Dëmtohet ura e Zëmblakut në Korçë, bllokohet kalimi në Juglindje

Publikuar më 07. 12. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Tonin Frroku

Ura e vjetër del jashtë përdorimit. Udhëtarët dhe bizneset përdorim vetëm rrugën nga Pojani. Prefekti i Korçës premton një urë metalike dhuratë nga NATO

Vetëm pak ditë më parë ura e Zëmblakut në Korçë është dëmtuar nga rreshjet aq sa tashmë ka dalë jashtë perdorimit për të gjitha mjetet e të gjitha tonazheve.Madje autoritetet bëjnë thirrje që ura të mos perdoret as nga banorët që lëvizin në tokat e tyre nëpërmjet saj. Ajo ndodhet në aksin rrugor Zëmblak-Dogana e Goricës së Vogël që lidh vendin tonë me një nga doganat e Maqedonisë. Kjo rrugëe përdoret në të njëjtën kohë nga 10 mijë banorë të Bashkisë Pustec dhe fshatra të njësisë administrative Pojan. Ne kushte të tilla fillimisht është parë si alternativë lëvizja e të gjitha mjeteve nga rrugë tjetër, ajo e fshatit Pojan, që pas disa kilometrave lidhet me rrugën nacionale Kapshticë-Qafë- Thanë. Diku në dalje të fshatit Pojan ka një urë me kapacitet mbajtës prej 20 tonësh. Në kushte të tilla Prefekti i qarkut të Korçës nga njëra anë ka urdhëruar autoritetet lokale të mbajnë në monitorim urën e Pojanit dhe nga ana tjetër u ka kërkuar firmave të inerteve që ushtrojnë aktivitetin e tyre rrëzë Malit të Thatë që transportin e inerteve ta kryejnë vetëm me mjete të tonazit deri në 20 tone, aq sa është edhe kapaciteti mbajtës i urës së Pojanit.

Mirëpo, të mërkurën paradite autoriteti i rrugëve ka vendosur në dy anët e kesaj ure blloqe betoni duke lejuar kështu vetëm vetura dhe furgonë udhëtarësh dhe ato kalojnë me vështirësi për shkak të gjerësisë së reduktuar tashmë. Një gjë e tillë nga njëra anë ka rritur shpenzimet për firmat e inerteve, por dhe mjeteve të tjera të tonazheve të rënda që vijnë apo shkojnë drejt Maqedonisë nëpërmjet pikës së kalimit të Goricës së Vogël që janë të detyruar të lëvizin tashmë nga Zvezda deri në afërsi të Petrushës në Pogradec për të kaluar drejt Korçës. Mungesa e urës së Zëmblakut është bërë pengesë edhe për më shumë se 5 mijë fermerë të njësisë administrative Pojan, të cilët në të dy anët e rrugës kanë tokat e tyre të mbjella me kultura bujqësore. Prefekti Spirollari vjen nga NATO Prefekti i Korçës pas një takimi që ka pasur me drejtues lokalë për këtë problem ka bërë me dije se dy janë mundësitë e zgjidhjes së ketij problemi.

E para, tha Spirollari, është rindërtimi i urës së Zëmblakut që vërtet kishte një kapacitet mbajtes 45 tone, por duke qenë se ishte ndërtuar prej shumë vitesh, ishte amortizuar së tepërmi. Por prefekti i juglindjes shikon si zgjidhje vendosjen e një ure tip BELI me kapacitet mbajtës 45 tonë. NATO, tha prefekti i Korçës, i cili mban gradën Gjeneral Brigade, është treguar e gatshme për t’i dhuruar vendit tonë materiale të ndryshme, përfshirë edhe ura me kapacitet minimal 20 tonë. “Ne do të kërkojmë një urë me kapacitet 45 tone aq sa ka qenë edhe kapaciteti i urës në Zemblak”-tha ai. Madje prefekti tha se nga ana e institucionit që ai kryeson janë nisur drejt Ministrisë së Mbrojtjes të gjitha kerkesat për juglindjen përfshi këtu edhe materialet që duhen për ndërtimin e kësaj ure. Probleme me ura ka edhe në zona të tjera të Qarkut të Korcës, në veçanti në Bashkinë e Kolonjës aty kua shumë fshatra, në mungesë të urave, kalojnë nëper ujëra edhe në këtë stinë të dimrit. Duke rrezikuar jetën e tyre, madje edhe të nxënësve të shkollave të këtyre fshatrave.