Defektet e lindura të qiellzës dhe buzës, trajtimi

Publikuar më 06. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Elona Tereziu

Lozana Binjaku, mjeke maksilo-faciale tregon defektet dhe gabimet e prindërve që krijojnë problemet e çrregullimeve të buzës dhe të qiellzës

Kur flasim për defekte të lindura të buzës dhe qiellzës kemi të bëjmë me një çrregullim antomik embrional i cili bën që fëmija që lind me një çrregullim të tillë të etiketohet si ”gojë lepur” apo ”gojë ujk”. Ndër shkaktarët kryesorë për shfaqjen e një anomalie të tillë akuzohen tentativat për aborte gjatë fillimit të barrës, sakusi (folikuli) amniotik i ngushtë që shpesh futet midis fisurave (thellimeve) dhe pengon aderimin e indeve, gjuha e madhe e cila futet midis proceseve palatinale, prindërit alkolikë ose që janë mjekuar me kortizonike apo rentgenoterapi për një kohë të gjatë, si dhe mungesa e vitaminës A dhe B në organizëm. Lozana Binjaku, mjeke maksilo-faciale në Spitalin e Traumës tregon se këto defekte përbëjnë rreth 12- 15% të të gjitha rasteve dhe takohen 1 në 700-1500 lindje të gjalla, ndërsa komplikacionet më të shpeshta që sjellin tek fëmija, janë vështirësia për tu ushqyer, mundësi e lartë për inflamacion të rrugëve respiratore, vështirësi artikulare, çrregullime të theksuara të mimikës, dëmtim të sistemit dentar etj.

Çfarë kuptojmë me defekte të lindura të buzës dhe qiellzës?

Defektet e lindura të buzëve dhe të qiellzës zënë vendin e parë midis të gjitha defekteve të tjera të lindura. Ato përbëjnë rreth 12-15% të të gjitha rasteve dhe takohen 1 në 700-1500 të lindur. Ato lindin nga mosbashkimi i pjesëve të ndryshme të cilat bashkohen gjatë zhvillimit embrional dhe formohen në vende ku gjatë zhvillimit embrional ka sulkus ose fisura (thellime) dhe në vende ku normalisht këto në moshën embrionale mungojnë por që kanë dy pjesë kocke çifte të cilat nuk bashkohen gjatë zhvillimit embrional.

Çfarë i shkakton, pse një fëmijë lind me këto probleme?

Shkaqet e këtyre defekteve mund të jenë me origjinë endogjene dhe ekzogjene. Në faktorët endogjenë bëjnë pjesë faktori trashëgues që shfaqet me pamjaftueshmëri të forcave plastike të indeve të embrionit. Trashëgimia jep një përqindje 2.5-18% në zhvillimin e këtyre defekteve, por vendin kryesor e zënë faktorët ekzogjenë si ambienti i jashtëm ose i brendshëm gjatë zhvillimit të fetusit. Traumat e ndryshme gjatë zhvillimit të embrionit si tentativa në fillim të barrës për abort, sakusi (folikuli) amniotik i ngushtë që shpesh futet midis fisurave (thellimeve) dhe pengon aderimin e indeve, gjuha e madhe e cila futet midis proceseve palatinale duke penguar bashkimin e tyre renditen në faktorët e jashtëm. Kështu janë gjetur defekte të lindura të buzës e qiellzës në prindër alkolikë ose që janë mjekuar me kortizonike ose rentgenoterapi për një kohë të gjatë. Është vërtetuar gjithashtu se nëna të sëmura nga rubeola ose sëmundje tjera infektive kanë lindur fëmije me defekte. Jo më pak rëndësi në etiologjinë e tyre ka mungesa e vitaminës A, vitaminës B. Disa autorë këto defekte i lidhin me turbullimet endokrine gjatë barrës dhe me sifilizin e prindërve. Të tjerë e shpjegojnë me dëmtimin konstant të qelizave seksuale nga ndryshimet në metaplazmën e organizmit që vijnë si pasojë e veprimit toksikoinfeksioz dhe metabolik.

Sa lloj defektesh të lindura njihen?

Defekti i lindur që vihet re më shumë në regjionin maxillofacial është labium leporinum (buzë lepuri) ose fissura labi superioris lateralis (cheilloschisis). Ky defekt mund të jetë unilateral ose bilateral, i cili mund të jetë simetrike ose asimetrtike. Kur defekti ka kapur vetëm buzën quhet cheilloschisis simplex, ndërsa kur ka prekur dhe procesin alveolar quhet i kombinuar cheillognathopalatoschisis. Defekti mund të jetë i pjesshëm (kur kap vetëm mukozën e buzës, 2/3 e buzës ose gjithë buzën deri te vrima e hundës, por pa e prekur këtë të fundit) dhe i plotë (kur kap gjithë buzën, vrimat e hundës dhe mund të arrijë deri në bazën e saj. Defektet e lindura të qiellzës prekin qiellzën e butë e të fortë dhe emërtohen ”fissura palati duri et molis” ndryshe “gojë ujku“, ose vetëm në qiellzën e butë (fissura palatum molis) ose defekt vetëm i uvulës (uvula bifida). Këto mund të takohen si defekte të veçanta ose të kombinuara me defektet e buzës së sipërme, me defektet e buzës dhe të procesit alveolar dhe mund të jenë unilaterale ose bilaterale.

Çrregullimet

Çfarë komplikacionesh sjellin tek fëmija?

Në fëmijët me defekte të lindura të kombinuara të buzës e qiellzës çrregullohet akti i thithjes së gjirit, sepse goja nuk ka mundësi të mbyllet hermetikisht për arsye se komunikon me hundën. Shpesh ata thithin përmbajtjen e ushqimit nëpërmjet hundës që disa herë japin procese inflamatore të aparatit të frymëmarrjes (rinofaringite, pneumoni etj). Ata vuajnë shumë nga otite, tonsilite hipertrofike dhe janë zakonisht distrofike. Në defektet e qiellzës me rritjen e fëmijës shfaqen anomali në të folur, çrregullime në formimin e tingujve, tingulli del hundor (Rhinolali nazale) dhe fjalët shqiptohen të paqarta (Dislalia nazale), pra ka të folur hundor për arsyen se mungon izolimi i nevojshëm i gojës dhe hundës. Defektet e buzës me rritjen e fëmijës kthehen në traumë psiqike për të, prandaj fëmijët e rritur bëjnë çmos për ta fshehur defektin me anën e lëvizjeve suplementare të muskulaturës e cila sjell çrregullime më të theksuara të mimikës. Fëmijët e vegjël ushqehen vetëm me lugë ose biberon të gjerë e të butë pasi kanë vështirësi në thithjen e gjirit.

Ndërhyrja që duhet bërë dhe koha e duhur

Duke qenë se janë probleme që korrigjohen vetëm me kirurgji, kur është koha më e përshtatshme për të ndërhyrë?

Afati i operacionit varet nga gjendja e përgjithshme e fëmijës dhe nga lloji i defektit. Mosha më e përshtatshme për operacionin e defekteve të buzës është nga 2-3 muaj deri në 9 muaj ose direkt pas lindjes. Pas kësaj moshe deformimet e indeve të buta rreth defektit bëhen më të theksuara. Kurse afati i operacionit të defekteve në qiellzë është 3-6 vjeç, moshë kur fëmija fillon të flasë.

Ndryshimet anatomike në indet përreth defektit:

Në defektet e buzës së sipërme vërehen ndryshime në indet e buta dhe në kockën përreth. Mund të kemi dhe defekt të procesit alveolar, deformim të flegrave të hundës, të septum nazi dhe të majës së hundës. Flegrat e hundës janë të trasha dhe baza e saj është e spostuar nga jashtë-poshtë. Septum nazi dhe maja e hundës devijojnë nga ana e shëndoshë. Në defektet e qiellzës së butë dhe të fortë vihet re që proceset palatinale të nofullës së sipërme nuk zhvillohen plotësisht, qiellza e butë shkurtohet, mungon bashkimi normal i grupmuskujve të qiellzës së butë, të anës së majtë me atë të djathtë dhe vihen re zgjerime të meziofaringut dhe epifaringut.

A ndikojnë në harkun dentar të fëmijës?

Sigurisht një çrregullim i tillë ndikon në harkun dentare duke sjellë patologji. Flasim gjithmonë për të ardhmen kur tek fëmija fillojnë e dalin dhëmbët dhe mund të kemi mungesë ose keqformim në vendosjen e tyre.

Si e përjetojnë nënat dhe sa i nevojshëm është këshillimi psikologjik?

Një nënë është e shkatërruar nga ana psikologjike kur e sheh fëmijën e saj në atë gjendje edhe përballë faktit të vështirësisë për ta ushqyer. Sidomos në defektet të ashtuquajtuara”buzë lepur”, “gojë ujk”, që janë defekte traumatizuese për një nënë, dhe ndikojnë në gjendjen shpirtërore apo sjelljet e saj në jetën e përditshme. Duke e ekspozuar këtë fëmijë në ambjentin e jashtëm dhe reagimin e njerëzve përreth, detyrohet të mbyllet apo ta fshehë fëmijën nga mjedisi i jashtëm duke u ngarkuar psikologjikisht dhe vete. Prandaj është e domosdoshme prania e një psikologu për këto nëna derisa fëmija të bëhet si fëmijët e tjerë. Duke qenë se këtu tek ne nuk ka ende një person që të merret me këtë pjesë, ne si mjek të trajtimit të defekteve të lindura bëjmë edhe rolin e psikologut për të inkurajuar nënën dhe shpjeguar asaj që ky është një problem që mund të zgjidhet.