Çmimet “Jorgjia Truja” e “Ramiz Kovaçi”, ëndrra që sapo ka nisur…

sinellaHydajete Bushaj

Dëshira për artin ka nisur qysh në kohën, kur unë mbaj mend veten”. Kështu i përgjigjet 18-vjeçari, Redon Sinella, pyetjes se, kur është ndezur te ai shkëndija për t’u marrë me muzikë. Ai u shpall fitues i çmimit të parë në Festivalin Mbarëkombëtar të Zërave Lirikë “JorgjiaTruja”.

Ky konkurs u zhvillua në ambientet e sallës së koncerteve të Liceut Artistik “Jordan Misja” dhe në sallën e koncerteve të Ministrisë së Kulturës. Mes shumë nxënësve, Redon Sinella, përveç çmimit të parë, u nderua dhe me çmimin “Ramiz Kovaçi”, në nder të baritonit të njohur të skenave shqiptare e ndërkombëtare. I emocionuar për çmimet që ka fituar, me emrat e dy figurave të shquara të muzikës klasike, 18-vjeçari tregon për gazetën “Shekulli”, përjetimin e asaj dite dhe interpretimin e tij përpara një jurie të nderuar. Tenori i ri rrëfen lidhjen e tij me botën e muzikës, planet e së ardhmes dhe pritshmëritë mbi realizimin e ëndrrës së tij.

Redon a kujton si ka lindur dëshira jote për t’u marrë me art?

Në fakt kjo dëshirë ka nisur shumë herët, aq herët sa mbaj mend veten. Prindërit e mi gjithmonë ishin dashamirës të artit dhe shpesh në biseda mbrëmjesh, flisnin për të bukurën, për artin dhe rëndësinë e tij. Kështu dhe unë, që në fëmijëri, u rrita me biseda të tilla dhe kisha një dëshirë të madhe për të kënduar. Ndonëse isha i vogël dhe nuk dija pothuajse as të lidhja mirë fjalët, mundohesha të këndoja edhe pse “këngët” e mia ishin thjesht ca të bërtitura. Duke u rritur shtohej dhe dëshira për muzikën.

Dëgjoja shumë muzikë, gjatë gjithë kohës provoja veten në të kënduar. Edhe pse prindërit nuk janë specialistë në fushën e muzikës, në një farë mënyre arritën të dallonin një tjetër talent tek unë. Ata herë pas here më stimulonin që të këndoja, duke më thënë se: ‘Ke talent në muzikë’. Pastaj kur vazhdova shkollën e mesme në Kavajë, mësuesi i muzikës vuri re se unë kisha vesh muzike dhe një zë të veçantë. Në këtë kohë nisën angazhimet e mia, nëpër aktivitetet e ndryshme të shkollës, por dhe në aktivitetet që zhvilloheshin ndërmjet shkollave të tjera. Në këto aktivitete shpeshherë ishin të ftuar dhe anëtarë të qendrës kulturore, të cilët e vlerësuan zërin tim, dhe më ftonin herë pas herë në aktivitetet që zhvillonin.

Besoj se, i ke të freskëta emocionet e daljeve të para nëpër këto aktivitete. Çfarë kujton prej tyre?

Sigurisht, sepse unë akoma nuk jam shkëputur nga aktivitete të tilla, i kujtoj shpesh emocionet që kisha, kur dilja të këndoja përpara bashkëmoshatarëve. Përtej kantos, unë jam dhe instrumentist. Prej vitesh i bije edhe kitarës, e cila është instrumenti më i dashur për mua. Skenat i kisha të ndara në dy pjesë, këndoja dhe i bija kitarës.

Kur nisa Liceun Artistik, isha mes dy zgjedhjesh, të vazhdoja për kitarë apo për kanto. Pas shumë këshillash dhe sugjerimesh, përfundimisht zgjodha kanton, sepse e ndjeja më shumë veten te ky profil. Kështu që, kitara mbetet pasion që më kompleton. Një ndër kujtimet më të bukura për mua është njohja me profesorin tim, Ardian Kamberi, i cili është edhe personi më i rëndësishëm për mua. Ai më ka mbështetur qysh nga momenti që unë kam hyrë në Lice, ndihem me shumë fat që e kam njohur.

Prej sa kohësh merresh me leksione në kitare?

Me kitarë kam nisur më vonë se me leksionet e kantos. Kanton e kam nisur që në klasë të 3-të, ndërsa kitarën në moshën 12-vjeçare. Me fillimin e Liceut, fillova ta ndjeja vetën gjithnjë e më të sigurtë, më të informuar rreth muzikës klasike, që për mua është muzika më e bukur, e ndjej si pjesë timen.

Thatë se prindërit i ke vetëm dashamirës të artit? A je i vetmi që ke prirje për art në familje?

Në fakt mendoj se, këtë talent e kam të trashëguar, pavarësisht faktit nuk është spikatur më përpara. Babai im ka një biznes privat, por kur ka qenë i vogël, rreth moshës 12 -13 vjeç ka marrë pjesë në aktivitetet e kohës, dhe ka fituar çmime të ndryshme. Tek unë, ai sheh veten e tij, madje shumë shpesh më thotë se, “meqenëse s’e realizova unë ëndrrën time, do të isha i lumtur pa fund që ta vazhdoje ti”.

Sapo e ke nisur rrugën si tenor, si ndiheni pas fitimit të “Jorgjia Truja”?

Nuk kam fjalë ta përshkruaj domethënien e këtij çmimi për mua. Unë isha pjesë e kategorisë B, në të cilën bënin pjesë moshat 17 -19 vjeç dhe fitimi i çmimit të parë “Jorgjia Truja” , i cili ishte një konkurs mbarëkombëtar, ka një peshë shumë të madhe, qoftë për rëndësinë e këtij emri, qoftë për motivacionin e këtij konkursi. Për mua është një kënaqësi shumë e madhe, prandaj marrja e këtij çmimi shërben si një shtysë për të punuar më shumë. Unë duhet të punoj në mënyrë që të realizoj ëndrrën time, që ja kam vënë vetes qëllim për ta përmbushur.

Ëndërroni që të prekni skenat botërore?

Ëndrra ime nuk është e vështirë për t’u kuptuar, sepse besoj se ëndrra të tilla i ka çdo person, çdo muzikant që është në fillimin e një rruge. Synimi im është që, këtë ëndërr ta vazhdoj dhe ta konkretizoj çdo ditë e më shumë.

Kush të ndihmoi që të merrje pjesë në këtë konkurs?

Ishim në klasë kur erdhi një libër përshëndetës në emër të profesorit tim të kantos. Këtë libër e kishte sjell Takuina Truja, vajza e Jorgjie Trujës, dhe në të kishte fletët e konkursit. Profesori im i kantos, Ardian Kamberi, më thotë: “Shiko se po zhvillohet ky konkurs, është shumë i rëndësishëm dhe duhet ta mendosh”. Pasi u konsultova me profesorin dhe me besimin që ai kishte tek unë, vendosa të marrë pjesë në këtë konkurs. Konkursi ishte i ndarë në dy kategori. Kategoria A ishte mes moshës 14-17 vjeç dhe kategoria B që përfshinte moshën 17-19 vjeç. Ky konkurs mbarëkombëtar ishte i ndarë në faza, e para ishte faza që u zhvillua te salla e koncerteve, te Liceu Artistik.

Te kjo fazë dola fitues dhe mora çmimin e parë në pjesët që kishte përcaktuar konkursi. Te faza e dytë konkurronin fituesit e dy fazave të para, domethënë vendi i tretë, i dytë dhe i parë i kategorisë A, dhe fituesit e po këtyre vendeve të kategorisë B. Te kjo fazë performova një pjesë, që ishte e paracaktuar nga vetë konkursi dhe mora çmimin “Ramiz Kovaçi”. Ky çmim ishte i papritur për mua, pavarësisht se te ky konkurs kisha hyrë me qëllimin për të fituar. Ky ishte konkursi i parë për mua, prandaj edhe u ndjeva shumë i nderuar për këtë çmim, aq më tepër që ky çmim m’u dorëzua nga vetë familjarët.

Përzgjedhja e materialeve të prezantuara Cilat ishin pjesët e zgjedhura për të interpretuar nga ti përpara jurisë?

Përsa i përket pjesëve, ishin të orientuara. Në konkurs unë duhet të kisha të përgatitura tri pjesë: arie antike, ku unë interpretova “Panis Angelicut”, nga kompozitori Cesar Franck, romancë shqiptare, ku unë performova “Vjeshta”, e kompozitorit Limoz Dizdari dhe Lled, ku unë performova “Mit Wurd und Hoheit angetan” dhe “Oratorio Die Schopfung” e kompozitorit Franc Josef Havdn.

Ndërsa përsa i përket fazës së dytë, ishte zgjedhja e jurisë që unë të konkurroja me pjesën “ Mit Wurd und Hoheit Angetan, Oratorio Die Schopfung”, pjesë e cila më bëri dhe fitues të çmimit “Ramiz Kovaçi”. Ishte një moment shumë emocionues të interpretoje përpara një jurie të tillë, e cila ishte e përbërë nga Josif Gjipali (tenor), Mariana Leka (soprano) dhe Isak Shehu (trompist dhe kompozitor).

Sa e vështirë është të këndosh muzikë klasike dhe të jesh tenor?

Është shumë e vështirë, por në të njëjtën kohë është shumë e veçantë. Është e vështirë për faktin se, kërkon shumë përkushtim dhe të ushtron vazhdimisht, pothuajse gjatë gjithë kohës.

Çfarë mund të na thuash në lidhje me shpërndarjen e çmimeve? Ishin thjesht çmime stimuluese?

Fillimisht më lejo të falënderoj të gjithë organizatorët dhe mbështetësit e mi, sidomos profesorin tim të kantos dhe pianisten time Flavia Durmishi. Për mua ky çmim nuk është thjesht një çmim me vlerë monetare të caktuar, por është një stimul shumë i madh, që më bën të punoj gjithnjë e më shumë, për ta merituar dhe mbajtur me nder një trofe të tillë    

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet