Daja: Luftëtari mund të na surprizojë

Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja i druhet një disfate në transfertën e vështirë të Gjirokastrës. Korçarët nuk po kalojnë  një moment të mirë dhe forma e sulmuesit Soue lë për të dëshiruar. Trajneri foli dhe për merkaton e skuadrës duke theksuar se janari nuk të jep mundësi për të zgjedhur më të mirët dhe se klubi i tij është i kompletuar.

“Ne jemi të konsoliduar si grup. Kemi bërë mirë në kampionat dhe Europa League, nuk kemi pasur shumë nevojë për përforcime. Janari nuk të jep shumë alternativa. Mbetet për t’u parë nëse kemi bërë ne më mirë që në merkaton e verës apo kundërshtarët tanë tani në janar. Është një transfertë e vështirë, sepse Luftëtari pati vazhdimësi në lojë dhe rezultate në fund të vitit. Ne synojmë ta nisim aty ku e kemi lënë, pra me fitore. Te skuadra e Gjirokastrës ndihet edhe dora e trajnerit Hasan Lika në ekuilibrat e lojës. Vijmë nga një mini fazë përgatitore ku jemi munduar ta futim skuadrën në ritmin e duhur. Përtej vështirësive, do të synojmë maksimumin. Nuk jemi të shqetësuar me formën e futbollistëve. Vetëm ditët e fundit kemi pasur një dëmtim të Sahitit. Lojtarët që kanë qenë me virozë besoj se do të jenë gati. Do të luajnë ata që janë përshtatur më mirë me ngarkesat. Sowe do të jetë, por nuk mund të siguroj nga minuta e parë”, tha Daja.

Sa i përket dy futbollistëve të Luftëtarit, Bregu dhe Abazaj, ai nuk e konfirmoi kalimin e tyre te Skënderbeu në verë. “Janë dy lojtarë me cilësi individuale. Nuk mund të them asnjë fjalë më tepër, përveç faktit që janë shumë lojtarë të mirë. Nuk mund të bëj komente të tjera”, përfundon 52 vjeçari.

Të tjera

Abissnet