Çfarë po ndodh? Një tjetër kundërshtar i Putinit gjendet i vdekur në Londër

Pas ish-spiunit rus Sergei Skripal, një tjetër biznesmen rus është gjetur i vdekur në Londër. Bëhet fjalë për 68-vjeçarin Nikolai Glushkov, i cili jetonte në azil politik dhe ishte mik i afërt me ish-oligarkun Boris Berezovski.

Mësohet se ai u gjet i pajetë nga familjarët dhe miqtë të hënën në mbrëmje, ndërkohë që janë të paqarta shkaqet e vdekjes.

Një nga miqtë e tij, redaktori i gazetës, Damian Kudryavtsev, postoi lajmin në faqen e tij në “Facebook”. Ndërkaq, Policia Metropolitane tha se Njësia e Komandës Kundër Terrorizmit po udhëheq paraprakisht hetimet mbi vdekjen për shkak të shoqatave që ai besohet të ketë pasur.

Ndërkohë, nuk ka ende asnjë provë që e lidh vdekjen e tij me incidentin e ndodhur në Salisbury, ku u gjetën të helmuar me agjent nervor ish-spiuni Sergei Skripal dhe vajza e tij Yulia.

Në vitet 1990, Glushkov punoi për kompaninë shtetërore të avionëve “Aeroflot” dhe “Berezovsky’s LogoVAZ”. Në vitin 1999, ndërsa Berezovski u nda nga Vladimir Putinin dhe shkoi në Mbretërinë e Bashkuar, Glushkov u akuzua për pastrim parash dhe mashtrim. Ai kaloi pesë vjet në burg dhe u lirua në vitin 2004.

Në vitet e fundit Glushkov ka jetuar në Londër, ku kishte marrë azil politik. Në vitin 2011, ai dha dëshmi në çështjen gjyqësore të Berezovskit kundër kolegut oligark Roman Abramoviç, i cili kishte marrëdhënie të mira me Kremlinin. Glushkov i tha gjykatës se ishte marrë peng nga administrata e Putinit, i cili kërkonte t’i bënte presion Berezovksit për të shitur stacionin e tij televiziv ORT.

Kujtojmë se ai kishte vënë në dukje se një numër i madh i mërgimtarëve rusë, duke përfshirë Berezovskin dhe mikun e tij të ngushtë, Aleksandër Litvinenko, kishin vdekur nën rrethana misterioze. “Boris u mbyt. E ka bërë vetë ose me ndihmën e dikujt. Por nuk besoj se ishte vetëvrasje”, tha asokohe Glushkov.

Të tjera

Abissnet