Çfarë do të ndodhë së shpejti me vizat…

Shenasi Rama

Propozimi për të vendosur vizat nga Parlamenti i Holandës, do të aprovohet edhe nga qeveria e tyre. Do të masin ujërat, por do ta aprovojnë se ishte shumica. Më pas do të ketë edhe një ose dy shtete të tjera që do ta bëjnë këtë. Kjo është praktika. Më e pakta që mund të ndodhë është që të bëhet e ditur paraprakisht vetoja e këtyre vendeve për çdo proces integrimi për Shqipërinë.

Me pas propozimi i shkon Komisionit Europian, që edhe nëse nuk e aprovon, nuk ka gjasa të nisë ndonjë negociatë për integrimin. Çdo fjalë që thotë ambasadori i BE-së në Tiranë është thjesht për të qetësuar shqetësimin e krijuar në Shqipëri. Kjo i ka prekur në nervin jetik shqiptarët. Është një ndëshkim qe nuk ia merr frymën sistemit, por e vë parinë në pozicion kritik.

E vërteta është që sistemi Shengen ka probleme të mëdha dhe qetësisht, një pjesë e madhe e vendeve kanë nisur kontrolle selektive kufitare edhe në mes tyre. Tani do të vendoset më qartë një kufi midis BE dhe Shqipërisë. Efektet mbi shoqërinë shqiptare do të jenë të shumta. Radhët në ambasada, pagesat, koha, etj., por më keq do të jene mosha e tretë që shkon për spitale e vizita tek familjarët e tyre. Edhe më shumë do të jenë të prekur punëtorët emigrantë sezonalë që punojnë nga Prilli deri në Qershor në bujqësi e në shërbime. Rroga që mbledhin është shumë e pagesës një vit në Shqipëri. Shkëputja e emigranteve do të jetë më e ndjeshme, do të ketë shumë më pak emigrantë që kthehen.

Efekte mbi ekonominë do të jenë të ndjeshme gjithashtu. Bota e krimit nuk preket sepse strukturat nuk i cenohen shumë nga vizat. Politika e jashtme e shtetit shqiptar përfundimisht ka dështuar. Shkurt, gërr-vërret e paçavuret e Tiranës nuk e fshehin dot realitetin e frikshëm dhe të llahtarshëm që do të vijë duke u materializuar në dy vitet e ardhshme. Sllogani “Shqipëria- burgu që duam” është një tmerr që po materializohet dhe që do t’ju kushtojë shumë shqiptarëve. Tashmë jemi në karantine diplomatike. Ajo që vjen më pas është e ngadaltë, por jashtë  kontrollit te parisë, sepse presioni vjen duke u rritur.

Mbasi u prish me Kinën, i mori tetë vjet shtetit për të shkuar në gjendje kome. Tani, është lojë tjetër, por njëlloj, paria janë të papranueshëm dhe zgjidhjet e saj janë të patolerueshme. Ashtu si nuk funksionoi teknika “as lindje, as Perëndim”, nuk do të funksionojë taktika “edhe lindje edhe Perëndim”.

Paria ndërtoi një burg, shqiptarët e kthyen në çmendinë dhe BE do ta kthejë në një kamp përqendrimi. Hap pas hapi dhe me qetësi e dashuri. Në fakt, është koha për një fillim të ri. Por nuk janë njerëzit që duhet të bëjnë fillimin e ri. Paria nuk kthehet e nuk riciklohet tri herë dhe si do ajo vetë, sepse nuk kthehen tri herë brekët e Shukriut…tani edhe pse të krimbur me para, dhe pa kundërshtarë, e pa shqiptarë, prapë janë më keq se më 1959, më 1975 dhe më 1989.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet