Conway-Mouret: Hapja e negociatave? Po, nëse Shqipëria heq dorë nga korrupsioni

Në një intervistë për gazetën “Shekulli” Zëvendëspresidentja e Senatit francez, Helene Conway-Mouret, nuk është dakord me qëndrimin e Macron për Shqipërinë, por porosit që vendi të ndryshojë rrënjësisht imazhin me anë të reformave

Erjon Dervishi

Afrimi i mbledhjes së Këshillit të Bashkimit Evropian në të cilën do të përcaktohet edhe hapja e negociatave për Shqipërinë, pritet me interes të madh nga ana e publikut shqiptar. Dy vendet skeptike në lidhje me zgjerimin e Bashkimit Evropian, ishin Franca dhe Holanda. Presidenti Francez, Emmanuel Macron, në një dalje përpara Parlamentit Evropian, theksoi rëndësinë e thellimit dhe jo zgjerimit të Bashkimit Evropian. Kjo pasi vendet e Ballkanit Perëndimor kanë mangësi në sistemin e drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit. Në debatet që ka zhvilluar Parlamenti Evropian, për sa i përket zgjerimit me anëtarë të rinj, ekziston një frikë e madhe, sepse mund të përsëritet skenari me Rumaninë dhe Bullgarinë. Dy vende këto të cilat kanë shumë probleme në lidhej me korrupsionin dhe drejtësinë. Këtë fakt thekson edhe anëtarja e njohur e Senatit francez Helen Conëay-Mouret, në një intervistë për gazetën “Shekulli”. Afrimi i Shqipërisë me Bashkimin Evropian ka sfida të shumta. Ajo më kryesorja, sipas Conëay-Mouret, ka të bëjë me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Intervista e plotë: 

Si e shikoni situatën aktuale në Shqipëri, referuar edhe vizitës që realizuat këto ditë?

Për ato çka munda të shoh në ato dy ditë takimesh në Shqipëri, me anëtarë të Qeverisë, me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës dhe anëtarë të Parlamentit, Shqipëria, është një vend i cili po lëviz përpara shumë shpejt, me reforma të rëndësishme dhe kurajoze, të tilla si lufta kundër korrupsionit, vota për të kontrolluar kumarin, lojëra të cilat janë konsideruar si një epidemi për publikun shqiptar, duke krijuar shumë probleme sociale, si dhe reforma për gjyqtarët dhe prokurorët. Rreth 50 për qind e gjyqtarëve dhe prokurorëve janë shkarkuar dhe, në këtë mënyrë pritet të ketë ndryshime radikale në sistemin e drejtësisë. Në të njëjtën kohë kemi të bëjmë me qeverinë e parë, e cila ka një numër të barabartë të grave dhe burrave ministra. Për mua, kjo është një shenjë moderniteti, një shenjë e një vendi që ka përqafuar subjektin e barazisë, midis burrave dhe grave.

A besoni se, Qershorin e ardhshëm do të jetë një mundësi e mirë për Shqipërinë, të fillojë negociatat me Bashkimin Evropian?

Është shumë e rëndësishme që Shqipëria të provojë që është një kandidate serioze për hapur “Kapitujt”, të cilat do të mund të çojnë në hapjen e negociatave. Nga ajo çka unë shoh, Shqipëria po e përdor kohën në mënyrë konstruktive, për të siguruar që të mund të përmbushë të gjitha kriteret e kërkuara. Këtu futet reforma në sistemin e drejtësisë, shteti i së drejtës dhe gjithçka që kërkohet në mbrojtje të vlerave të Bashkimit Evropian. Pra po, duke marrë parasysh numrin e reformave të cilat janë duke u ndërmarrë në Shqipëri dhe shpejtësinë me anë të së cilës ne po shikojmë rezultate të mira, mund të konsiderojmë se Shqipëria do të jetë në një pozitë më të mirë gjatë kësaj periudhe gjashtëmujore. Më vjen keq me pozicionin e Presidentit Macron, Qershorin e kaluar në Samitin Evropian. Ishte një mundësi e humbur për të njohur reformat që po ndërmerr Shqipëria.

Partitë politike opozitare nuk po marrin pjesë në jetën efektive të Parlamentit të Shqipërisë, dhe për këtë arsye shumë ligje të rëndësishme nuk mund të kalojnë dot pa një shumicë të cilësuar. Çfarë mendoni për këtë?

Unë nuk besoj se politika e “zbrazët” është e mirë. Duhet të pranojmë gjithmonë rezultatin e zgjedhjeve. Një parti politike fiton, një tjetër humbet, por pastaj është detyrë e tij të kontribuojë në debatin politik dhe kombëtar, madje gjithashtu, të kontribuojë nëpërmjet amendamenteve për të përmirësuar ligjin. Është roli që opozita luan në çdo demokraci. Pra, është një qëndrim për të ardhur keq, pasi opozita mund të luajë një rol shumë të dobishëm, në lobimin pozitiv me partnerët e saj të Partive Popullore Evropian të Parlamentit Evropian.

Cila ishte arsyeja e vizitës suaj në Shqipëri?

Arsyeja e parë është se, Ballkani nuk është shumë i njohur në Francë. Megjithatë, është një rajon që ka shumë rëndësi gjeopolitike dhe strategjike për ne, nga pikëpamja e migrimit, stabiliteti politik që ne duhet të kemi, dhe gjithashtu nga pikëpamja e një kontinenti që do të mbetet në paqe, me një numër më të madh vendesh që sigurojnë sigurinë e tyre me kufijtë e jashtëm që janë të përcaktuara mirë dhe të mbrojtura. Kjo ishte vizita ime e parë dhe ajo që desha të bëja, ishte të shihja sesa serioze është Shqipëria për sa i përket afrimit me Bashkimin Evropian. Unë tani nuk kam asnjë dyshim për motivimin e popullit të saj për t’u bashkuar me të vërtetë me Bashkimin Evropian. Për sa i përket sigurisë dhe mbrojtjes, partneriteti ynë është i rëndësishëm. Por ka shumë mundësi për të forcuar shkëmbimet tona komerciale, për të nxitur turizmin dhe për të zgjeruar shkëmbimet e studentëve tanë në çdo sektor.

Cili është opinioni juaj për reformën gjyqësore në Shqipëri?

Kam kaluar një orë me Ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e cila u fut në detaje të mëdha për të përshkruar reformat që ajo ka ndërmarrë. Më pas u takova me Zëvendësministren Teuta Vodo dhe u takova me deputetë të Parlamentit mbi reformat e drejtësisë. Gjithçka që mund të them është se, këto reforma janë të guximshme dhe të nevojshme. Nëse Shqipëria arrin të heqë dorë nga korrupsioni dhe krimi i organizuar, ajo do të ndryshojë rrënjësisht imazhin e vendit, pasi rezultatet që po fillojnë të tregojnë do të përfundojnë. Ato janë absolutisht të domosdoshme për vendin.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet