Dastid Miluka: Letërsia si frymëzim dhe Marsel Prust në pikturën time

Foto 2 nga 1 Pas Para

Dastid Miluka, artisti bashkëkohor i arteve pamore flet për 21 krijimet e tij të ekspozuara për herë të parë në Tiranë, njëra prej të cilave “Ftesë për çaj”, frymëzuar nga Marsel Prust. Ai rrëfen pasionin e tij pikturën, mirënjohjen për vendlindjen dhe dashurinë si mesazhin qendror të veprave të tij

 Anila Dedaj

Aroma e bojës, procesi vizatimor, ambientet e gjelbëruara të Kinostudios së dikurshme që i dukeshin gjigante teksa shoqëronte të ëmën që punonte në filmin multiplikativ do të krijonin për të një botë magjike, që do të shënjonte perceptimin e tij për botën. Do ta gjente pikërisht aty burimin, që do t’i mundësonte të zbulonte një botë pamore ndryshe Dastid Miluka, e që do të zinte një vend tërësish thelbësor në jetën e tij. Piktura, për artistin bashkëkohor është një urë lidhëse ndërmjet realitetit dhe botës së tij të brendshme. “Ky pasion me kalimin e viteve vetëm sa rritet dhe bëhet akoma më i rëndësishëm”. Edhe pse prej një dekade jeton në Bruksel, për të  habitati i parë mbetet Shqipëria. Ai i është mirënjohës vendit të tij për gjithçka që i ka dhuruar nga ana artistike dhe njerëzore ndaj ka vendosur që ta bëj vendlindjen e tij edhe habitatin e parë të 21 krijimeve të pazbuluara më parë. Piktura që mbartin mesazhe të ndryshme të perceptuara nga realiteti, ëndrra, fantazia, brendësia e njeriut dhe që shkojnë drejt një burimi të vetëm. “Në qendër vendoset dashuria. Dashuria për veten. Dashuria për tjetrin. Dashuria për natyrën dhe gjithçka që na rrethon”.

Dastid, sa ka ndikuar puna e nënës suaj me filmat vizatimorë në rrugën tuaj drejt pikturës?

Mendoj që ka një ndikim esencial. Njohja me këtë botë kaq të veçantë që në fëmijëri dhe këtu nuk e kam fjalën thjesht për njohjen dhe zbulimin vetëm nëpërmjet televizionit apo kinemasë, por zbulimit në burim, pra atje ku këto filma ideoheshin dhe krijoheshin. Ishte një botë magjike e cila patjetër që do linte gjurmë dhe do ndikonte në formimin tim artistik të mëvonshëm. Më kujtohen ende sot hyrja në atë ambient, Kinostudioja e asaj kohe, gjelbërimi dhe ndërtesat të cilat më dukeshin aq gjigante. Ishte një magji më vete kontakti i parë me ato ambiente të filmit, ku gjithçka dukej sikur vinte nga një botë tjetër. Mënyra se si krijohej ose përgatitej të krijohej një film; i gjithë procesi vizatimor, ndriçimet, aromat e bojës, mjetet dhe materialet që përdoreshin do të mbeteshin në mendjen time si lojërat më të bukura që pata fatin të zbuloja asokohe. Gjithçka tingëllonte vizualisht kaq e ndryshme dhe ngazëlluese, kaq perfekte.

Çfarë vendi zë piktura në jetën tuaj?

Piktura, vizatimi dhe i gjithë procesi i krijimit ka një vend tërësisht thelbësor në jetën time. Mund të shtoj që me kalimin e viteve hapësira që ky pasion zë vetëm sa rritet dhe bëhet akoma më i rëndësishëm. Është mënyrë komunikimi dhe kontakti që vendos me botën që më rrethon. Është një urë lidhëse që vendoset ndërmjet kësaj bote përreth dhe botës sime të brendshme. Është një proces i tërë zbulimi dhe njohjeje. Është njohje e pjesëve esenciale të vet jetës. Piktura më jep mundësinë e ndarjes së kësaj pjese tepër intime me të tjerët.

Jetoni prej vitesh në Bruksel, në aspektin artistik  çfarë ju ofron ky vend më shumë se Shqipëria?

Shqipëria më ka dhuruar shumë, duke nisur nga ç’ka prekëm pak më sipër, pjesa e fëmijërisë, e zbulimit dhe çdo gjë tjetër të bukur, që ka lidhje me atë pjesë burimore, aq të rëndësishme për formimin tim si njeri dhe si artist. Ndërkohë, Brukseli më dha mundësi të njoh dhe të prek nga afër ato gjëra esenciale të cilat nuk pata mundësinë t’i njihja  në atë kohë. Vlerat e krijuara artistike, zbulimi dhe njohja me krijues të mëdhenj, njohje më e gjerë e kulturave të tjera por po ashtu dhe ballafaqimi me ta. Më ka mësuar po ashtu aspekte esenciale, që për një artist mendoj se janë absolutisht tepër të rëndësishme. Më ka dhënë mundësinë të prek ç’ka asokohe unë thjesht e kisha ëndërruar.

Piktura juaj duket se qëndron e distancuar nga realizmi, si ka evoluar ajo në kohë?

Ka ardhur gradualisht, në etapa dhe e shtrirë në kohë. Realizmi më ka mësuar shumë, por mendoj se vjen një moment kur çdo artist kërkon mjete personale dhe individuale komunikimi. Për mua komunikimi është synimi kryesor tashmë dhe vet kjo të çon në përzgjedhjen e mënyrës dhe mjetit që duhet përdorur. Nëse realizmi më ka mësuar gjuhën komunikuese figurative, gjetja e gjuhës personale dhe shndërrimi i saj në gjuhë me alfabet germash dhe imazhet të cilat tregojnë një histori, kalon në plan të parë. Realizmi është shkollë por çdo artist. Mandej, sapo del nga kjo shkollë mendoj se duhet të kërkojë unicitetin dhe gjuhën e tij individuale artistike, qoftë kjo dhe realiste por çfarë ka rëndësi është që të gjejë gjuhën me të cilën identifikohet dhe shprehet më mirë artistikisht.

Keni një proces të caktuar krijimi? Si lind një pikturë e Dastidit?

Nuk më pëlqen të jem i strukturuar. Mendoj se është tepër kufizuese kjo në çdo profesion, e aq me tepër në art. Mundohem të jem gjithë kohën i hapur, për ide të reja dhe zbulime të reja. Mundohem të marr inspirim dhe të ngacmohem emocionalisht çdo ditë. Mendoj se për artistin është proces i rëndësishëm dhe fillestar i punës kjo pjesë e marrjes së informacionit nga e përditshmja. Është informacion i cili do vijë dhe do përkthehet më vonë në krijim artistik. Nga kjo mund të lind një ide, e cila të jep fillesën e një rrugëtimi tjetër në telajo apo letër. Më pas është vetë ky krijim që të drejton, të tregon dhe të kërkon detajet e pjesët e munguara të tij, të cilat bëjnë të mundur shpërfaqjen e një kompozimi të plotë dhe realizimi të një vepre. Surpriza është po ashtu shumë e rëndësishme në art. Nëse një krijim artistik nuk më surprizon mua fillimisht, nuk ka se si ta bëj këtë me të tjerët që do e zbulojnë më pas, me artdashësit.

Cilat janë teknikat që përdorni në punët tuaja? Po ngjyrat  çfarë vendi zënë?

Teknikisht preferoj bojërat e akrilikut dhe vaj për krijimet në telajo, por edhe bojëra të ndryshme (kine, flamaster, laps, pastel, guash, tempera) dhe teknika mikse për punimet në letër. Kam një teknikë e cila punohet në etapa të ndryshme dhe shkon në shtresëzimin e disa teksturave dhe kjo merr një kohë të caktuar por rezultati është surprizues dhe ngjyra me efektet e saj merr vend kryesor. Ngjyra është muzika e imazhit piktural. Ajo rrëfen dhe shpreh emocion, nëse është e vendosur dhe e shtrirë bukur në telajo. Është mjeti i pikturës dhe nota komunikuese e saj. Pa nota s’mund të ketë muzikë. Pa fjalë s’ka letërsi. Ashtu sikundër, pa ngjyrë nuk mund të ketë pikturë.

“Habitati dhe hapësira midis”, mban piktura që ju i ekspozoni për herë të parë… Pse menduat se Shqipëria do të ishte “habitati” i përshtatshëm për “të zbuluar” këto punime?

Për mua çdo gjë fillon aty, habitati im i parë është Shqipëria. Është fillesa dhe nuk kishte se si mos bëhej për herë të parë këtu. Në fakt prej kohësh e shikoja një ekspozitë në Tiranë, por fatmirësisht gjeta bashkëpunëtorët e duhur të cilëve u jam mirënjohës për punën dhe profesionalizmin në të gjithë pjesët e organizimit të ekspozitës.
Jo më kot ekspozita u vendos në një ambient të ndërtuar në vitet ‘94, pra i realizuar gjatë një periudhe tranzicioni dhe me një arkitekturë të mbështetur në arkitekturën tradicionale shqiptare. Është një udhëtim në kohë. Një kohë reale dhe një kohë ëndrre. Ekspozita “Habitat dhe hapësirat ndërmjet” është e vendosur në një hapësirë, e cila të mban pezull ndërmjet një realiteti dhe ëndrre. Një realiteti siç është emigrimi, të cilin një pjesë e madhe e shqiptarëve e përjetuan, pjesë e të cilëve jam dhe unë. Si dhe një ëndërr, e cila për mua nis në ato ambiente të fëmijërisë dhe që më sjell përsëri këtu, në një habitat-oaz. Hapësirë e vendosur aty ndërmjet. Hapësirë ku ëndrra dhe realiteti takohen. Është një zbulim i integrimit në një hapësirë unike i 21 krijimeve të cilat dalin për herë të parë në publik dhe që do t’ua sugjeroja të gjithë miqve, të njohurve dhe artdashësve të mi në Tiranë.
Ekspozita do jetë pritëse të gjithë muajin e shtatorit.

“Ftesa” e Marsel Prustit për çaj është një indikacion, por  sa vend zënë fantazia dhe ëndrrat në veprat tuaja?

Ashtu si në rrëfimet e Marsel Prust, ku paraqitja e “rrymave të koshiences” vjen në plan të parë ashtu si dhe përsëritja e lidhjes konstante  ndërmjet perceptimit dhe memories, fare lehtësisht mund të gjendet një paralelizëm i tillë dhe në krijimet e mija. Kombinimi ndërmjet realitetit në njërën anë dhe fantazisë dhe ëndrrës në anën tjetër, zë një vend qendror në gjithë krijimtarinë time.  Ëndrra shndërrohet këtu në një element simbolik ku detajet shërbejnë si çelës për zbërthimin e asaj pjese shpesh herë të pakuptueshme të realitetit, duke përdorur pikërisht elemente që nga subkoshienca na vijnë të koduara nëpërmjet saj. Ajo ç’ ka e bën edhe më interesante është mënyra individuale që çdokush nga ne mund ta zbërthejë dhe njohë ndërtimin e një historie të caktuar, të shprehur këtu vizualisht. Është një botë vizuale kjo në të cilën gjendem aktualisht i fokusuar.

Si e shndërroni letërsinë në pikturë? Cilat janë burimet e tjera të frymëzimit për ju?

Nëse kthehemi sërish tek perceptimet, mund të them se na ndodh shpesh që kur lexojmë një roman apo një vepër letrare fillojmë dhe krijojmë në mendje personazhet, veshjet, ambientet në të cilat këto personazhe  janë të vendosur, pra me pak fjalë krijojmë një realitet vizual. Mua më ndodh shpesh dhe, në momente të caktuara nxjerr prej memories dhe fantazisë së krijuar imazhe të tilla dhe i bëj të dukshme duke përdorur detaje, të cilat çlirojnë, ose japin një lloj indikacioni për të përkthyer anën emocionale të atij momenti preciz madje edhe të gjithë veprës, nëse bëhet fjalë për një moment kryesor të saj. Letërsia në këtë aspekt shndërrohet në një frymëzues direkt i mi sikurse edhe muzika apo edhe natyra. Frymëzimi mund të vij ngado dhe të me gjejë edhe nëse unë vetë nuk e kam atë si qëllim në vetvete.

Një vajzë në kabinë të hapur, dhe një unazë përtokë…  “Sumire”, personazhi që Haruki Murakami e vërtit rreth dashurisë dhe pritshmërisë së njerëzve, si erdhi në pikturën tuaj?

Gjithnjë letërsia dhe veçanërisht zbulimi i këtij autori ishte një tjetër revelacion për mua, pasi gjeta aty një tjetër mënyrë komunikimi, një mënyrë të cilën unë vetë e perceptoja si të tillë dhe përpara se ta zbuloja të shkruar. Gjetja e personazheve si ky i romanit të Murakamit në romanin “Sputnik Sëeetheart” apo edhe personazheve në libra të tjerë të tij, si dhe zbulimi i gjithë botës së tyre të brendshme i vendosur në realitete tejet të veçanta, e bën edhe më të fuqishëm mesazhin që përcillet prej gjuhës shprehëse të tyre. Ka një lojë ndërmjet ëndrrës dhe reales e cila të jep mundësinë të udhëtosh drejt një realiteti magjik dhe aty të gjesh pjesë të rëndësishme, si dhe shumë personale të cilat vijnë dhe shpalosen, herë më qartë e herë më e turbullt. Për mua është një udhëtim i tërë nga fillimi në fund, në një vend ku fillimi dhe fundi takohen në një dhe më pas shpërndahen për të rifilluar nga e para. Është një gjuhë artistike kjo, e cila fare lehtë shihet edhe në punimet e mija dhe që vjen si pjesë e rëndësishme inspiruese dhe komunikuese.

Miti i femrës fatale. Çfarë e bën të veçantë Salomen e Dastid Milukës?

Salome është një tjetër figurë, e cila na vjen që nga bibla, pra nga gjeneza dhe ku karakteri i saj ka qenë shpesh subjekt krijimesh artistike. Në fakt unë e sjell në një mënyrë tjetër ku “loja” zhvillohet ndërmjet dimensioneve dhe relacionit që krijohet ndërmjet figurës së saj dhe atij të kokës së Shën Baptistit. Është një moment i aktit final nga kjo histori. Sërish është një krijim i cili vjen në një mënyrë tjetër narrative për të shpërfaqur  një histori tashmë të njohur por që këtu merr një dimension më intim dhe shfaq një prekje më personale.

Sa pikura mund të realizoni gjatë një viti? U riktheheni punëve tuaja?

Të them të drejtën nuk e di sa piktura realizoj pasi asnjëherë nuk e kam menduar t’i numëroj. Gjithsesi janë krijime të cilat vijnë në teknika të ndryshme, qofshin këto piktura në telajo apo vizatime dhe teknika të tjera mikse dhe, mund të them se ka një numër të konsiderueshëm. Gjithsesi për mua merr më tepër rëndësi cilësia e këtyre punimeve dhe ideja që ato mbartin e jo aq sasia e tyre. Po, ka ndodhur dhe që t’i rikthehem punimeve. Ndodh madje që punime t’i lë enkas mënjanë për një kohë të caktuar me qëllim që t’i kthehem dhe te kem mundësi t’i shoh me një tjetër sy, më të freskët apo dhe më kritik.

Cilat janë mesazhet kryesore në thelb të krijimtarisë suaj artistike?

Krijimtarinë time e shoh si një rrugëtim dhe çdo punim një pjesë të saj. Janë rrugë të cilat ndalojnë në stacione dhe në këto ndalesa fiksoj atë pjesë të përshkuar, në atë kohë të caktuar. Ka pjesë në të cilat përshkruaj në mënyrë figurative njeriun dhe brendinë e tij. Marrëdhënien me veten dhe me tjetrin. Në të tjera shoh natyrën dhe mesazhet që ajo na përcjell. Marrëdhënia jonë si qenie njerëzore me të. Kam krijime ku paraqes problematika të cilat fare mirë mund t’i hasë gjithkush në jetën e përditshme. Janë të pasqyruara dhe të sjella në imazh dhe kjo për të krijuar momente njohje dhe reflektimi. Mesazhet mund të jenë të ndryshme dhe çdo punim vjen me një të tillë. Por në fund të gjitha të çojnë në një mesazh qendror. Në qendër vendoset dashuria. Dashuria për veten. Dashuria për tjetrin. Dashuria për natyrën dhe gjithçka që na rrethon. Është mesazh themelor për të cilin kemi aq shumë nevojë në këto kohë që jetojmë, prandaj mendoj se duhet të duam dhe aq sa të mundemi.

Cila është filozofia që ju ndihmon për të jetuar jetën me optimizëm?

Vetë mënyra e të parit të jetës nëpërmjet filtrave të artit është në tërësinë e saj një filozofi optimiste. Ndarja e ideve, mendimeve dhe emocioneve me të tjerët është mënyrë që ndihmon në formimin e kësaj filozofie ditë pas dite. Vendosja e fokusit tek pjesa pozitive dhe përfitimi i pjesës më të mirë të saj, qofshin këto dhe pjesë të vogla, pasi vetë jeta është e ndërtuar më shumë pjesë të tilla. Mbi të gjitha duhet të ndihemi të dashuruar me gjithçka që na jep kënaqësi, që na bën produktiv dhe që na ndez atë flakën e vogël në shpirt. Në fund të fundit ne jemi këtu me një qëllim dhe ky qëllim është vetë jeta.

 

 

 

 

Të tjera

Abissnet