DAP: Administrata mund të marrë pjesë në aktivitete politike, por jashtë orarit të punës

Publikuar më 01. 06. 2017 nga Eno Shkëmbi

Drejtoresha e Departamentit të Administratës Publike, Albana Koçiu, ka bërë sot me dije një njoftim për punonjësit e administratës.

Përmes një komunikimi për mediat, ajo deklaroi se punonjësit e administratës kanë të drejtë që të marrin pjesë në fushata dhe aktivitete politike pas orarit zyrtar të punës. Koçiu pohoi se jashtë perimetrit të institucionit si dhe orarit zyrtar të punës, gjithkush mund të angazhohet për nisma politike.

“Ndalohet kategorikisht përdorimi i mjeteve, fondeve materiale të ndryshme pronë e administratës publike si dhe burimeve njerëzore të institucioneve të administratës publike të çdo niveli. Përcaktohet qartë ndalimi i fushatës zgjedhore në institucione publike. Ndalimi i përdorimit të detyruar të administraëts së institucionit për veprimtari të fushatës zgjedhore brenda orarit të punës, si dhe i nxënësve të sistemit shkollor parauniversitar brenda orarit mësimor”, u shpreh ajo.

Këshilli i Ministrave do të vendosë sot krijimin e një strukture të posaçme për monitorimin e administratës shtetërore për fushatën zgjedhore. “Sot po finalizohet vendimi që do të miratohet nga Këshilli i Ministrave dhe që ndër të tjera parashikon ngritjen e një strukture të posacme monitorimi për administratën gjatë kësaj periudhe”, vijoi Koçiu.