Çfarë plani ka Turqia? Erdogan zbulon bisedën me Putin: Ne nuk ndalemi

Publikuar më 13. 10. 2017 nga Elidona Syla

Presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan ka deklaruar se vendi i tij, që aktualisht ka shpallur plane për blerjen e sistemeve raketore tokë-ajër të prodhimit rus të tipit S-400, është i interesuar edhe për furnizim me raketa të reja ruse, që janë në zhvillim e sipër.

“Në bisedimet tona me presidentin e Rusisë Vladimir Putin, ne nuk mendojmë të ndalemi me S-400. Ne kemi pasur biseda për S-500, po ashtu”, ka thënë Erdogan, raportojnë sot mediat turke, shkruan rel.

Lëvizja e Turqisë, anëtare e NATO-s, për të blerë raketa ruse të tipit, S-400, nga disa në kryeqytetet perëndimore është shikuar si mospërfillje e aleancës, në periudhën e tensioneve me Rusinë, për shkak të rolit të Moskës në luftërat në Siri dhe në pjesën lindore të Ukrainës.

Marrëveshja për raketat S-400, e shpallur muajin e kaluar, po ashtu, ka shkaktuar shqetësim pasi armatimet ruse nuk mund të integrohen në mbrojtjet e shteteve anëtare të NATO-s.