Debati/ Kumbaro: Teatri do shembet! Aktori: Kaloni mbi trupat tanë!

Publikuar më 14. 02. 2018 nga Xhentila Gjoshi

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro është përballur “live” me artistët mbrëmjen e djeshme.
E ftuar në emisionin “Top Show” përballë artistëve të skenës Arben Derhemi, Altin Basha, Genc Fuga, Gëzim Kame dhe Robert Budina, Kumbaro u shpreh qartë se Teatri Kombëtar do të shembet për të ndërtuar një tjetër më dinjitoz, projekti i të cilit po studiohet.
“Në këtë truall do të ndërtohet një teatër kombëtar dinjitoz. Në këtë truall të bëhet ky Teatër. Këtë nuk e kam fshehur. Më lejoni ta them dhe e regjistroni. Ideja jonë është që të ndërtohet një Teatër i mirëfilltë Kombëtar në këtë zonë. Në bashkëpunim me kryetarin e bashkisë kemi folur edhe për ndërtimin e disa institucioneve kulturore. Ne i kemi kërkuar kryetarit të bashkisë që të parashikojë në të njëjtin truall një projekt për Teatër Kombëtar. Nuk ka ende një projekt. Është çdo gjë duke u diskutuar për projektin dhe anën financiare”, u shpreh ajo.
Aktori Arben Derhemi tha se trupa e artistëve nuk do të lejojë zhvendosjen e Teatrit Kombëtar dhe se një gjë e tillë ndodh vetëm pot ë kalohet mbi trupat e tyre. “Ne do të dalim nga ai Teatër kur të kaloni mbi trupat tanë”, tha Derhemi.