Dashurie Hoxha: Kam punuar aq gjatë dhe më duket aq pak

Karriera dhe jeta e një oficereje, nga dyert e gjykatës në ato të Policisë së Shtetit. Juristja që ia kushtoi profesionin ndjkjes së dhunës në familje. Sfidat, amaneti i të atit dhe ‘pendesa’ për kohën që nuk kthehet

 Arnela Avdiaj

Ishte data 12 tetor e vitit 1964, kur familja Hoxha do të bekohej, pas pesë djemve, me një vajzë, që për ta nuk ishte gjë tjetër veçse Dashuri, siç edhe vendosën ta quanin. Emri, në fakt, ndiqej nga një histori, të cilën ajo e rrëfen siç ia kanë treguar: “Në familjen time strehohej një familje oficerësh dhe kur mamaja ime ngeli shtatëzënë me mua gruaja e oficerit i tha se “nëse do të lindësh gocë, emrin do t’ia vendos unë’. Kur linda unë, ajo i ka thënë mamit tim që emrin do e ketë Dashuri, sepse ke lindur pesë çuna dhe një dashuri të madhe pas tyre”.

Dashuria lindi në fshatin Bicaj të Kukësit, ku do ndiqte shkollën fillore dhe atë të mesme. Pas mbarimit të gjimnazit ajo nisi punë te Ndërmarrja e Furnizimit të Punëtorëve (NFP), dhe më pas, në vitin 1993 do të futej brenda dyerve të Gjyaktës së Rrethit Gjyqësor Kukës, në pozicionin e sekretares. “Gjatë punës time në Gjykatë, mësova shumë për kodet penale, kodet civile, dhe në të gjitha drejtimet” tregon ajo. Në vitin 1999 ajo do të vazhdonte studimet universitare në Fakultetin Juridik, në Shkodër, ndërkohë që punonte dhe  në Gjykatë.

“Gjatë kohës që isha në gjykatë,  në vitin 2003 u diplomova juriste dhe me datë 5 maj 2006 më  njofton kryetari i gjykatës në atë kohë, Granit Qypi, që duhej të paraqitesha  te Drejtoria e Policisë së Qarkut, se më kërkonte drejtori i policisë. Mua, nga gëzimi, rruga nga gjykata deri te policia mu duk sikur kalova pragun e derës dhe menjëherë takova drejtorin, i cili më uroi suksese në detyrën e re duke më thënë se kjo punë është e vështirë pasi do të punosh ditë edhe natë. Por unë u lumturova shumë që mu dha kjo mundësi dhe para se të largohesha nga zyra e drejtorit ai më bisedën që kishte pasur me kryetarin e gjykatës dhe i kishte thënë që Dashuries i ka dalë urdhëri për të punuar në polici. Ai i ishte kthyer duke i thënë që më keni marrë një nga punonjëset më të mira. Asaj nuk i mungojnë asnjë nga cilësitë që i duhen një femre”, rrëfen ajo teksa buzëqeshja e shoqëron pas çdo fjale që thotë.

Duke qenë e vetmja femër me gradën Oficere në Qarkun e Kukësit, me datë 6 gusht 2008 del urdhëri ku ajo u emërua si specialiste për mbrojtjen e të miturve dhe dhunës në familje. Sytë i shkëlqejnë teksa tregon me krenari për pozicionin që mban dhe punën që ajo bën.

“Jam shumë krenare që e bëj atë punë me dëshirë dhe jam specializuar për këtë fushë. Nuk ka lumturi më të madhe për mua kur pikërisht ata që kanë më shumë nevojë për një mbështetje drejtohen tek unë dhe ju jap zgjidhje”, shprehet ajo e lumtur.

Dëshira e saj për këtë punë nuk lindi pasi u fut aty, përkundrazi ajo e kishte këtë dëshirë që para shumë kohësh, që kur ishte në gjykatë sikur “diçka” e thërriste që t’i bashkohej Policisë së Shtetit. Kur kjo mundësi i erdhi, lumturia e saj ishte e papërshkrueshme. Dashuria, duke qeshur, tregon se në ato momente ndjehej sikur ishte bërë me krahë dhe kishte fluturuar.

Ajo ka bërë shumë trajnime e specializime jo vetëm për mbrojtjen e të miturve dhe dhunën në familje, por edhe për shumë çështje të tjera. “Jam shumë e lumtur, ndihem gjithmonë e më afër komunitetit. Bëj maksimumin që t’ua zgjidh sa më shumë problemet që kanë”, ndërsa vazhdon më tej dhe rrëfen, “Kam qenë ndihma e parë e tyre në rastet e dhunës në familje dhe jam munduar në maksimum që gratë të mbrohen nga ligji”.

Dashuria shprehet shumë e lumtur që rastet e denoncimit të dhunës në familje janë shtuar, çfarë tregon sipas saj që njerëzit janë ndërgjegjësuar, por ajo është e sigurt që ka shumë raste dhe që nuk denoncohen për arsye nga më të ndryshmet.

Fakti që qytetarët priten nga një femër e ka bërë më të lehtë, sidomos për femrat që shkojnë dhe denoncojnë të cilat e shprehin dhe vetë teksa i thonë “Shyqyr që je ti dhe ne vijmë e denoncojmë dhunën, se këtë dhunë e kemi pasur me kohë e nuk kemi pasur sigurinë të vinim ta denonconim sepse kishim atë ndrojtjen që përballë do të kishim një mashkull”, tregon ajo.

Ajo që e lumturon më shumë Dashurinë është fakti që nuk ka pothuajse fare raste të dhunimit të fëmijëve, gjë që sipas saj është më e mira pasi, është një peshë shumë e madhe për një fëmijë ta përballojë dhunën dhe të vazhdojë përpara pasi ajo ka ndodhur.

Sytë e saj të gjelbër nuk e fshehin dot emocionin dhe sigurinë që ajo ka në vetvete teksa më tregon përse e zgjodhi këtë profesion, “Gjithmonë kam dashur të bëhem oficere, që të jem ajo femër e cila e mbron dhe e mbështet femrën. Kam dashur që në një farë mënyre t’i përfaqësoj femrat”.

Dashuria nuk njeh lodhje në punë, pasioni që ajo ka për punën që bën, i largon çdo lodhje fizike dhe psikologjike. Nuk e ka problem se kur apo ku do e thërrasin, ajo është gjithmonë e gatshme të jetë aty ku komuniteti ka nevojë për të.

Ajo flet me shumë krenari për punën që bën, që realizoi ëndrrën e vet dhe të gjithë familjes, që donin që ajo të ishtë një ditë pikërisht ajo që është sot, një oficere policie. “E kam ëndërruar këtë që kam sot. Doja të bëhesha një femër me integritet, jam e lumtur që sot e them me bindje të plotë që jam një e tillë”, rrëfen ajo plot pasion.

Një punë si e Dashurisë normalisht që ka dhe nevojë për pak “relaks”, duke qenë një punë me shumë ngarkesë psikologjike. Por ajo shprehet se është strikte në menaxhimin e gjërave dhe kohës, kështu që e gjen kohën për punë, argëtimin e të gjitha. Jo gjithmonë janë në proporcion të drejtë siç thotë ajo, por e rëndësishme është që të mos pendohesh për asgjë në ditën që do lësh pas. “Është shumë e lehtë të përshtatesh në këtë profesion, nëse e ke me dëshirë të madhe që të bëhesh një punonjëse e policisë dhe e merr me kënaqësi. Është profesioni më i mirë për një femër”, ndërkohë që nuk nguron të thotë se çdo femër duhet të ketë kënaqësinë të punojë në Policinë e Shtetit sepse figura e saj në këtë institucion sjell një imazh tjetër.

Kur pyetet për momentin më të bukur, thotë se duhet ta mendojë që ta kujtojë fiks, por nuk vonon shumë dhe rrëfen: “Momenti më i bukur ka qenë kur unë kam hyrë e veshur me uniformën e ceremonialit dhe kolegët më kanë thënë ‘Sa shumë që të shkon uniforma’. Kam ndjerë kënaqësinë më të madhe”, teksa shton duke qeshur se ngaqë i shkonte e kishte zgjedhur pikërisht këtë profesion e jo ndonjë tjetër.

Pjesa më e vështirë për një specialiste të dhunës në familje është normalisht dëgjimi dhe njohja me raste nga më të ndryshmet, të njohësh nga afër dhunën dhe dhunuesit që shpeshherë nuk shprehin as pendesë. Kjo nuk është aspak e lehtë. Këto histori “të ndjekin nga pas” edhe pasi ti e lë punën dhe shkon në shtëpi, por sipas saj lumturia e atyre që i kërkojnë ndihmë është shpërblimi më i mirë për gjithçka që ajo ka bërë.

“Kam punuar në dy institucione të vështira, sepse edhe në gjykatë kishe më parë vepra nga më të ndryshmet në gjykim, por si duket nga ajo mora zemër dhe më pas përfundova në polici”- thotë ajo duke qeshur.

Dashurisë i kanë mbetur në mendje fjalët që i ati i ka thënë pasi u bë oficere: “Kujdes, sillu mirë me kolegët, sepse je oficere policie dhe do të tregosh kulutrën e familjes” dhe është e lumtur që e ka çuar në vend amanetin e të atit.

“Jam shumë krenare për gjithçka që kam arritur”

Rrugëtimi i 55-vjeçares së ‘martuar’ me profesionin e specialistes  për dhunën në familje nuk ka qenë aspak i lehtë. Profesioni i oficeres së policisë ka edhe vështirësitë e veta dhe shpeshherë ajo përballet dhe me ndonjë fjalë fyese në përditshmëri, të cilat ka zgjedhur t’i kalojë me një buzëqeshje, që mund të cilësohet si “arma” më e fortë e saj, pasi duket se pikërisht me buzëqeshje ka përballuar e kaluar gjithçka që fati i ka rezervuar.

Dashuria me bindje të plotë më thotë se nuk kam pasur asnjë moment të vetëm ku ajo të ketë menduar të heqë dorë. Për një moment buzëqeshja që e shoqëronte gjatë gjithë bisedës që bëmë “u venit” kur kujtoi që i ishte afruar viteve të pensionit, i cili kishte ardhur kaq shpejt. Ajo është e gatshme të punojë në cilindo sektor të Policisë së Shtetit, por asnjëherë në një fushë tjetër.

Asaj gjithë motivimi për ta bërë punën i buron nga dëshira e madhe që ka për këtë institucion dhe për pozicionin që mban. “Jam një punonjëse policie dhe e bëj me shumë pasion punën time. Jam shumë krenare për gjithçka që kam arritur deri tani”, tregon ajo.

Kanë kaluar shumë vite që nga dita që ajo është futur në dyert e Policisë por për të ka qenë një rrugëtim i shkurtër, pasi sipas saj do donte që t’i jepte akoma më shumë këtij institucioni dhe komunitetit. “Kam punuar aq gjatë, dhe më duket aq pak, edhe pse vazhdoj punoj akoma këtu, prapë më duken shumë pak dhe nuk dua as të mendoj largimin nga policia”-rrëfen Dashuria.

Ajo gjithë energjitë që ka do që t’ia japë Policisë së Shtetit dhe këto 14 vite i krahason me 14 ditë, pasi kënaqësia që i ka dhënë ky profesion nuk ja ka lënë në asnjë moment peshën e punës t’i bjeri mbi supe.

Në fund, me buzëqeshjen e pandashme nga fytyra, Dashuria jep një mesazh për të gjitha vajzat dhe gratë “Mos u merrni me mentalitete dhe paragjykime, femrat duhet të bëjnë atë që duan sepse nuk ka forcë më të madhe se një femër që do me të vërtetë të arrijë diçka”.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Lapërdhosja e shtetit

Rezart Prifti Këto ditë të bukura Tetori në Shqipëri diskutohet si përherë për surealen, për të paprekshmen, për atë që…

Abissnet