Debat për tatimin mbi pagat, propozohet rritja e pragut në 40 mijë lekë

Komisioni i Ekonomisë kërkon rishikimin e fashës së patatueshme, rritjen e në 30% të tasave për lojërat e fatit dhe bërjen zero të dividendit të riinvestuar. Kundërshton ministri Ahmetaj

Enida Vërça

Debate në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, ditën e djeshme, lidhur me propozimin e deputetëve rritjen e pragut të tatimit mbi pagat, nga 30 mijë lekë që është aktualisht, në 40 mijë lekë.  I pranishëm në komision ishte edhe Ministri i Financave Arben Ahmetaj, i cili u përballë me mospajtimin e deputetëve socialistë në lidhje me ndryshimin e ligjit Tatimi ndaj të Ardhurave. Në fjalën e tij, ministri i Financave propozoi  uljen në 13%, nga 23% që është, të tatimit për fashën  e pagave nga 130 mijë deri në 150 mijë lekë. Nga ana tjetër, edhe kreu i Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe kërkoi që përfitues të jenë ata që kanë paga të ulëta duke e rritur nivelin e dyshemesë për tatimin e pagave nga 30 mijë lekë në 40 mijë lekë të reja. “Në këtë vend, pagën 300-400 mijë lekë e kanë punonjësit e thjeshtë që nuk kanë asnjë të ardhur tjetër. Të ardhurat e vetme janë nga puna. Nëse ka ardhur e keqja, nuk na ka ardhur nga të ardhurat nga puna. Jo, na ka ardhur nga tatimi mbi fitimin”, është shprehur Braçe. Ndërkohë në fjalën e tij, ministri ka argumentuar se papërgjegjshmëria fiskale sjell rritjen e borxhit, ashtu siç e ka ndodhur në qeverisjen e z.Berisha. “Është koeficienti Gini që e mat pabarazinë, nuk e masim as unë dhe as ti. Unë do të qëndroj kundër ekspandimit jo racional fiskal”, u shpreh Ahmetaj.  Deputetja Blerina Gjylameti shtoi gjatë diskutimit se ndryshimet lehtësojnë barrën fiskale në vend. Ajo  propozoi mbrojtjen e pagave më të ulëta, rritjen e pragut për pagat e patatueshme; uljen e tatimit mbi dividendin, të bëhet zero tatimi për dividendin e riinvestuar; tatimi për lojërat e fatit të bëhet 30%. Ministri Ahmetaj, sa i përket propozimit të parë në Ligjin për të Ardhurat, argumenton se ‘na prish sistemin e ngritur për taksimin e pagave. 60% nuk paguajnë taksa. Ky është problem edhe për evazionin’. Sipas ministrit, sistemi ynë i taksimit është progresiv dhe kemi nxjerrë nga sistemi 140 milionë dollarë. “Për sa i përket dividendit e riivenstuar që të taksohet zero nuk mund të bëhet. Nuk është logjike që të ulet. Dy propozimet e para jam absolutisht kundër që të realizohen. Ndërsa për lojërat e fatit duhet të bëjmë një diskutim më të gjerë dhe duhet të shikojmë ngarkesën që ka sektori, duke e krahasuar edhe me rajonin”, – ka deklaruar Ahmetaj. Për këto propozime, të ardhurat në buxhet preken me 1.3 miliardë lekë. Aktualisht TAP për pagat mbi 30,000 lekë është 13%, deri në 130,000 lekë. Për një pagë mbi 30,000 lekë bruto, paguhet 1,300 lekë. Propozimi vjen për përjashtim tatimi për pagat deri në 40,000 lekë. Mes tonesh të ashpra Ministri i Financave, Ahmetaj argumentoi se kjo rritje në një vlerë të tillë sjell shkatërrimin e sistemit të të ardhurave personale si nga ana e shifrave ashtu edhe në parim. Ministri Ahmetaj tha se në ligjin mbi të ardhurat u parashikua edhe një lehtësim të barrës për dividendin. Nga ministri u propozua një ulje nga 15%, në 8% . “Na prish sistemin e ngritur për taksimin e pagave. 60% nuk paguajnë taksa. Ky është problem edhe për evazionin”, u shpreh ministri. Nga propozimet e tjera të ardhura, rezultoi se përmes projektligjeve përfshihen: Ulje e tatimfitimit për shoqëritë e bashkimit bujqësor,duke i referuar uljes TVSH-së për agroturizmin. Sipas deputeteve ulja e TVSH-së do të lehtësojë fermerët duke pasur rezultatet më konkrete në punë. Një tjetër çështje e propozuar prej tyre ishte edhe, njohja e TVSH së rimbursueshme edhe për fermerët e vegjël, duke iu dhënë një ndihmë në hapat e para të biznesit të tyre të saponisur dhe rritja e nivelit të tatueshëm. Projektligjet financiare paraqesin në mënyrë të qartë dhe të detajuar politikat tatimore që do të ndiqen gjatë vitit 2019, si në drejtim të zgjerimit të të ardhurave tatimore, ashtu edhe për nxitjen e përmirësimin e klimës së biznesit, duke mos anashkaluar edhe analizimin e risqeve dhe problematikat që mund të hasen në zbatimin e tyre.

Ahmetaj: Do të votoj kundër

Në mbyllje të komisionit, ministri Ahmetaj deklaroj se do të jetë kundër rritjes së pragur për tatimin e pagave. “Unë do të qëndroj deri në fund kundër, sigurisht unë jam vetëm një votë, por do të jem kundër ekspandimit, në këndvështrimin tim, jo racional fiskal të zgjerimit të fashës së përjashtuar. Do jem deri në fund kundër”, është shprehur ai. Kujtojmë se projektligjet e Paketës Fiskale të prezantuara përfshijnë:  Projektligji “Për disa Shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr. 9975, datë 28.07.2008 “Për Taksat Kombëtare”, të ndryshuar Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin Nr.9632, datë 30.10.2006, “Për Sistemin e Taksave Vendore”, të ndryshuar” Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin Nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për Tatimin mbi të Ardhurat”, të ndryshuar”, të cilat u prezantuan ditën e djeshme.

Skemë për të mos paguar tatim mbi pagën e lartë

Merrnin pagë 2 milionë dhe regjistroheshin si biznes i vogël për të paguar zero taksa. “Nga të punësuarit kanë dalë persona fizikë që kanë shmangur 23%. Ka një klasë intelektualësh që do ta diskutojmë në detaje, që kanë të ardhura 2 milionë euro dhe kanë përfituar nga logjika zero e tatimit e personave fizikë. E dini që ka kompani, që kanë të ardhurat 2 milionë euro dhe nuk paguajnë asnjë lekë dhe këtë do ta korrigjojmë tani”, – ka pohuar ministri i Financave Arben Ahmetaj, në Komisionin e Ekonomisë. “Me Paketën Fiskale të vitit 2019 në ligjin për Tatimin mbi të Ardhurat dhe Ligjin për Procedurat Tatimore janë bërë disa ndërhyrje që synojnë të limitojnë abuzimet me shmangien fiskale në pagat e larta. Masa e parë ul ngarkesën fiskale për të punësuarit, duke e rritur fashën e të ardhurave, nga 130.000 lekë në muaj në 150.000 lekë në muaj, që tatohen me normën 13 %. Nëpërmjet kësaj mase synohet të ulet barra tatimore për rreth 15.400 punëmarrës. Ndërsa masa e dytë përfshin disa ndërhyrje në ligjin e procedurës tatimore, të cilat i japin të drejtë tatimeve të rikategorizojnë tatimpaguesin kur ai paraqet një fytyrë të rreme të të ardhurave. Ndryshimet e propozuara në ligjin e procedurës synojnë t’i japin zgjidhje disa elementeve të shmangies fiskale që janë krijuar nga masat fiskale në fuqi. Në ndryshimet e reja ligjore sanksionohet përdorimi i mënyrave alternative të vlerësimit tatimor, kur nga administrata tatimore konstatohet se tatimpaguesi kryen veprime apo transaksione të cilat synojnë përfitimin e një avantazhi tatimor në kundërshtim me legjislacionin tatimor dhe rezultojnë fiktive mbi prova dhe fakte”, tha Ahmetaj.

Vendimi: Ish-të dënuarit përjashtohen nga ndihma ekonomike

Të gjithë personat të cilët kanë kryer vepra penale do të përjashtohen nga ndihma ekonomike. Projektligji nr.9374 “Për ndihmën shtetërore” është dërguar në Kuvend , me ndryshime të mëdha, duke i hequr të drejtën kategorisë së ish-të dënuarve për ndihmën sociale. Në këtë mënyrë persona të cilat kanë kryer këto vepra penale:  Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, organizatë kriminale, bandë e armatosur, organizatë terroriste, Korrupsion, Mashtrim, Pastrim parash ose financim i terrorizmit, Vepra me qëllime terroriste ose vepra penale të lidhura me veprimtari terroriste, ose nxitje, ose ndihmë ose mbështetje për kryerjen e veprave penale me qëllime terrorist, Organizimi, drejtimi ose financimi i veprimtarisë së prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, si dhe veprimtarisë së trafikimit të narkotikëve; Falsifikim; Puna e fëmijëve dhe forma të tjera të trafikimit të qenieve njerëzore, nuk kanë të drejtën e përimtimit të ndihmës ekonomike. Po ashtu mësohet se personat e prekur jo vetëm nga subjektet përfitues të ndihmës, të cilët janë të dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e veprave penale, të cituara në pikën 1, të nenit 4/1, të këtij projektligji, por edhe në rastet kur personi i dënuar me një vendim gjyqësor të formës së prerë është anëtar i një organi administrativ, drejtues ose mbikëqyrës apo ka kompetenca përfaqësuese, vendimmarrëse ose kontrolluese brenda subjektit përfitues të ndihmës. Në bazë të legjislacionit në fuqi, çdo subjekt përfitues i ndihmës, në kuptim të këtij ligji, që kërkon të fitojë ndihmën shtetërore, duke përfituar mbështetje dhe lehtësi, duhet të plotësojë, paraprakisht, disa kushte, të cilat ndahen në kushte ligjore, ekonomiko-financiare dhe teknike. Sipas ndryshimeve, përjashtohet nga përfitimi i ndihmës shtetërore, kur ka të dhëna se subjekti përfitues i ndihmës, në kuptim të këtij ligji, është ose ka qenë i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Tradhtia e patriotizmit

Nga Koço Kokëdhima Në të njëjtën ditë që Rama përmbysi shqiponjën “korb” në hyrje të Tiranës, Macron në Paris fliste…

Abissnet