portalit, në një shkollën 9-vjeçare “Seit Pepa” të Elbasanit. Shkarkohet tri ditë më vonë me pretendimin se këshilli prindëror, e ka vlerësuar negativisht figurën e tij. Drejtoresha: Nuk është vendimi im

Enida Vërça

Ilir Copja mësues i emëruar nëpërmjet “Mësues për Shqipërinë” nga listat fituese të vitit 2019 , denoncon në gazetën “Shekulli”, se është shkarkuar nga puna vetëm tre ditë pas ushtrimit të profesionit, si mësues i lëndës histori, në shkollën 9-vjeçare “Seit Pepa” të Elbasanit. “U punësova nëpërmjet portalit “Mësues për Shqipërinë”, ku u rendita i dyti në Zyrën Vendore Arsimore Elbasan, për profilin histori. Pasi u bë shpallja publike e rezultateve, u shpallën edhe vendet e lira dhe në datën 21 shtator 2019 kam qenë pranë ZVA Elbasan. M’u propozua që të shkoi të jap mësim në fshatin Vidhas, në një zonë mjaft të lakmuar nga mësuesit për shkak të vendndodhjes, pasi është vetëm 4.5 km nga qyteti. Isha provizor dhe e pranova atë vend, nuk kisha informacion për drejtuesit e shkollës, as se kush ishte personi që do të zëvendësoja. Ndodhi tërmeti ditën e diel më 22 shtator dhe ditën e hënë u anulua mësimi, për Elbasani, Durrësin dhe Tiranën. Shkoj në datën 24 në shkollë, prezantohem me drejtoreshën dhe stafin. Zyrtarisht nis mësim një ditë më vonë dhe po këtë ditë i kërkoi drejtoreshës së shkollës që të tërhiqte formularin e pranimit të vendit tim të punës dhe të nënshkruamin kontratën” , deklaron ai.

Kontrata

Copja thotë se pas kërkesës së vazhdueshme për të nënshkruar kontratën e punës me institucionin në fjalë, është shkarkuar, edhe pse nuk ligjërisht nuk mund të ndodhë një shkarkim i tillë, nëse nuk ka një kontratë të lidhur mes dy palëve. “Pas insistimit tim, drejtoresha më kërkon që t’i shkoj në shtëpi, gjë të cilën nuk pranova, pasi doja që në mënyrë institucionale të lidhnim këtë kontratë pune. Më pas shkoj pranë ZVA, e cila më thotë se nuk mund të tërheq këtë formular, pasi këtë proces duhet ta bëj drejtoresha e shkollës. Pavarësisht të gjithave, unë vazhdoi të paraqitem në punë ditën e premte, takoi drejtoreshën dhe i dorëzoi të gjithë dokumentet e kualifikimit dhe arritjeve profesionale, por pa dosjen e plotë, pasi ajo ndodhej në ZVA”, thotë mësuesi.

Insistimi

Në fjalën e tij ai, tregon gjithë angazhimin e tij dhe mungesën e përgjegjësisë së institucioneve për t’iu përgjigjur kërkesë së tij të vazhdueshme për të lidhur një kontratë të rregullt pune dhe për të zhvilluar normalisht procesin mësimor. “E vetmja gjë që kam kërkuar është të punoi në mënyrë të rregullt dhe nuk ka pasur pse shkolla apo ZVA e Elbasanit të më privonin nga e drejta e lidhjes së kontratës. Po shikoja që situata nuk ishte aspak normale, duke insistuar vazhdimisht. Kështu, pasditen e1 tetorit, drejtoresha e shkollës më dërgon një mesazh, ku më kërkon te paraqitem ditën e nesërme pranë ZVA Elbasan për të folur nga afër me drejtorin. Në datën 2 tetor paraqitem në zyrën e drejtorit, i cili më tregon një letër. Në datën 30 shtator ishte zhvilluar një mbledhje nga drejtoresha e shkollës së bashku me këshillin e prindërve, ku isha vlerësuar dobët, duke vendosur shkarkimin tim”, tregon ai. Copja me një eksperiencë edhe të mëparshme në arsim thotë se është e pamundur që institucioni të pushoi në mënyrë të tillë, në një periudhë kaq të shkurtër kohore. “Si pari, unë nuk kam qenë prezent në atë mbledhje. Së dyti, nuk jam njoftuar për atë mbledhje. Së treti, si mund të jepet vlerësim për një mësues ku ka punuar vetëm tre ditë? “.

Shkarkimi

Mësuesi tregon se shkarkimi ka ardhur me një arsyetim absurd dhe aspak i vërtet i inskenuar si vendim i këshillit të prindërve, pasi sipas tij, vendi i tij është zëvendësuar nga djali i një pedagogu. “Arsyetimi i prindërve ka qenë i tillë: Ka probleme të theksuara me të folurën ka edhe probleme me disiplinën. Unë isha provizor dhe zëvendësoja një mësues i cili është në ndjekje penale pasi ka qëlluar një nxënës. Ishte me probleme psikologjike dhe i gjithë komuniteti i asaj shkolle, idetë që kishin krijuar për atë mësues, m’i kaluan mua. E gjithë kjo po përdoret për të arritur qëllime klienteliste, pasi ai vend është mjaft i lakmuar. Nga informacionet që unë kam, është punësuar djali i një pedagogu aty”, bën me dije ai.

