Çfarë fsheh Rama brenda çitjaneve ?!!!

Publikuar më 10. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Dritan Laci

Askush nuk ka mëdyshje për shijet e Ramës në veshje, por shumëkush mund të ketë të gjithë të drejtën të gjykojë veshjen e një kryeministri, sa kohë është apo jo e përshtatshme për staturën e një politikani. Dhe këtu nuk flasim për çitjanet që Rama vesh ndërsa vjen vërdallë rrethimit të shtëpisë së tij, por për to me të cilat kryeministri shëtit dhe shfaqet në publik herëpashere.

Dikush e quan si stilizim që medemek u mëson shqiptarëve qytetarinë, dikush si një paragjykim komunist marrjen nëpër gojë te veshjes në publik të kryeministrit. E para do ishte shumë fyese për ne shqiptarët e vitit 2017 të mësonim stilizimin nga kryeministri i sotëm, po të kemi parasysh se sa chic visheshin politikanët e viteve ’20-’30. E dyta është edhe më naive si gjykim, sa kohë kryeministri është një figurë publike dhe gjithsecili ka drejtë të gjykojë veshjen e tij sa kohë e shikon të papërshtatshme me sjelljen protokollare të një shtetari.

Gjithsesi këto përqasje do të ishin tërësisht të pavlera nëse do të mbeteshim te gjykimi së jashtëmi i çitjaneve, pa hyrë së kuptuari ca më thellë se çfarë fshihet brenda çitjaneve të Ramës Kryeministër. Dhe për të kuptuar më mirë se çfarë simbolizojnë çitjanet e Ramës Kryeministër sot, do mjaftonte një foto sa për njëmijë fjalë e tij ditën që ishte në Fier. Një foto që u kthye shpejt në hit në rrjetet sociale, ku ndërsa Rama Kryeministër parakalonte gjithë krekosje para njerëzisë së pranishme në rrugë; ca të mbledhur me pahir, ca të tjerë kureshtarë; një burrë i vockël në trup i dalë nga rreshti, që nuk dihet se si u kishte shpëtuar vigjilencës së rojeve të kryeministrit, me kokën e zbathur kush e di sa kohë më parë nga hallet, i veshur si mos më keq, ia kishte ngulur sytë; me admirim apo me trishtim, këtë nuk di akoma ta përcaktoj; çitjaneve firmato të Kryeministrit të tij.

Sytë dhe portreti i një burri që kush do që e pa me siguri e ka personifikuar me sytë dhe portretin e Popullit të tij, të mpakur nga hallet e shumta të një politike që sa vjen dhe bëhet më e largët me realitetin gati tragjik në të cilin ndodhen, nëse do ti referohesha statistikave të Bankës Botërore ku 180 mijë shqiptarë (6.3 % e popullsisë) jetojnë pothuajse në mizerje me vetëm 3.5 dollarë në ditë, ndërsa 20 mijë pothuaj në varfëri ekstreme me 1.9 dollarë në ditë. Një foto që na tregon edhe njëherë se Shqipëria e vërtetë nuk janë çitjanet e Kryeministrit por sytë e atij burri. Por që na tregon edhe një aspekt tjetër; realitetin e shkëputur ku jetojnë politikanët shqiptar.

Mjafton të shikosh këtë foto të Ramës, një formë spektakolare adhurimi që kërkon ti japë vetes dhe audiencës, për të kuptuar se brenda çitjaneve fshihet një njeri që ka humbur lidhjen me masat por edhe me onturazhin e tij; ku i vetmi besnik që i ka mbetur është deliri i madhështisë; pikërisht fundi tragjik politik i çdo personazhi me sjellje populiste…..Një ego-maniak në psikoanalizë i cili ka humbur orientimin dhe me po kaq shpejtësi edhe mbështetjen.