Dëmi i supozuar i tërmetit të 26 nëntorit dhe fatura reale e 21 shtatorit  

Dëmtimi i banesave nga tërmeti i 21 shtatorit kushton 3.7 mln euro. Fatura u konkludua pas dy muajve. Pas tërmetit të parë u deshën vetëm 4 kompani private për të rikuperuar dëmin ndërsa lëkundjet e 26 nëntorit, kërkojnë mobilizim nga e gjithë bota

Neritan Gjergo

Në mbledhjen e djeshme të Komitetin Kombëtar të Rindërtimit, të thirrur nga kryeministri Edi Rama, një prej ndërtueseve deklaroi se fatura e dëmit të shkaktuar nga tërmeti mëngjesit të datës 26 nëntor mund të jetë 500 milionë euro apo edhe më tepër. Ndihmat financiare deri më tani nuk kanë ndalur dhe vijojnë t’i shtohen arkës së madhe, por le të shpresojmë se fondi do të grumbullohet edhe sikur ai të jetë më i madh apo më i vogël se 500 milionë euro pas vlerësimit final.

Vlerësimi

Vendi ynë, jo më larg se dy muaj më parë u godit nga një tërmet 5.6 ballë i shkallës rihter, i cili duket se u venit, nga forca e këtij të fundit dhe po ashtu edhe kërshëria për faturën financiare. Por, qeverisë shqiptare i janë dashur dy muaj për të shpallur vlerën financiare. Ajo ka dhënë 457 722 940 lekë (afro 3.7 milionë euro) për rikonstruksion dëmi në banesa në Qarqet Durrës dhe Tiranë, ndërsa pas kontraktimit me negocim  kanë qenë 4 kompani private, që do të kryejnë riparimet. Dokumenti i tenderit flet për riparim dëmi dhe nuk është e qartë nëse ka fond tjetër për strehim për rastet e banesave totalisht të pabanueshme dhe të parikonstruktueshme post tërmetit 21 shtator. Situata bëhet edhe më komplekse, pas tërmetit të 26 nëntorit, i cili mund të ketë shkaktuar çarje më të mëdha në objektet e vlerësuara, çka do të përkthehen në kosto shtesë, madje në procedurë mund edhe të anulojnë tenderin e parë. Vlen të theksojmë se, negocimet e ndara në 4 lote, caktojnë si afat për rikonstruksionin total në Durrës, Krujë, Shijak, Kavajë, Rrogozhinë e Kamëz, muajin dhjetor.,

Ndihmat materiale

Sa Çadra u shpërndanë pas tërmetit të datës 21 shtator, cilat bashki përfituan
Nga data 21 shator (tërmeti i parë ) e deri në datën 10 nëntor, Qeveria Shqiptare ka shpërndarë përmes Rezervave të Shtetit për të dëmtuarit e tërmetit dhe fatkeqësisë natyrore:
1. 592 çadra
2. 3226 batanije
3. 535 krevat me dyshek
4. 577 çanta dhe sete gjumi
5. 1210 shtroje
6. Shumë artikuj të tjerë emergjence përfshire edhe 200 filxhanë termikë. Bashkitë që kanë përfituar janë: Tirana, Vora, Durrësi, Belshi, Kavaja, Kamza, Shijaku, Kurbini, Kruja, Klosi, Ura Vajgurore, Librazhdi, Gramshi, Elbasani, Peqini, Përrenjasi, Cërriku, Mirdita, Lezha dhe Dibra.

Fondet buxhetore

Emergjencat e 21 shtatorit, dëmet për rikonstruksion u buxhetuan janë me Burim Financimi: A. Fondet Financiare në Dispozicion të Ministrisë së Mbrojtjes , Drejtorie e Përgjithshme e Emergjencave Civile, në Programin buxhetor Emergjencat Civile. B. Fonde të shtuara në Dispozicion të Këshillit të Ministrave në Programin buxhetor Emergjencat Civile për viti 2019 prej 500 milionë lekësh nga fondi i rezervave të buxhetit të shtetit për rikonstruksion dhe rindërtim të shtëpive të dëmtuara nga Tërmeti në qarqet Tiranë dhe Durrës. Në mbledhjen e djeshme të Komitetin Kombëtar të Rindërtimit, një ndërtues i tha kryeministrit Rama, se barra financiare dhe morale njëkohësisht edhe këtë herë do t’i bjerë të zotit të shtëpisë, pra vetë qeverisë. Por, përmasat e goditjes 6.4 ballë janë aq të mëdha, sa i zoti i shtëpisë, nuk di si ta kapërdijë këtë tragjedi.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet