Darka e fundvitit, jo vetëm gjel deti dhe bakllava

Publikuar më 30. 12. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Xhensila Demollaj

Tirana, Kukësi, Korça dhe qytete të tjera vijnë këtë vit të ri jo vetëm me gjel deti

Cili është ushqimi tradicional i qyteteve në vendin tonë? Amfisat tregojnë recetat. Shpenzimet për mbrëmjen e fundvitit dhe destinacionet më të leverdisshme për udhëtim në kohë festash

Shumica e qytetarëve shqiptarë, ashtu si çdo vit tjetër mendojnë për ushqimin. Në listën e shpenzimeve kryesore, duke përfshirë këtu mënyrën tradicionale të përgatitjes së tavolinës, janë gjeli apo pula e detit, bakllavaja ose kadaifi, llojet e supave të zakonshme për tryezat shqiptare, byrekët, përzierja e gatimeve shqiptare me ato të huaja, si dhe pijet, asortiment pa të cilën nuk mund të konceptohet darka e ndërrimit të viteve. Pijet më të parapëlqyera janë birra, vera, rakia, si dhe vitet e fundit është bërë pjesë e listës edhe shampanja. Kjo pije, sipas zakoneve të importuara nga vendet e tjera sjell fat, nëse hapet në orën 00:00. E pavarësisht shpenzimeve dhe parave që dalin herë me dhimbje e herë me qejf, të gjithë nxitojnë t‘i thonë njëri-tjetrit “gëzuar, një vit të mbarë”, edhe pse më 1 Janar ndonjëherë numërohen vetëm monedhat e mbetura metalike.

Përshesh me gjel deti edhe bakllava

“Ne nga Myzeqeja, për natën e Vitit të Ri e kemi pasur traditë gjelin e detit”, thotë Ervehe Pëllumbi, 45-vjeçe, e cila tregon për “Shekulli”-n se çfarë do të shtrojë në darkën e fundvitit për familjen e saj. “Darkën e fundvitit si të gjithë shqiptarët përpiqem ta bëj brenda tradicionales. Do të kemi përshesh dhe gjel deti. Po ashtu, në zonë kemi edhe gica shumë të mirë që i mbarështojmë vetë, kështu që nuk do të mungojë as kjo pjesë. Im shoq është një kuzhinier i zoti kur bëhet fjalë për mishin”, thotë me humor 45 vjeçarja, teksa vijon të na tregojë për darkën e fundivitit. Krahas mishit do skuq edhe patate. Nga ana tjetër do të përgatis edhe mezetë, që shkojnë shumë me rakinë. Kështu tavolina do ketë sallatat mikse të shoqëruara me sallame, ose qofte dhe xaxiqe me ullinj dhe vaj ulliri me në mes patatet e skuqura. Do ketë roston, përsheshin me gjel deti dhe për ëmbëlsirë do kemi bakllavanë. Nuk do të mungojnë as frutat. Për të pirë do marrim nga të gjitha, pije të gazuara, birra dhe verë”, përfundon zonja Ervehe.

Paidhaqe, kadaif edhe mish gici

Në Korçë, duket se nuk është traditë mishi i gjelit të detit. Diana Alushi na tregon se zona e juglindjes preferon më tepër mishin e qingjit. Për të mos iu larguar tradicionales, në ëmbëlsirë bëjnë bakllava, për të cilën ajo thotë se dikur përgatitej nga gjithë nuset e fisit. “Ne nga Korça nuk është se e kemi pasur traditë gjelin e detit, zakonisht pjekim paidhaqe dhe gatuajmë mish gici. Dikur gjithë darkën e përgatisinin nuset e fisit. Bënin dollmë dhe vinin mish. Por, më tepër preferohet mishi i qingjit, ose në hell ose në furrë. Mbajmë edhe ndonjë pulë tek tuk. Tradicionale tek ne nuk është gjeli i detit. Ndërsa, mishi i derrit bëhet kaurma në qyp të mbyllur, duke e bërë copa copa dhe e skuqnin, ndërsa dhjamin që shkrihej e fusnin atje dhe e hanin. Kur bëhej, e bënin në copa dhe i hedhin erëza. Bëjmë kulaç, po ashtu bërxolla ose paidhaqe. Në tavolinë do jenë aq shumë gjëra saqë s’do na bjerë t’i hamë të gjitha por kjo darkë është festive kështu që i takon”, tregon ajo.

Përshesh, qofte dhe fërgesë

Drita 55 vjeçe, është tiranase. Ajo ka punuar prej vitesh në kuzhinë, por tanimë zotëron një dyqan të vogël ushqimor. Megjithatë, nuk e lë asnjëherë punën kur vjen fjala te gatimi. Për darkën e fundvitit, Drita shpjegon se kryeqytetasit, kryesisht konsumojnë përsheshin dhe gjelin e detit, por në tryezë nuk mungon fërgesa dhe qoftet me erëza. “Normalisht darkës sonë nuk do t’i mungojë gjeli i detit. Por krahas tij do kemi qoftë, të cilat do ti gatuaj me një shumllojshmëri erëzash, qepë, hudhra dhe verë.  Gjithashtu, do të kemi edhe fërgesë. Përtej këtyre nuk do mungojnë sallatat e ndryshme, sallata ruse apo fshati. Do kemi një pjatë rizoto me stika pishe dhe pije të shumta qoftë an-alkoolike ashtu edhe alkoolike. Darka do jetë diçka e thjeshtë si zakonisht. Do ketë sallatat, do ketë mishin e gicit me patate. Nga ana tjetër do kemi edhe mish qengji, pak a shumë një shumëllojshmëri mishi. Ndërkohë do kemi edhe përsheshin që do gatuajmë me lëngun e pulave si dhe kadaifin”.

Fli dhe sarma me mish të grirë

“Këtu në Kukës bëhet sarma-bëhet me mish të grirë. Mund të bëjmë pilaf me mish, ose fli, që është specialitet që përgatitet në mbarë Kosovën dhe vendet tona sidoqoftë me variacione rajonale. Brumi i flisë duhet të piqet rëndë, individualisht me saç të nxehur në prush. Pasi që derdhet një rend i brumit në tepsi, mbi të duhet të vendoset saçi i nxehur. Çdo rend i flisë duhet të lyhet përsipëri me mazë të shkrirë.  Flija servohet me kos, turshi, djath, mjaltë, pestil.  Ndërsa, pjesa tjetër janë mezet. Jo biftek, ndonjë qofte dhe thuajse gjithë perimet dhe turshi, ullinj, djath e vezë po ashtu. Pastaj dhe pijet alkoolike janë pjesë. Në lokal do na shkonte 20 mijë lekë, ndërsa në shtëpi mund të na kushtojë me gjithë përgatitjet te 30 mijë lekë të reja dhe kjo. Por, të paktën i ke te shtëpia”, thotë Barie Hoxha.

Guidë, ku t’i kaloni festat e fundvitit

pushime të “bardha” ose “det dhe rërë” Janë pushimet simbol të viteve ‘80. Ski dhe gështenja të pjekura pranë zjarrit të oxhakut të ndonjë resorti. Në Shqipëri, qyteti Juglindor Korça dhe në rajon Maqedonia, Mali i Zi, por edhe Kroacia vazhdojnë të jenë destinacionet ku shqiptarët shkojnë më shumë. Pjesa më e madhe i zgjedhin që të kalojnë Vitin e Ri, pasi edhe kultura e argëtimit është thuajse e njëjtë, ushqim dhe aheng deri në mëngjes. Por, ka edhe disa arsye të tjera që i bëjnë shqiptarët të rendin pas Maqedonisë apo Malit të Zi, si çmimet më të lira, afërsia, por edhe koha e pakët në dispozicion. Edhe për evropianët, pushimet e “bardha” janë kthyer në një tendencë të vërtetë, veçanërisht në vende si Polonia e Rusia.

Agjencitë shqiptare për këtë sezon kanë menduar që të ofrojnë paketa vërtet ekonomike, që nisin nga 99 euro. Janë kryesisht të rinjtë dhe zyrtarët ata që kryesojnë toplistën e klientëve, që preferojnë më shumë aventurat mbi borë. Kolashini, Bitola dhe Mavrova janë opsionet më të “klikuara” për të hequr stresin, duke bërë ski. Ofrojnë panorama të pabesueshme ku mund të lundrosh në bardhësinë e borës, kampingje të posaçme, por edhe seanca relaksi në sauna e masazhe. Çdo destinacion ka zonat që ofrojnë jo vetëm ski, por edhe patinazh. Ndërrimi i viteve pritet në një atmosferë të nxehtë në ritmet e muzikës sllave edhe menyja është e pasur.Ndër ofertat që vijnë në kryeqytet direkt nga vendet e ftohta nuk mungojnë as Praga, Dubrovniku apo Ljubjana, ku për secilin qytet ofrohet një tur treditor, ku tarifa e festës nis edhe nga 189 euro.

Parisi, ju mjafton të zgjidhni. Krishtlindje apo Vit i Ri, destinacionet tashmë reklamohen nga të gjitha agjencitë e udhëtimit. Një tjetër alternativë është udhëtimi Paris-Bruksel, 5 ditë, 559 euro, përmes aeroportit të Podgoricës. Ndërsa Viti i Ri në Paris kushton 759 euro për 6 ditë, fluturim direkt Tiranë-Paris. Pagesa për darkën e Vitit të Ri është 125 euro.

Dubai, Viti i Ri në Dubai dhe Abu Dhabi, për 6 ditë, kushton 895 euro. Për të shkuar në vendet e ngrohta do të kaloni në Beograd, ku përfitoni të vizitoni disa objekte të veçanta si muzeun 25 Maji, apo dy stadiume me emër. Stambolli, qyteti i cili me forcën e tij mbante lidhur dy kontinente, në një krah Azinë dhe në tjetrin Europën, ai që ndryshe quhet kryeqyteti i kryeqyteteve. Ai mbetet ndër qytetet më të mëdha tregtare me shumë mundësi zgjedhje, sipas operatorëve turistikë. Kush ka destinacion këtë qytet nuk mund të mos vizitojë Xhaminë Blu, Pazarin, Urën e Bosforit dhe Shën Sofinë. Udhëtimet 3-4-ditore në ndërrimin e viteve në këtë qytet ju kushtojnë 300-400 euro për person.

