Çmimi i karburantit rritet nga tregu, apo nga dëshira e klasës politike ?

Riza hoxha

Te ne shqiptarët sot ndjehen të kënaqur vetëm grupi i maskarenjve të oligarkisë dhe të politikës. Janë të kënaqur kur na shohin  ne të shumtëve që edhe pse përpëlitemi mes mjerimit e mizerjes, nuk bëzajmë. Këto ditë gjithë shqiptarët morën vesh rritjen e çmimit të karburantit. Oligarkia politike ua bëri të qartë shqiptarëve se, kërkohet ruajtja e një sasie karburanti  si rezervë kombëtare, po ajo (çfarë hipokrizie) nuk sjell rritjen e çmimit për konsumatorët. Një mashtrim ekzemplar. Po kush do ta përballojë koston e blerjes së sasisë rezervë të karburantit ? Pse duhet ta përballojë konsumatori fundor, pra, udhëtari, të cilit as nuk i plas fare për rezervën, pasi ai e di mirë se  privati ka interesin e tij t’i shërbejë në çdo orë të ditës a natës. Është ai që merr të gjitha masat për të patur në çdo kohë rezervën e mjaftueshme. Pastaj  kë duan të mashtrojnë me  alibinë e mosngritjes së çmimit? Tashmë shqiptarët  askujt nuk i besojnë me mashtrime të tilla që janë bërë të zakonshme nga kjo palo klasë politike.

Sot është i njohur për të gjithë fakti se, çmimi i karburantit në Shqipëri është ndër më të lartit në botë dhe më i larti në rajon. Çmimi është ndër më të lartit, po askush nuk na tregon shkakun. Vetëm tashmë ne shqiptarët e dimë mirë. Ekziston një skemë përmes së cilës oligarkia nepotiko-familjare që e sundon Shqipërinë prej 30 vitesh, ia ka arritur të plaçkisë shumicën e shqiptarëve duke i kthyer ata në skllevër të nënshtruar ndaj kësaj oligarkie. Jemi skllevër  të bindur sepse nuk dimë të kundërshtojmë sa herë që kjo oligarki na hipën në qafë dhe na shtyp pa mëshirë. Gjithë shqiptarët në të dy anët e kufirit  e mbajnë mend mirë çfarë ndodhi  një vit më parë, kur oligarkia politike u tall  si ia deshi me ndera  me rastin e vënies se traut të pagesës në autostradën e Kombit. Vënia e traut  shkaktoi protesta  të popullit të stërvarfëruar të rajonit verilindor të vendit edhe pse jetonte mbi një pasuri të pamatë mbi e nëntokësore. Autostrada ende nuk ka përfunduar, po deri tani  janë shpenzuar rreth 1,3 miliard euro.

Po edhe janë vjedhur jo pak. Të paktën  220 milion euro  nga kryetari aktual I opozitës  që u dërgua për ndjekje penale, po  gjithçka u mbyll, për turp të zotit,  me ndërhyrjen e oligarkëve të politikës. Një krahasim  kuptimplotë. Për afro 100 kilometra autostradë e Kombit janë shpenzuar  1,3 miliardë euro, ndërsa për 108 kilometra të autostradës “Ibrahim Rugova” u shpenzuan vetëm 600 mijë euro. Një disnivel I madh I kostos, për të cilin çuditërisht heshtet. Në fund të marsit, kuksianët protestuan për tarifën e pagesës së lëvizjes në autostradën e Kombit. Bile shkaktuan edhe dëme. Pas protestës, u premtua mos rritja  e çmimit të biletës së autobusit për udhëtarët  përmes uljes së tarifës së pagesës me 100  lekë sa herë autobusët do të lëviznin në traun e pagesës. Sot gjithçka ka rezultuar gënjeshtër  e madhe. Çmimi i biletës që nga 1 janari  është rritur me 100 lekë.

Të gjithë heshtën për çfarë ndodhi. 500 lekë është bileta e lëvizjes për kuksianin  që paguan për 140 kilometra rrugë  në autostradën e Kombit dhe 500 lekë paguan edhe korçari që lëviz në aksin Tiranë – Korçë 180 kilometra të gjatë po shumë më I  dëmtuar  dhe më I vështirë se autostrada e Kombit.  Pse heshtet për rritjen me 100 lekë të lëvizjes në autostradë?  Vendosja e taksës në rrugën e Kombit  ndodhi më 17 shtator të vitit të kaluar. Taksa u vendos, po  të gjithë këtë radhë heshtën. Heshtën kuksianët, heshtën hallexhinjtë, heshtën edhe zengjinët.  Po kush i detyroi të gjithë të heshtnin? Vetëm një grup politikanësh që u paguan nën dorë që t’i detyronin hallexhinjtë të heshtnin? Cila është e vërteta, kur edhe me 1 janar, kur u rrit çmimi i biletës së autobusit të gjithë sërish heshtën. Cila është e vërteta që fshihet  nga maskarenjtë e politikës? Të paktën sot, kur shtohet një taksë, të mos në broçkullisin se, “çmimi i autobusit nuk do të rritet”.  Po tani sa do të rritet bileta? Pasi me vendosjen e taksës së re, askush nuk beson  më, se nuk do të ketë rritje  të çmimit të lëvizjes.

Të paktën deri tani, të gjitha përbetimet e politikës kanë rezultuar mashtrime. Ndaj sot nuk ka asnjë arsye  që ndonjë  shqipo t’i besojë  kësaj klase politike. Një shembull sinjifikativ. Çmimi i karburantit në Kosovë është gjithnjë 300-400 lekë më pak  për litër se në tregun shqiptar. Kjo i ka detyruar shumë drejtues makinash t’i drejtohen atij tregu për furnizim  me karburant. Tashmë të gjithë e dimë. Shqipëria pavarësisht kush është në pushtet, drejtohet nga një oligarki nepotiko – familjare  përmes aferave korruptive. Është bash kjo arsyeja që kjo oligarki e ka pranuar në heshtje të ndërrohet një herë në 8 vjet  mes njëra tjetrës. Ndaj ne shqiptarëve të stërvarfëruar na tingëllon e çuditshme cfarë kërkon opozita e sotme që kërkon ndërrim të pushtetit familjar ende pa u mbushur 8 vitet. Po familja kundërshtare e ka të pamundur ta pranojë  një ndërrim para afatit. Tamam, tamam kjo është arsyeja e grindjeve të vazhdueshme  që kanë bërë që ne shqiptarët të lëmë kokrrën e namit në sytë e miqve tanë ndërkombëtarë. Sa të evidentojmë se, nuk ia kemi idenë e vetëqeverisjes.

Edhe pse çmimi i karburantit në këtë vendin tonë është ndër më të lartit, sërish rritja e tij do të jetë e domosdoshme me vënien e taksës së re. Po, kjo rezervë karburanti që do të krijohet  përmes kësaj takse që do ta paguajnë  gjithë shqiptarët e varfër kujt do t’i shërbejë ?  Pasi tregun si sot edhe nesër do të kontrollojë biznesi privat i karburantëve që tashmë ndjehet si shtet brenda shtetit. Ndaj  çfarë do të jetë kjo rezervë karburanti që do të ngrihet? Kryesorja, kujt do t’i shërbejë  dhe ç’xhepa do të pasurojë. Se në këtë Shqipëri tashmë është e dukshme se vetëm maskarenjtë e politikës mund të pasurohen. Të tjerët vetëm duhet të pranojnë të varfërohen. Me këtë lloj klase politike, të gjithë shqiptarët nuk presin ndonjë ditë të mirë. Ndaj ia kanë dhënë vrapit për t’u larguar. Sepse sot Shqipëria drejtohet nga lloj-lloj maskarenjsh që siç thotë poeti Ali Asllani dinë vetëm: Hani, pini e rrëmbeni/mbushni xhepa, mbushni arka/të pabrekë ju gjeti dreka/milionerë ju gjeti darka/hani pini e rrëmbeni/është botë e maskarenjve/dallavere nëpër zyra/dallavere në pazar/dallavere me të huaj/dallavere me shqiptarë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet