Deklarata e fortë e Erdoganit në Novi Pazar: Kjo është toka ime amtare

Publikuar më 11. 10. 2017 nga Dionis Xhafa

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan është duke vizituar Novi Pazarin, ku u shpreh se Turqia dhe rajoni i Sanxhakut kanë marrëdhënie të veçanta. “Novi Pazar është toka ime amtare. Lumturia juaj është lumturia jonë. Dhimbja juaj është dhimbja jonë”, tha Erdogan.

Erdogan dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç të mërkurën kanë pasur një takim edhe me kryetarët e komunave të Novi Pazarit, Rashkës, Kraljevës, Sjenicës, Tutinit, Prilepoljes, Nova Varosit dhe Pribojit. Para kësaj, një numër i madh banorësh vendas kanë mirëpritur dy presidentët. Novi Pazari, qyteti më i madh në rajonin jug-perëndimor të Serbisë, njohur në mënyrë joinformale si Sanxhak, vendi i një shumice të madhe myslimane boshnjake, sot u zbukurua me billborde të imazheve të Erdoganit, me flamujt e Serbisë, Turqisë dhe ato të Bosnjës.

Erdogan ndodhet në Serbi në një vizitë dy ditore, që nisi të martën. “Unë e di se ka edhe qytetarë serbë që nuk më mirëpresin siç duhet, si president i Turqisë. Mirëpo kam mjaft kurajo dhe ndërgjegje të pastër që të mund të vij përpara jush dhe t’iu them se kam punuar dhe do të punoj në interesin më të mirë të juve dhe të çdo qytetari të Serbisë”, iu tha Erdogan – qytetarëve të mbledhur në sheshin kryesor të qytetit të vjetër, në një fjalim të përbashkët me Vuçiç. Kurse Vuçiç u shpreh: “Detyra jonë është që të punojmë sa më shumë që të mundemi dhe të zhvillojmë çdo rajon të Serbisë, duke investuar gjithmonë dhe më tepër para”, tha kreu i shtetit serb dhe ka njoftuar ndërtimin e rrugës nacionale Pozega – Boljare. Ai ka shtuar se zona e Novi Pazarit duhet të lidhet me Beogradin dhe Saravejën, në mënyrë që rruga të jetë më mirë të lëvizet dhe gjithashtu edhe shkëmbimet tregtare të shtohen. “Ne duam që të lidhim këtë zonë me Beogradin dhe me Sarajevën, si dhe me Podgoricën. Detyra jonë është që të ndërtojmë rrugë, spitale, kopshte, shkolla. Ne do të vazhdojmë të punojmë, pasi për ne nuk ka gjë më të rëndësishme se kjo gjë”, deklaroi Vuçiç. /B92/

Përktheu: Dionis Xhafa