Sa shpenzojmë për darkën e Vitit të Ri

Shpenzime të mëdha për natën e Vitit të Ri. Kjo për të gjithë qytetarët, si për ata që kanë mjaftueshëm të ardhura, ashtu edhe për të tjerët, të cilët me sakrificë shumë të madhe arrijnë të mbushin më shumë se zakonisht tryezën, gjatë natës së ndërrimit të viteve. Nëse do të përllogarisnim darkën e fundvitit në shtëpi, amfisat thonë se do të vërehej se nuk ka shumë diferencë me ushqimin që konsumojmë jashtë, por cilësia dhe dora e shtëpisë sipas tyre, nuk ka të paguar. Një gjel deti mesatarisht kushton 4000 mijë lekë, e ndërsa përsheshi së bashku me pjekjen amfisat e llogarisin te 300 lekë. Të tjera janë shpenzimet për pjatat e dyta. Një pjatë e parë antipastë, së cilës nuk i mungon mishi fileto ose biftek që shkon te 700 lekë për person. Më tej, në tryezë duhet të jetë patjetër sallata ruse, mbretëresha e tavolinës, që ka një kosto te 200 lekë.

Edhe ëmbëlsira tradicionale e bakllavasë, duke përfshirë të gjitha “harxhet”, kushton të paktën 2 mijë lekë të reja. Sipas një llogaritjeje të thjeshtë matematikore, pijet, zarzavatet, frutat, llojet e mishrave, peshku, apo përgatitja e pjatave speciale për darkën e ndërrimit të viteve, kushton afërsisht 4 mijë lekë të reja për person duke përfshirë edhe pijet. Ndërsa, restorantet në veri apo në jug të Shqipërisë kanë nxjerrë në treg oferta për të gjithë ata që duan të kalojnë ndryshe Vitin e Ri. Më të kërkuarat mbeten gjithmonë lokalet, restorantet dhe pubet në qendër të Tiranës. Për të kaluar natën e Vitit të Ri në restorantin e një hoteli me 4 apo 5 yje të kushton nga 8 mijë lekë deri në 15 mijë lekë të reja për person. Sigurisht, oferta mund të ketë të përfshira edhe shërbime ekstra, për të cilat duhet të paguash më shumë.

Po ashtu, që të rezervosh pas orës 00:00 në një lokal apo pub të duhet të paguash për person nga 5 mijë deri në 10 mijë lekë të reja. Këtu, duke përfshirë vetëm pijet. Dhe veç darkës së Vitit të Ri, duhet t‘i shtosh listës së shpenzimeve edhe pagesat për rezervimet pas mesnate. Por jo vetëm kaq, me rastin e festave secili dëshiron të marrë dhe të japë dhurata. Kjo ka qenë një nga arsyet që vitet e fundit në vendin tonë festat si Krishtlindjet apo Viti i Ri janë pagëzuar si festa komerciale.

Amvisat veç darkës dhe gatimeve kërkojnë të blejnë gjëra të reja për shtëpinë, për orendi kuzhine apo edhe për të blerë veshje të reja. Meshkujt kërkojnë të blejnë më shumë aksesorë të teknologjisë së fundit, si telefona, aparate fotografike apo pajisje të tjera. Më shumë se të gjithë të tjerët, janë vajzat që kërkojnë veshje këpucë, aksesorë e natyrisht pa munguar bizhuteritë. Nëse do të bëheshin të gjitha këto llogaritje për Vitin e Ri secili shpenzon jo vetëm rrogën apo fitimet e muajit, por edhe shpërblimet edhe kursimet e shumë kohëve.

Diabetikët të shmangin ushqimet me kripë

Personat me probleme shëndetësore, si diabeti edhe hipertensioni duhet të jenë më precizë në ndjekjen e këshillave për të mos abuzuar. Pasi mund të përballen me një rritje të sheqerit në gjak ose të tensionin, kjo për shkak të abuzimit në ushqim, edhe nga pijet alkoolike. Mjekët rekomandojnë të evitohen ushqimet me shumë kripë, si djathi, ullinjtë dhe salca të ndryshme. Të tregohen të kujdesshëm në ushqimet me yndyrë shtazore, si mishi i kuq, të skuqurat (qofte, patate, mish) të cilat mirë është të shmangen.

Sallata  ruse mund të konsumohet. Ideale do të ishte nëse e përgatisim vetë me vaj ulliri dhe vezë fshati, por përsëri nuk duhet ta teprojmë. Pijet me gaz dhe me sheqer është mirë të mos përdoren, ndërkohë rekomandohet të konsumohet mjaft ujë. Sa për pije alkoolike do të ishte mirë të mos abuzohet te sasia, personat me diabet nuk duhet të konsumojnë alkool, sidomos me stomak bosh. Pijet alkoolike më të rekomanduara janë vera dhe birra.