Cisterna e djegur e naftës, gjenden dy trupa të pajetë

Publikuar më 13. 01. 2018 nga Eno Shkëmbi

Forcat e shpëtimit kanë ndërmarrë sot një aksion në cisternën e naftës të djegur në brigjet jugore të Kinës, duke rikuperuar trupat e dy anëtarëve të ekuipazhit.

Një javë pas përplasjesh me një anije mallrash, anija cisternë në Jug të Kinës vijon të digjet mes flakës dhe shtëllungave të tymit.

Ekipi i shpëtimit rimori njësinë e regjistrimit të “kutisë së zezë” së anijes. Deri më tani janë gjetur vetëm tre nga 32 trupat e anëtarëve të ekuipazhit, ku 30 janë iranianë dhe dy të tjerë nga Bangladeshi.

Ministria kineze e transportit tha se “katër polumbarë të pajisur me maska dhe bombola oksigjeni u vendosën në kuvertë në anën e pasme të Sanchi-t me ndihmën e një vinçi. Ata zbuluan trupat e pajetë të dy marinarëve”.

Zyrtari në fjalë shtoi se: “Pas rikuperimit të kutisë së zezë, shpëtuesit u përpoqën të hynin në zonat e ndenjes, por temperatura arrinte në 89C (192F) dhe ata nuk mundën”.

Operacionit të shpëtimit i është bashkuar edhe një ekip komandosh nga Irani. Cisterna e mbushur me naftë po lundronte në një anije që ishte nisur nga Irani në drejtim të Koresë së Jugut. Ajo u përplas mbrëmjen e të shtunës me një anije mallrash.

Cisterna, e drejtuar nga operatori kryesor i transportit të naftës në Iran, ka pasur në bord 136,000 tonelata lëndë kondensimi, që është një version i lehtë i naftës së papërpunuar. Kjo lëndë është shumë toksike dhe shumë më shpërthyese se nafta e rregullt.