Dëmshpërblimi i të përndjekurve, gjashtë ditë afat për aplikimet e reja

Publikuar më 26. 12. 2017 nga Xhentila Gjoshi

Ka mbetur më pak se një javë në dispozicion për të dënuarit nga regjimi komunist, që të bëhen pjesë e skemës së dëmshpërblimit. Në fillim të këtij viti, Qeveria vendosi të rihapë afatin e aplikimit duke iu dhënë mundësinë të gjithë atyre, që nuk kishin arritur të depozitonin kërkesë më parë, të bëhen pjesë e procesit.

Por një hapësirë e tillë u krijua vetëm për ata ish-të përndjekur që jetojnë. Nga Ministria e Drejtësisë ende nuk ka asnjë të dhënë zyrtare mbi numrin e dosjeve të dorëzuara rishtazi.

“Brenda datës 31.12.2017, ish-të dënuarit politikë, të cilët bëjnë pjesë në kategorinë e subjekteve përfituese parësore, drejtpërdrejt apo nëpërmjet kujdestarit ligjor, paraqesin në Ministrinë e Drejtësisë kërkesën me shkrim, për përfitimin e dëmshpërblimit financiar për dënimin penal të padrejtë”, thuhet në nenin 19 të Ligjit të ndryshuar në shkurt të këtij viti.

Vlen të theksohet se mosparaqitja e kërkesës brenda afatit, sjell humbjen e së drejtës së dëmshpërblimit për ish-të dënuarin politik. Nga ky vendim nuk preken ata, që e kanë dosjen në Ministrinë e Financës. Për këta të fundit, procesi i ndarjes së kësteve do të vijojë normalisht.

DOSJET JASHTË AFATIT

Bashkë me rihapjen e afatit, Qeveria vendosi të përfshijë në skemë ish-të përndjekurit, që kishin aplikuar jashtë afatit. Nga ky ndryshim u penalizuan trashëgimtarët. Kështu, nga më shumë se 3 mijë aplikime të kryera pas 2009-s, vetëm 320 prej tyre do të trajtohen me dëmshpërblim.

Nga këta, 293 bëjnë pjesë në kategorinë “Burg dhe izolim në hetuesi”, ndërsa 27 në kategorinë “Izolim në institucion psikiatrik”. Për shmangien e burokracive dhe për të lehtësuar ish-të dënuarit nga detyrimi për të mbledhur e paraqitur edhe një herë pranë Ministrisë së Drejtësisë dokumentacionin e kërkuar, është përcaktuar që këto aplikime të përfshihen menjëherë në proces. Pra, nga ana e këtyre të dënuarve apo familjarëve të tyre nuk do të jetë i nevojshëm dërgimi i dokumenteve shtesë.

FATURA

Rreth 919 milionë lekë, ose thënë ndryshe 7.5 milionë dollarë është fatura për dëmshpërblimin e 320 të dënuarve që u përfshinë rishtazi në proces dëmshpërblimi. Pagesat do të kryhen mbi bazën e rendit të përcaktuar ku të parët, që do të kenë mundësi të përfitojnë, do të jenë të dënuarat gra dhe ata që janë në moshë mbi 75 vjeç. /panorama