Daniel Serwer: Matthew Palmer do zgjidhë çështjen e Kosovës

Eksperti i rajonit të Ballkanit Perëndimor, Daniel Serwer, flet në një intervistë për gazetën “Shekulli”. Serwer përmend faktin se Haradianj duhet të ketë mirënjohje për gjestin e dhënies së dorëheqjes nga posti i Kryeministrit të Kosovës

Erjon Dervishi

Disa ditë më parë, Departamenti Amerikan i Shtetit, lajmëroi në faqen e tij zyrtare, se Matthew Palmer do të jetë i dërguari i posaçëm për rajonin e Ballkanit Perëndimor në Departamentin e Shtetit. Ky fakt u lakua nga mediat e rajonit si një zhvillim pozitiv. Ardhja në krye të këtij dikasteri, pritet të sjellë një tjetër rrjedhojë për vendet e Ballkanit Perëndimor. Por duket se çështja kryesore me të cilën do të merret Z. Palmer, ka të bëjë me marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë. Këtë fakt e konfirmon në një intervistë për gazetën “Shekulli”, eksperti i rajonit të Ballkanit Perëndimor nga Universiteti i John Hopkins, Daniel Serwer.

Si e shihni emërimin e Matthew Palmer si një zyrtar special për Ballkanin Perëndimor?

Matt është një njeri i mirë që e njeh mirë Ballkanin. Shpresoj se ai do të kërkojë zgjidhje brenda kufijve aktualë të Kosovës dhe Bosnjës dhe Hercegovinës. Çdo gjë tjetër mund të shkaktojë paqëndrueshmëri, e cila mund të nxitet më tepër. Në veçanti, Prishtinës i duhet kohë për të zhvilluar zgjedhjet e saj, të formojë një qeveri me shumicë solide në Parlament dhe të formulojë një platformë për dialog me Beogradin që ka edhe mbështetje edhe më të gjerë.

Si e shpjegoni heqjen dorë nga Kryeministri i Kosovës të Z. Haradinaj?

Ai bëri gjënë e duhur dhe meriton mirënjohje për të. Ai duhet të jetë pa detyrime qeveritare ndërsa i përgjigjet Tribnalit të Gjykatës Speciale

Cilat janë pritshmëritë tuaja për zgjedhjet në Kosovë?

Unë pres që zgjedhjet të jenë të mirë-organizuara, të lira dhe të ndershme. Shpresoj që ata të përgatiten për të mbrojtur pavarësinë, prosperitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe këtë gjë duhet ta bëjnë mirë.

Palmer: Koha e lojërave politike për shmangien e përgjegjësisë në Ballkan ka mbaruar!

“Sundimi i ligjit në Ballkan duhet të funksionojë dhe koha për lojëra politike dhe përpjekje për të shmangur përgjegjësinë ka mbaruar”. Ky ishte mesazhi i parë i Matthew Palmer, si i Dërguari Special i SHBA-së për Ballkanin, duke dhënë porosi të qarta për të gjitha qeveritë e rajonit. Gjatë një takimi me Ministrin e Jashtëm maqedonas Nikolla Dimitrov dhe Ministren maqedonase të Mbrojtjes Radmila Sekerinska në forumin në Bled të Sllovenisë, diplomati amerikan deklaroi se SHBA mbështesin fuqishëm Maqedoninë e Veriut për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian. Në forumin strategjik të Sllovenisë, ku do të bëhej edhe prezantimi i parë i zotit Palmer si i dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për vendet e Ballkanit, Shqipëria nuk është përfaqësuar nga ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, por nga Ambasadori shqiptar në Slloveni, Pëllumb Qazimi, ndërkohë që Maqedonia e Veriut përfaqësohej nga dy ministra. Duke qenë se takimi ishte i nivelit të lartë politik, ambasadori Qazimi nuk është lejuar të flasë si përfaqësuesi i Tiranës zyrtare në këtë forum strategjik. Palmer është duke mbajtur takime të njëpasnjëshme me të gjithë ministrat e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, por deri më tani nuk ka takuar asnjë përfaqësues të palës shqiptare, e cila ka zgjedhur të përfaqësohet nga ambasadori ynë Lubjanë. Mediat maqedonase shkruajnë se fokusi i takimit ishte procesi i anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO dhe fillimin e negociatave me BE, por nuk raportohet nëse Palmer e ka përmendur vendin tonë. Dy zyrtarët e lartë të qeverisë së Maqedonisë së Veriut uruan Mathew Palmer për emërimin si i dërguari special për Ballkanin Perëndimor. Duke folur për këtë emërim për mediat serbe, diplomati amerikan deklaroi të hënën se e presin shumë sfida dhe se njëra prej tyre është hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut sa më shpejt që të jetë e mundur. Palmer është shprehur se Administrata e Presidentit Trump mbetet e fokusuar dhe i përkushtuar për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor të arrijnë qëllimin e tyre për të hyrë në institucionet evropiane dhe euroatlantike. “Ne kemi punuar për këtë qëllim për shumë vite përmes administratave të shumëfishta. Ky mbetet qëllimi kryesor strategjik dhe objektivi i politikës amerikane. Gjithmonë ka konkurrencë për kohën dhe vëmendjen, nga ana e parimeve. Sigurisht, nëse shikoni prapa në vitet 1990, Ballkani Perëndimor ishte në krye të prioritetit, jo vetëm për SHBA-në, por për mbarë botën. Gjërat kanë ndryshuar në këtë drejtim, por SHBA mbetet e angazhuar në këtë rajon. Ne jemi këtu, po punojmë ngushtë me qeveritë e Ballkanit Perëndimor për të çuar përpara objektivin tonë të përbashkët të integrimit evropian”, deklaron ai për “Tanjung”. Po ashtu, ai shprehu shpresën se qeveria e ardhshme e Kosovës do të pranojë të pezullojë tarifat ndaj mallrave serbe, në mënyrë që dialogu të mund të fillojë sa më shpejt dhe i bëri thirrje Beogradit të ndalojë përpjekjet e tij për izolimin ndërkombëtar të Kosovës. Në Forumin e përvitshëm që po mbahet në Slloveni, janë duke marrë pjesë rë gjithë ministrat e jashtëm të Ballkanit Perëndimor, ku do të diskutojnë sfidat e rajonit së bashku me zotin Palmer. Po ashtu në këtë takim po merr pjesë edhe ish-ministri italian, Enrico Letta, Presidenti Estonez, Kersti Kaljulaid, ish-ministri i Jashtëm Spanjoll, Josep Borrell, i zgjedhur si pasuesi i Federica Mogherini në pozicionin e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, ministri i Jashtëm turk, Mevlüt Cavusoglu, kolegu i tij finlandez Pekka Haavisto dhe Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Michelle Bachelet.

Daniel Serwer

Daniel P. Serwer është Profesor i Praktikës së Menaxhimit të Konflikteve, si dhe drejtor i Menaxhimit të Konfliktit dhe Programeve të Politikës së Jashtme Amerikane në Shkollën Johns Hopkins të Studimeve Ndërkombëtare të Avancuara. Serwer është gjithashtu një studiues në Institutin e Lindjes së Mesme në Uashington D.C. Serwer shërbeu si këshilltar i Ministrit me Departamentin e Shtetit të SHBA. Ai ishte zëvendësshef i misionit dhe i ngarkuar për punë në Ambasadën e SHBA në Romë nga 1990 në 1993 dhe nga 1994 deri 1996, i dërguar i posaçëm dhe koordinator për Federatën e Bosnjës. Gjatë këtij afishimi, Serwer ndërmjetësoi mes kroatëve dhe myslimanëve dhe negocioi marrëveshjen e parë të arritur në bisedimet e paqes të Dejtonit. Ndërmjet viteve 1998 dhe 2010, Serwer ishte zëvendës-president në Institutin e Paqes të Shteteve të Bashkuara, duke shërbyer për të gjithë, por një vit të mandatit të tij si zëvendës-president për operacionet e paqes dhe stabilitetit në USIP. Gjatë asaj kohe ai udhëhoqi punën e ndërtimit të paqes në Irak, Afganistan, Sudan dhe Ballkan. Në USIP, Serwer specializuar në parandalimin e konfliktit ndër-etnik dhe sektarian. Ai ishte gjithashtu Drejtor Ekzekutiv i Grupit Studimor Hamilton/Baker Irak. Serëer është autori i librit, “Lufta në Paqe në Ballkan, në Lindjen e Mesme dhe në Ukrainë” (Palgrave MacMillan, 2019).

Senatorët amerikanë: Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë zgjedhje të vështira

Dy senatorët amerikanë, demokrati Chris Murphy dhe republikani, Ron Johnson, thanë të mërkurën në Prishtinë se Kosova dhe Serbia duhet të jenë të gatshme për zgjedhje të vështira në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet tyre. Ata i bënë këto komente pas takimeve më udhëheqësit politik në Kosovë në kuadër të një vizite ne rajon. Senatori Ron Johnson tha se rruga drejt paqes e sigurisë në Kosovë është përmes një qeverie që respekton sundimin e ligjit, të drejtat e pakicave dhe posaçërisht, duke siguruar një marrëveshje me Serbinë që është çelësi që hap mundësitë. “Ne jemi këtu pikë së pari për të mbështetur qytetarët e rajonit, të Kosovës dhe Serbisë. Duam t’i shohim se do të kenë sukses”, tha ai Senatori Chris Murphy tha se ka një marrëdhënie të posaçme që do të vazhdojë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës. Ai tha se Kosova ka një ardhmëri me një angazhim të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve tjerë perëndimorë që mund të jenë partner në suksesin ekonomik të saj. Por, tha ai, janë dy gjëra të domosdoshme për ringjalljen ekonomike. “Së pari janë reformat e brendshme, përkushtimi ndaj sundimit të ligjit, përkushtimi ndaj reformës së sistemit arsimor. Por po ashtu përkushtimi ndaj bisedimeve me Serbinë. Kjo do të përfshijë zgjedhje të vështira këtu dhe në Beograd”, tha senatori Murphy duke nënvizuar se këto mesazhe do t’i transmetojnë edhe në Beograd ku do të takohen me presidentin serb Aleksandër Vuçiç. “Presim që këto bisedime të jenë të kuptimplota dhe të frytshme. Dhe shpresojmë që të dyja palët do të kuptojnë se kërkohen sakrifica për të mundësuar normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet këtyre dy vendeve dhe që të dyja të jenë në gjendje të zhvillojnë ekonomitë e tyre”, tha ai. Vizita e dy senatorëve në Ballkan ndodhë pak ditë pasi që sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo emëroi zëvendës ndihmësin e tij Mattheë Palmer si Përfaqësuesin e Posaçëm për Ballkanin Perëndimor. Emërimi i tij shihet si një dëshmi e përfshirjes më të madhe të Shteteve të Bashkuara në procesin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Zoti Palmer, tha në fillim të javës se qëllimi i tij është t’i kthejë Kosovën dhe Serbinë “në tryezën e bisedimeve sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të sigurojë një marrëveshje”. Ai ritheksoi dëshirën e Shteteve të Bashkuara që të shohin “njohjen e ndërsjellë si pikën qendrore të marrëveshjes”, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Bisedimet janë pezulluar që nga nëntori i vitit të kaluar kur Prishtina u vuri tarifa prej 100 për qind mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj fushatës së Beogradit kundër shtetësisë së Kosovës. Normalizimi i marrëdhënieve është kusht për të dyja vendet që të integrohen në Bashkimin Evropian. Vazhdimi i këtyre bisedimeve mund të pritet pas zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, që mbahen më 6 tetor. Diplomatët shpresojnë që një qeveri e re të formohet shpejt pas këtyre zgjedhjeve dhe të rihapin bisedimet para se Serbia të hyjë në periudhën e zgjedhjeve që mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet