Demenca, parandalimi dhe trajtimet e reja

Publikuar më 01. 12. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Elona Tereziu

Sokrat Xhaxho, mjek neurolog  në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, flet për sëmundjen, përparimin e saj, simptomat më të shpeshta dhe më të rënda derisa individët humbasin të gjitha format intelektuale.Shkalla më e lartë e komplikacioneve arrin kur të sëmurët zënë krevatin dhe nisin problemet të tjera shëndetësore

Me rritjen e moshës, shëndeti mendor fillon të pësojë ndryshime të shumta. Këto ndryshime bëhen edhe më të dukshme tek moshat e mëdha, të cilat janë edhe ndër grupet që preken më tepër nga çrregullime të shëndetit mendor. Demencat janë sëmundjet më të shpeshta të trurit, që shkaktojnë humbje graduale të aftësisë për të menduar, gjykuar, mbajtur mend, deri në kufizim të veprimtarisë në jetën e përditshme.

Sokrat Xhaxho, mjek neurolog  në Qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’, tregon për gazetën “Shëndet +” se me përparimin e sëmundjes, simptomat bëhen më të shpeshta dhe më të rënda gjersa këta individë humbasin të gjitha format intelektuale. Në këtë fazë, këta individë zënë krevatin dhe pikërisht këtu fillojnë dhe problemet e rënda shëndetësore, si: bëjnë infeksione të mushkërive, infeksione të urinës, deri në infeksione të zemrës që çojnë pastaj në pasoja fatale me ndarje nga jeta. Më tej ai flet edhe për masat parandaluese,  ku gjëja e parë që duhet bërë është korrigjimi i faktorëve të riskut, duke mjekuar mirë diabeti, duke mjekuar mirë tensionin, duke shmangur infeksionet dhe traumat e ndryshme, heqja dorë nga cigarja, alkooli etj. Ndërkohë që flet edhe për trajtimin, duke u ndalur në mënyrë të veçantë tek mjekimet e reja në fushën e mjekësisë për sa i përket këtyre sëmundjeve.

Çarë është demenca?

Me termin ‘demencë’, e cila në gjuhën popullore njihet me termin sklerozë, do të kuptojmë uljen e funksioneve të larta konjitive, siç janë të menduarit, të gjykuarit, aftësia e mbajtur mend, të folurit etj. Janë disa forma çrregullimesh të këtyre sëmundjeve intelektuale, por më kryesoret dhe që zënë vendin më të madh është demenca alzheimer. Kjo sëmundje futet në sëmundjet degjenerative të sistemit nervor. Vjen një moment i caktuar që qelizat në korteks, koren e trurit, përgjegjëse për njohjen, gjestet, kujtesën, të folurit, fillojnë e degjenerojnë duke bërë që të fillojë ajo që ne e quajmë sindromi demencial, ose sëmundja e alzheimerit.

Cilat janë shenjat me të cilat shfaqet sëmundja?

Harresa është shenja kryesore. Në fillim ata harrojnë gjëra të thjeshta, si për shembull emrin e një sendi ose ku e kanë vendosur atë. Mbajnë mend ngjarjet e vjetra me hollësi, që nga fëmijëria, por nuk mbajnë mend gjërat e freskëta, çfarë ndodhi dje, kë takuan sot. E çon për të bërë një pazar të cilin e ka bërë shumë mirë deri dje, por nuk arrin dot të gjejë rrugën për t’u kthyer në shtëpi. Çohen natën për të vajtur në banjo dhe nuk arrijnë dot ta gjejnë  atë, prandaj i kryejnë nevojat personale në ambiente të papërshtatshme. Nuk mbajnë mend emrat e nipërve, mbesave e njerëzve të afërt. Pra bëjnë çrregullime të memories. Ose bëjnë çrregullime të gjesteve, si për shembull, harrojnë si vishen pantallonat, si vishet bluza, këmisha etj. I jep lugën për të ngrënë dhe shikon i habitur sikur nuk e ka parë asnjëherë këtë objekt. Në të kuptuarin. I thua diçka dhe të përgjigjet krejt ndryshe. Ka forma të demencës që kanë edhe hiperbulimi, megjithëse sa janë çuar nga dreka, kanë prapë atë ndjesinë e oreksit, pangopjes dhe kërkojnë nëpër komodina e dollape ku janë ushqimet edhe marrin edhe nga ushqimet/ racionet e të sëmurëve të tjerë.

Cilët janë faktorët e riskut, çfarë ndikon në shfaqjen e demencës?

Arsyet janë nga më të ndryshmet. I mëshohet fort një faktori gjenetik, në kuptimin e asaj që nëse prindi vuan nga demenca, predispozita që edhe fëmija të trashëgojë të njëjtën gjë është shumë e lartë. Arsye tjetër e demencave janë edhe faktorët e riskut vaskularë, si tensioni, diabeti, cigarja, alkooli, jeta sedentare etj. Ulja e mprehtësisë shqisore, e dëgjimit apo e të parit, tregon gjithashtu për një vjetërsim të sistemit nervorë, sidomos të kores së trurit, dhe në këto raste manifestohet me shenjat e demencës. Niveli i ulët arsimorë/ intelektual në kuptimin varfërisë është gjithashtu një tjetër faktor, por kjo nuk do të thotë që prek vetëm të varfrit, pasi ka pasur figura të njohura të politikës dhe historisë, që nuk kanë qenë as të varfër dhe as të ulët intelektualisht, dhe kanë manifestuar shenja të demencës.

Sa shpesh haset?

Nëse do e krahasonim me sëmundjet e tjera, për shembull ato cerebrale vaskulare, që vetëm brenda Tiranës hasen të paktën 3-4 raste të reja në ditë, demencat ne nuk është se i konsultojmë kaq shpesh. Ndoshta njerëzit janë dhe pak të frenuar të vijnë tek doktori, sepse e konsiderojnë si diçka normale (sëmundja e pleqërisë), por në studime të ndryshme që janë bërë, rezulton se prek 7-10 persona në 100 raste.

Po tek moshat e reja?

Tek moshat e reja rastet janë më të rralla, por kjo nuk do të thotë që mundësia është zero. Ne kemi pasur raste me demencë, alzheimer ose demenca të tjera edhe në moshat 50-55 vjeç. Ndërkohë që mundësia shtohet me gati 40-50% të rasteve në moshat 85-90 vjeç.

Sa është shtuar ky numër vitet e fundit?

Nuk është se është shtuar numri, por ndoshta ne tani e hasim pak më shpesh, për shkak se kohët e fundit është shtuar kujdesi për prindërit, gjyshen apo gjyshin, apo njeriun e tyre. Dhe e dyta, sepse është rritur mosha mesatare e popullsisë.

Si avancon sëmundja dhe cila është shkalla më e rëndë e komplikacioneve?

Sëmundja avancon gradualisht dhe shkalla e shpejtësisë është shumë individuale. Ka raste që ecën shumë shpejtë ( këtu kam parasysh fazën subakute), por jo ekstremisht të shpejtë, që do të thotë se brenda një viti ose një vit e gjysmë pacienti shfaq gjithë tabllon e shenjave klinike që i folëm më lart. Fillon me një çrregullim të lehtë të vëmendjes ose përqendrimit, mandej këta individë humbasin të gjitha format intelektuale. Në rastet kur ndodh gradualisht, më ngadalë, pacienti e shfaq tabllon e shenjave klinike brenda 4-5 viteve.

Shkalla më e lartë e komplikacioneve është se këta të sëmurë, duke qenë se nuk janë në gjendje të organizojnë të ecurën e tyre apo ushqyerjen, fillojnë e qëndrojnë shtrirë (zënë krevatin) dhe pikërisht këtu nisin dhe komplikacionet. Bëjnë komplikacione të mushkërive, infeksione të urinës, deri në infeksione të zemrës, gjë e cila çon pastaj në pasoja fatale, ndarje nga jeta, mbas një viti ose 4-5 vitesh. Në rastet kur nuk avancon shumë sëmundja, jetëgjatësia mund të shkojë edhe deri në 10 vjet.

A ka masa parandaluese për këtë sëmundje dhe si bëhet trajtimi?

Ashtu si për të gjitha sëmundjet e tjera, edhe për këta të sëmurë trajtimi është mjekësor dhe ndjekja në vazhdimësi, ambulatore. Gjëja e parë që ne duhet të bëjmë është të korrigjojmë faktorët e riskut. Duhet të mjekohet mirë diabeti, të mjekohet mirë tensioni, të shmangen traumat e ndryshme, infeksionet etj. Cigarja dhe alkooli duhet të abandonohen/ evitohen plotësisht. Gjithashtu këshillohet që këta të sëmurë të mos e ndryshojnë ambientin e tyre, dhomën apo shtëpinë pasi kjo sjell axhitmin e tyre. Tjetër gjë, ne këshillojmë që këta të sëmurë të mos ngelen asnjëherë vetëm. Gjithmonë duhet të jetë dikush me ta që t’u flasë, t’u tregojë një histori, të bashkëbisedojnë etj. Shpeshherë, kur burri ose gruaja ka vdekur dhe njëri nga bashkëshortët ka mbetur vetëm, dhe fëmijët shohin punët e tyre, këta persona mbeten vetëm dhe kjo gjë përshpejton agravimin e sëmundjes.

Mandej ka trajtime mediakmentoze, por nuk është se bëjnë një zgjidhje të veçantë të situatës. Për shembull, për të penguar avancimin e mëtejshëm të sëmundjes ne përdorim disa lloj mediakmentesh me bazë memantinën si Demax, Alzancer etj, ndërsa për të frenuar episodet e axhitimit psikomotor, përdorim neuroliptikët. Një rol të veçantë këtu luan edhe ushqimi i pasur me vitaminat e duhura dhe kripërat minerale. Unë këshilloj shumë që të përdorin ujin pa gaz, dhe mundësisht një litër e gjysmë në 24 orë, pasi kjo ndihmon në hidratimin e mirë të sistemit nervorë.

Cilat janë të rejat më të fundit nga fusha e mjekësisë për sa i përket trajtimit të këtyre sëmundjeve?

Në konferencën e fundit shkencore, që u zhvillua para pak ditësh lidhur mbi këto probleme, u prezantua një studim, por që ende s’është provuar nga ana shkencore, ku thuhej se janë disa lloj bakteresh në zorrë që prodhojnë proteina ose pengojnë prodhimin e proteinave negative. Këto proteina negative mandej, kur formohen ose kur sintetizohen në organizëm, fillojnë dhe vendosen në qelizat e trurit dhe pengojnë atë aktivitetin normal, proteinat ato që i quajmë ne. Këto mikrobe duan një lloj ushqimi të caktuar që të pengojë formimin e këtyre proteinave. Bulmeti, si kosi për shembull, lakra ose lulelakra, janë ushqime shumë të mira të cilat nxisin zhvillimin e këtyre mikrobeve të mira dhe pengojnë formimin e këtyre proteinave. Në studimin e kësaj sëmundje, janë harxhuar miliona e miliarda dollarë nga fondet e njerëzimit në kuptimin e asaj se çfarë mund të bëhet, por rezultatet nuk është se kanë ndryshuar shumë, ndërkohë që numri i të sëmurëve me demencë sa vjen dhe rritet.

Pse nuk ka ende një kurë definitive për mjekimin?

Ka disa gjëra që nuk janë shumë të thjeshta dhe që duan kohën dhe momentin e tyre. Sidoqoftë, mjekësia punon, preokupohet, së pari për ta parandaluar dhe e dyta për ta trajtuar si duhet kur është për t’u trajtuar dhe për t’u kujdesur për këta të sëmurë.

Somario: Në studimin e kësaj sëmundje, janë harxhuar miliona e miliarda dollarë nga fondet e njerëzimit në kuptimin e asaj se çfarë mund të bëhet, por rezultatet nuk është se kanë ndryshuar shumë, ndërkohë që numri i të sëmurëve me demencë sa vjen dhe rritet.