Ankesat

Ilir, thotë për “Shekulli”-n se do ta ndjek deri në fund këtë padrejtësi që i është bërë. Ai sqaron se i ka dërguar një letër portalit të bashkëqeverisjes, dhe është në pritje të një përgjigje. Po ashtu tregon se ankesën në lidhje me mënyrën se si funksionin punësimi i portalit “Mësues për Shqipërinë”, do ta depozitojë në të gjitha institucionet përgjegjëse. “Pas një jave që i kërkoja drejtoreshës së shkollës të tërhiqte formularin e pranimit të vendit të punës pranë ZVA Elbasan dhe të më bënte kontratën e punës. Në datë 1 tetor pasdite më dërgon një mesazh dhe më thotë të paraqitem tek drejtori i ZVA ditën tjetër më dhënë asnjë shpjegim. Kur paraqitem drejtuesi i institucionit më dërgon tek zyra e kurrikulës dhe më lexojnë një dokument të hartuar nga drejtoresha e shkollës e cila kishte mbledhur këshillin e prindërve dhe më kishin vlerësuar dobët dhe për këtë u pushova. Unë nuk jam lajmëruar për mbledhjen që do të zhvillohej dhe do të merrte vendim për mua. U vlerësova dobët për vetëm 3 ditë pune. Vendimi u mor në datë 30 shtator. Për më tepër unë nuk mund të shkarkohem sepse nuk kisha kontratë figuroja ende në listë pritje”, shkruan ndër të tjera Copja në letrën dërguar platformës së bashkëqeverisjes, ku deri më tani nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Drejtoresha

Drejtoresha e shkollës  9-vjeçare “Seit Pepa”, Silva Jani, e kontaktuar nga gazeta “Shekulli”, thotë se vendimin për shkarkimin nga puna të mësuesit Ilir Copja, nuk e ka marrë ajo. Jani u tregua e rezervuar duke thënë se në lidhje me punësimin vetëm tre ditë dhe më pas shkarkimin e mësuesit të historisë pranë institucionit që ajo drejton, nuk mund të jap informacion, duke deklaruar se për këtë çështje përgjigjet zyra arsimore. “Unë nuk jam e autorizuar të jap informacion në lidhje me çështjen në fjalë. Ka qenë një vendim i cili nuk ka ardhur prej meje. Për këtë çështje duhet të përgjigjet zyra arsimore, pasi nuk është në kompetencat e mia”, deklaroi Jani.  Ndërkohë, gazeta “Shekulli”, në lidhje me denoncimin në fjalë, kontaktoi edhe zyrën Arsimore të Elbasanit, por thirrjes sonë, nuk iu përgjigj askush.

Punësimi i mësuesve nëpërmjet portalit

Nëpërmjet një udhëzimi, dikasteri i ministrisë së Arsimit sqaron se thelb kryesor në emërimet e reja në institucionet arsimore do të luaj “Mësues për Shqipërinë””. Pra shpallja e vendeve të lira të punës, konkurrimi, renditja e kandidatëve për mësues, si dhe pranimi në një vend të lirë pune realizohen nëpërmjet portalit “Mësues për Shqipërinë”. Nëpërmjet kësaj procedura të re sipas Ministrisë së Arsimit: “Procedurat udhëhiqen nga parimet e ligjshmërisë e të përgjegjshmërisë, si dhe nga vlerat e profesionalizmit, transparencës, meritës, të drejtës për zgjedhjen e institucionit arsimor, barazisë dhe interesit më të lartë të nxënësve.”Sipas udhëzimit Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar (në vazhdim “DPAP”) është përgjegjëse për procedurat e konkurrimit dhe të pranimit të mësuesit në një vend të lirë pune në sistemin arsimor parauniversitar, ndërsa drejtoritë rajonale të arsimit parauniversitar (në vazhdim “DRAP”) organizojnë procedurat sipas këtij udhëzimi. DPAP, bazuar në të dhënat e dërguara nga DRAP, nëpërmjet portalit “Mësues për Shqipërinë”, shpall vendet e lira të punës për lëvizjet paralele jo më vonë se një ditë para fillimit të vitit mësimor dhe gjatë vitit menjëherë nga njoftimi për vendin e lirë të punës. Ndërkohë vendet e lira të punës shpallen pasi është bërë plotësimi i kërkesave për lëvizje paralele dhe sistemimi i mësuesve që mbeten pa ngarkesë mësimore në zyrat vendore të arsimit parauniversitar (në vazhdim ZVAP) deri në 1 (një) ditë para fillimit të vitit mësimor. DRAP ka detyrimin të raportojë në DPAP lëvizjet paralele dhe vendet e lira të punës 1 (një) ditë përpara fillimit të vitit mësimor. DRAP ka detyrimin të konfirmojë menjëherë në portalin “Mësues për Shqipërinë”, përgjatë vitit mësimor, vendet e lira të punës për çdo institucion arsimor parauniversitar të varësisë, si dhe listën e punësimeve të kryera në muajin paraardhës, brenda 5 (pesë) ditëve të para të çdo muaji. DRAP dhe institucionet e varësisë kanë detyrimin të bëjnë publike vendet e lira të punës, në portalin “Mësues për Shqipërinë”, në faqen zyrtare të tyre dhe në stendat e informimit publik. DRAP dhe institucionet e varësisë kanë detyrimin të bëjnë publike menjëherë punësimet për çdo institucion arsimor në portalin “Mësues për Shqipërinë”, në faqen zyrtare të tyre dhe në stendat e informimit publik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet