Çudira në kombëtare, Panuçi grumbulloi tre lojtarë të dëmtuar në Turqi

Publikuar më 12. 11. 2017 nga Eno Shkëmbi

E pabesueshme, por e vërtetë. Kristian Panuçi grumbulloi tre lojtarë që rezultonin të dëmtuar disa ditë përpara se Kombëtarja Shqiptare të grumbullohej në prag të miqësores me Turqinë, që do të luhet nesër në Antalia. “Panorama Sport” zbulon nga burime të sigurta në skuadër se dihej prej ditësh që portieri Thoma Strakosha, si dhe mesfushorët Migjen Basha e Liridon Latifi ishin të dëmtuar dhe do ta kishin të pamundur të luanin në miqësoren me Turqinë.

Mirëpo, çuditërisht ata janë ftuar nga trajneri për të qenë pjesë e skuadrës, edhe pse ishte e gjithë koha e nevojshme për t’i zëvendësuar duke u dhënë shansin tre lojtarëve të tjerë, nga të cilët mund të fitonim diçka. Një situatë që tregon se organizimi në Kombëtare është kthyer disa vite mbrapa, me gafa trashanike, që tanimë nuk bëhen as në klube të kampionateve të nivelit të ulët.

I pari që la grumbullimin ishte Basha, për të cilën mjekët e Barit kishin njoftuar prej ditësh FSHF-në se e kishte të pamundur të riaftësohej. Nga ana tjetër, gazeta konfirmoi dje se e njëjta situatë ishte edhe me Strakoshën e Latifin. Këta të fundit lanë rezidencën e Kombëtares pikërisht të shtunën për të vazhduar riaftësimin në klubet e tyre.

“Kanë ardhur të dëmtuar, ishte diçka që dihej. Ajo që nuk dihet është pse trajneri nuk preferoi t’i zëvendësonte, pasi edhe koha premtonte”, tregon për gazetën një zyrtar i lartë i FSHF-së, i cili është gjithnjë pranë Kombëtares.

SHQIPËRI VIRTUALE

Prej disa ditësh skuadra është grumbulluar në Antalia pa ndonjë arsye të fortë që mund bënte të pamundur qëndrimin në Shqipëri deri 48 orë para ndeshjes me Turqinë. Në një kohë që ishte më e nevojshme se kurrë, duke filluar nga trajneri dhe lojtarët e afruar rishtas në ekip, që Kombëtarja të ndiente mbështetjen e tifozëve, ndodh më e pakuptimta dhe skuadra ngujohet në një prej hoteleve të qytetit turistik të Turqisë.

Në këto kushte, duam apo nuk duam, kthehemi në një Kombëtare virtuale, duke iu hequr mundësinë tifozëve për të parë nga afër idhujt e tyre, për më tepër që nuk jemi përpara një ndeshjeje eliminatore, por thjesht miqësore. Një gafë e radhës e FSHF-së, që në vend të afrojë Kombëtaren me tifozët, e largon atë mijëra kilometra.

SHPIKJA ME KONFERENCAT

Të ndikuar nga mungesa e vëmendjes së mediave, nisur nga zgjedhja absurde e grumbullimit në Turqi, zyrtarët e FSHF-së gjatë dy ditëve të fundit kanë menduar të shpikin konferenca për shtyp duke lënë të kuptohet se po i vijnë në ndihmë gazetarëve shqiptarë.

Një falsitet me videot nga Antalia, ku pyetjet për lojtarët i bën zëdhënësi për shtyp, Gert Çarçani, dhe natyrisht ata janë të detyruar të përgjigjen. Zero interesim në prag të një ndeshjeje që mund të merrte vëmendjen e madhe të shqiptarëve në rast se FSHF-ja nuk do ta degdiste Kombëtaren.