Déjà vu lumturie dhe krisma poshtërimi, “Mashtrimi” i Imamit, jo vetëm një lojë

Publikuar më 30. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Valeria Dedaj

Artan Imami, si aktor dhe regjisor, në Teatrin Kombëtar. “Mashtrimi” zhvesh natyrat njerëzore paturpësisht, pamundësinë për të kuptuar dhe për t’u kuptuar, aspiratat e çmendura, dëshirën për të ngacmuar në mënyrë të pamëshirshme dobësitë e kundërshtarit dhe frikën për t’u përballur me të tuat

Gjendemi në Teatrin Kombëtar, tingujt ndjellës të pianos përgatisin trurin e spektatorit për t’iu bashkuar lojës së Anthony Shaffer. “Mashtrimi” ka hedhur grepat. Një puzzle, një kurth psikologjik, që vetë skenografia nënvizon me Kubin e Rubikut, apo imazhin intrigues bardhë e zi, si simbol të lojës mendore, por mbi të gjitha një histori njerëzore! Po, një histori martese përballë së cilës qëndron Andrew Wyke (Artan Imami). Aktori është i ftohtë dhe nuk zbulon emocione teksa shikon në klip momente të lumtura nga jeta në çift me Megin (Carolyn Murphy), bashkëshorten e tij. Edhe pse e vërteta tanimë është një tjetër, ata nuk janë më çift, të paktën jo i zakonshëm. I treti është mysafiri, Milo Tindle (Indrit Çobani), madje jo Tindolini. Tok tok, dera troket. Aktori aspirant që punon si parukier, ekstrakomunitari me origjinë italiane, i cili ka lidhje të jashtëligjshme me gruan e Wyke, gjen guximin dhe vjen në shtëpinë e shkrimtarit, për t’i shfaqur haptazi qëllimet ndaj Megit dhe mbetet i befasuar. Indiferentizmi i Andrew ndaj tradhtisë bashkëshortore, është jashtë pritshmërive të tij, edhe të spektatorëve gjithashtu.

Çfarë fshihet pas saj?! A do të mund ta përballoj dot Milo një grua të sojit të lartë, si Megi që s’do t’ia dijë për shpenzimet? E nëse për këtë ka një zgjidhje, a mund të jetë e besueshme kur propozohet nga bashkëshorti i saj… Kur aroma e pasurisë serviret në tryezën e një njeriu të varfër, naiviteti i të dashuruarit dhe entuziazmi i rizgjuar i ëndrrave të mbartura mund të jenë dehëse.  Publiku është dëshmitar, dy xhentëlmenët shikohen për pak sekonda në sy dhe duket se bien dakord, shtrëngojnë duart, por asgjë nuk është ashtu si duket. Historia që zë fill bazohet në një lojë mashtrimesh, krenarie dhe sigurisht hakmarrjeje. Një hakmarrje e denjë për aristokratët, ose ndoshta jo, që gjen Milon nën petkat e palaços….

Publiku nis të dyshojë, diçka bluhet në shtëpinë e izoluar plot gracka, një duel i pazakontë në një lojë ku rregullat janë të pashpallura, sepse në fakt kjo lojë nuk ka rregulla. Dhe ja Milo e gjen veten teksa zvarritet në shkallë i frikësuar deri në palcë. Një e shtënë, dy, ndihet i poshtëruar dhe i kërcënuar.

Loja në aktin e parë ka arritur kulmin, e shtëna e tretë e gjen atë të shtrirë përtokë, dhe duket se shkrimtari e arriti qëllimin, të paktën për momentin.

Ndryshe ndodh me aktorët. Çobani vjen në një recitim gati mekanik në një staturë thuajse të ngrirë dhe mimikë jo shprehëse. Madje kur personazhi (Tindle) luan vetveten recitimi duket se vjen më pak natyrshëm sesa kur ai shtiret (në rolin e inspektorit pavarësisht zërit të çjerrë).

Shaffer, duke dashur të hetojë shpirtrat e trazuar njerëzor, në aktin e dytë, i paraqet personazhet krejt ndryshe, gati-gati të kundërt me atë që kemi parë në aktin e parë.  Ironia, drama dhe komiciteti krijojnë një atmosferë emocionuese. Loja ashpërsohet, viktima bëhet ekzekutore dhe nuk ngurron të hakmerret, duke lënduar prenë e saj në ndjenjat më intime. Por a ka limite farsa që poshtëron njeriun, duke përdorur dobësitë e tij? Nëse jo, loja mund të bëhet e rrezikshme dhe njeriu të bëhet viktimë e vetes.

Skenografia duket se është ndërtuar me elemente, ku ndërthuren epoka të largëta, e vjetra dhe bashkëkohorja qëndrojnë krah për krah. Nga një anë Andrew ka në dorë telekomandën për të parë klipin me ngjyra, nga ana tjetër një baule dhe një kasafortë e vjetër shoqërojnë zhvillimin e ngjarjeve. Në mur ilustrohet një nga romanet e Wyke, ai i inspektorit Ploder që në fakt të rikujton “Sleuth”, pasi e gjitha kjo është pjesë e mashtrimit të Shaffer. Fotografia bardhë e zi e bashkëshortes së shkrimtarit na kujton qëllimin parësor të duelit, të një dueli që i zhyt protagonistët në kthetrat e poshtërimit, sepse Wyke e ka kuptuar:“Rruga më e shkurtër për në zemrën e një burri është nëpërmjet poshtërimit”.

Shaffer ndërton në mënyrë gjeniale disa realitete dhe më pas i shpërbën ato, e gjitha kjo për të tensionuar publikun, për ta ngatërruar pse jo edhe për ta frikësuar, duke i kujtuar se “viktima” mund të ishte kushdo… Gjatë lojës aktoriale, gjestet apo intonacioni i personazheve, kur luajnë veten pësojnë ndryshime të vobekta edhe kur loja bëhet e ashpër. Publiku ka nevojë të shkundë ndërgjegjen, të kuptojë se një lojë e jashtëzakonshme po luhet, të tronditet jo vetëm nga krismat e presupozuara të armës.

Fundi i lojës e gjen iniciatorin e saj, duke vëzhguar klipin me bashkëshorten. Po kësaj here është ndryshe, shkrimtari është gjunjëzuar, është poshtëruar, dhe situata i ka dalë jashtë kontrollit. Mbyllja e aktit të dytë e gjen kundërshtarin e tij të shtrirë sipër shkallëve, si në aktin e parë, po loja s’do të ketë një tjetër raund. Është e sigurt, Milo nuk do ta tregojë sekretin e Wyke. Sirenat dëgjohen, askush nuk mund të bëjë më asgjë, Wyke po luan mëndsh. Kufijtë jetësorë janë shkelur, frika e ka gllabëruar dhe tani është e kotë, nuk mund të thotë më se: “Ishte e gjitha një lojë”. Një tjetër e shtënë dëgjohet, pastaj heshtje.

Shtresat klasore shtrihen, lojtarët tani janë të barabartë…

Loja përfundon, ulet sipari, duartrokitjet e publikut konfirmojnë dëshirën e tyre për ta parë Imamin në skenë. Një shfaqje teatrale, që me siguri ngacmoi ndërgjegjen e shumicës, “Mashtrimi” zhveshi paturpësisht natyrat njerëzore, pamundësinë për të kuptuar dhe për t’u kuptuar, aspiratat e çmendura, dëshirën për të ngacmuar në mënyrë të pamëshirshme dobësitë e kundërshtarit dhe frikën për t’u përballur me të tuat…