Çfarë ka ndodhur më 7 shtator?

70 – Ushtria romake shkatërron dhe plaçkit Jeruzalemin. Sulmi kulmoi me djegien e Tempullit që shërbente si qendër e Judaizmit. Mijëra banorë u vranë, mijëra u bënë skllevër, dhe shumë relike të shenjta u dërguan në Romë.

1813- Shteteve të Bashkuara u vihet nofka Dajë Semi (Uncle Sam). Emri është i lidhur me Samuel Wilson, një paketues mishi nga Troy, New York, i cili, gjatë luftës, në vitin 1812, furnizonte ushtrinë e Shteteve të Bashkuara, me fuçi mishi. Willson (1766-1854) stamponte fuçitë “U.S.” për United States (Shtetet e Bashkuara), por ushtarët filluan t’i referoheshin ushqimin si “Dajë Semi”.

Ushtarët duke e ditur se mishi vinte nga Samuel Wilson, filluan ta thërrisnin atë “Dajë Semi”, duke komentuar sa herë vinte ushqimi: “Erdhën pakot e dajë Semit”.

Në fund të viteve 1860 dhe 1870, karikaturisti politik Thomas Nast (1840-1902) filloi të popullarizonte figurën e Dajë Semit. Nast vazhdoi ta përpunojë imazhin, duke i dhënë Samit mjekrën e bardhë dhe kostumin me yje dhe shirita që lidhen me imazhin që ka sot. Nast, i lindur në Gjermani, gjithashtu, krijoi imazhin modern të Santa Claus-it; gomarin, që është simbol i Partisë Demokratike dhe elefantin, që është simbol i Republikanëve. Nast gjithashtu shkruajti, në karikaturat editoriale, pamflete për korrupsionin e Kompanisë “Tammany Hall”, të New York-ut dhe ishte, pjesërisht, përgjegjës për rënien e liderit të Kompanisë, William Tweed.

Ndoshta imazhi më i famshëm, i Dajë Semit, është krijuar nga artisti James Montgomery Flagg (1877-1960). Në versionin e Flagg, Uncle Sam ka veshur një xhaketë blu dhe ka vënë një kapele të lartë dhe i drejtohet drejtpërdrejtë shikuesit. Gjatë Luftës së Parë Botërore, ky portret i Samit me fjalët “Unë të dua ty për ushtrinë Amerikane” u përdor si poster rekrutimi (shiko foton lart). Imazhi, që u bë jashtëzakonisht i njohur, u përdor për herë të parë në kopertinën e Leslie’s Weekly, në korrik të vitit 1916, me titullin “Çfarë po bën për përgatitjen?” Posteri u shpërnda gjerësisht dhe më pas është përdorur disa herë me tituj të tjerë.

Fraza “Dajë Sem” është njohur zyrtarisht nga Kongresi Amerikan si një simbol i Shteteve të Bashkuara në vitin 1961.

Wilson vdiq në moshën 88-vjeçare në vitin 1854, dhe u varros pranë gruas së tij, Betsey Mann, në Varrezën Oakwood në Troy, New York, qytetin që e quan veten si “Shtëpia e Dajë Semit.”

1911 – Poeti francez Guillaume Apollinaire arrestohet nga policia nën dyshime për vjedhjen e pikturës Mona Lisa nga muzeu i Louvrit. Ai u lirua pas 1 jave për mungesë provash. Dy vjet më vonë, një ish-punonjës i Luvrit u arrestua ndërsa po përpiqej t’ia shiste pikturën e famshme të Da Vincit një tregtari arti. Vjedhësi ishte strehuar disa kohë në shtëpinë e Apollinairit, dhe ky i ktheu muzeut një numër statujash të lëna nga vjedhësi në shtëpinë e tij. Gjatë hetimeve Apollinaire implikoi edhe mikun e tij Pablo Pikaso, i cili u muar disa herë në pyetje dhe doli se ishte i pafajshëm. Apollinaire, i njohur si poet, ishte gjithashtu aktiv si gazetar dhe kritik arti. Në rrethin e miqve të tij bënin pjesë shumë shkrimtarë, artistë dhe intelektualë të njohur të kohës, përfshi Faik Konicën.

1953 – Nikita Hrushovi u zgjodh sekretar i parë i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Deri në vitin 1964 – sa qëndroi në detyrë – Hrushovi ishte përgjegjës për de-stalinizimin e pjesshëm të vendit, për nxitjen e programit sovjetik të hapësirës dhe për disa reforma liberalizuese në fushat e politikës së brendshme.

1956 – Delegacioni qeveritar shqiptar, i përbërë nga Enver Hoxha, Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia mbërrin në Phenian ku u prit nga udhëheqësi koreano-verior Kim Il Sung.

1978 – Duke ecur nëpër urën Waterloo në Londër, disidenti bullgar Georgi Markov vritet nga një agjent i shërbimit të fshehtë bullgar, i cili përdori helm ricin të vendosur në majën e një ombrellë të projektuar posaçërisht për këtë qëllim.

1986 – Desmond Tutu bëhet i pari zezak që udhëheq Kishën Anglikane në Afrikën e Jugut.

1990 – Delegatët shqiptarë të mbledhur në Kaçanik miratojnë Kushtetutën dhe e shpallin Kosovën Republikë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet