Çfarë bisedoi ministrja Gjoni me kreun e Gjykatës së Strasburgut?

Axhem Imeri

Çfarë bisedoi ministrja Gjoni me kreun e Gjykatës së Strasburgut? Axhem Imeri Koalicioni i Shoqatave të Pronarëve Kryesia e koalicionit të shoqatave të pronarëve të origjinës, e mbledhur për t’u prononcuar ndaj fenomenit “Biba” deklaron:

– E dimë që qeveria aktuale, qysh nga viti 2014, ka dashur të bindë Gjykatën e Strasburgut, për të vendosur në dëm të pronarëve. E dimë që qeveria ka dërguar disa herë emisarët e vet në Strasburg për manipulimin e drejtësisë, si Peleshi, Ahmetaj, Peçi, Manjani, Hysi, Hicka, Qato e të tjerë. E dimë që qeveria dërgoi në Komisionin e Venecias kopjen e pasaktë të ligjit nr. 133/2015 për të tërhequr miratimin e atij komisioni. E dimë që ministrja aktuale e Drejtësisë, Znj. Gjoni u takua në Stokholm, para disa muajsh, me presidentin e Gjykatës së Strasburgut (në kuadrin e konferencës së ministrave të Evropës) dhe i kërkoi atij: a) kthimin e dosjeve të pronarëve në Shqipëri, për t’i gjykuar sipas ligjeve tona. b) Deklaroi se pronarët në Shqipëri përbëjnë vetëm 0.6% të popullsisë, ndaj nuk duhen marrë në konsideratë. c) Deklaroi se po u kompensuan pronarët sipas vendimeve të Strasburgut, shteti ynë falimenton financiarisht.

  • – E dimë që qeveria e “Rilindjes” vepron me metodat e ish-Sigurimit të Shtetit, si bijë e denjë e atij sistemi. Por ne nuk kemi ditur dy gjëra:
    Që hartuesi kryesor i ligjit të turpshëm nr.133/2015, ish-zëvendësministri i Drejtësisë, Idlir Peçi, megjithëse në konflikt interesi, do na kthehej në qershor 2018, si ekspert i pavarur, si përfaqësues i shtetit të Holandës, në përbërje të Komisionit Europian që duhet të ndjekë edhe reformën e pronave në Shqipëri. Me paturpësinë që i karakterizon “rilindasit” deri në cinizëm, kërkon të na japë mend ne pronarëve se cili është interesi ynë. Kjo është dora e gjatë e qeverisë!
    2. Që sekseri i qeverisë, për fat i inçizuar, quhet “Biba” se qeveria përpiqet të arrijë atë që dëshiron, me forma të hapura (legale) nëpërmjet kërkesave është në të drejtën e saj. Në këto raste ajo merr mbi vete koston e injorancës së vet para institucioneve shkencore europiane. Por kur ajo fut në përdorim vemjet e veta të tipit “Biba” vetë qeveria mban përgjegjësi penale për diversionin që bën, për shantazhin që përcjell dhe për korrupsionin që ushqen. Ne nuk kemi asnjë dyshim në vërtetësinë e asaj që u ekspozua për Denar Bibën, por duam të vëmë në dukje se na ka bërë përshtypje vazhdimi i diversionit që ai bën, kur shprehet: “Nuk e kuptoj kush përfiton nga kjo gjë. As opozita nuk fiton gjë… Nuk kam dëshirë të bëhem pjesë e hallit të opozitës” Ai kërkon ta shesë llumin e vet si hall të opozitës, si çështje thjesht politike. “Biba” dhe gjithë vemjet e llojit të vet, bëjnë sikur nuk e kuptojnë që këtu janë interesat materiale të shqiptarëve që i kanë votuar. Këtu shfaqet morali mashtrues i qeverisë së Rilindjes. Në këtë mënyrë ushqehet korrupsioni, shkatërrohet ekonomia, boshatiset vendi nga njerëzit e tij. Këto pseudo intelektualë që pretendojnë të kapin majat e drejtësisë duan të vendosin standardin e vet në gjithë politikën shqiptare. Fjala më e ëmbël që mund të themi për ta është se janë injorantë të ekonomisë dhe politikës. Këta njerëz, politika i shtrydh si limon dhe i shkelmon si mbeturina sapo ajo ndjen erën e keqe që vjen afër saj. Biba dhe të tjerë si ai, të përgjigjen ligjit.

B   – Jemi të bindur se kjo qeveri as skuqet as zverdhet sepse nuk ka as turp, as moral, as frikë! Është fat për ne që nuk i merr askush seriozisht! Jemi të bindur që në Shqipëri janë goditur mbi 90% e popullsisë nga ligjet e pronave dhe kërkojmë drejtësi. Jemi të bindur se ligjet e pronave kanë shkatërruar bazën ekonomike të zhvillimit të shoqërisë dhe kanë varrosur mbi 10 000 njerëz. Jemi të bindur se ligji 133/2015 ndihmon në boshatisjen e Shqipërisë nga rinia (pa prona s’ka atdhe). Me këtë mentalitet drejtoni, intelegjenca nuk ka interes ta kalojë jetën nën thundrën e hajdutëve e kriminelëve. Mbrojtjes së këtij vendi, do t’i gjenden vetëm hajdutët të cilët do të mbrojnë pronat e vjedhura. Jemi të bindur që propaganda e “Rilindjes” mbyt zërat e të vërtetës, tremb e shantazhon hallexhinjtë, josh e korrupton të lëkundurit pa moral, paguan e vjedh, vota nëpërmjet biznesmenëve pranë saj.

C   Kur një qeveri është në vështirësi financiare na lindin pyetjet:
            – Pse pretendon me ligj që të paguaj edhe për pronat e lira (troje, pyje, kullota e livadhe) në vend që t’i kthejë fizikisht? Pse nuk zbaton vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ligjin 133/2015, për pikën 5 të nenit 6 që lejon kthimin fizik të pronave të lira? Pse merr përsipër të kompensojë nga buxheti edhe për tokat e ndara nga ligji 133/2015, përderisa ato prona nuk i ka marrë shteti, por privati? Pse nuk pranon që pronarin e ri ta lidhë ligjërisht me pronarin e vjetër dhe të shkarkojë barrën financiare të shtetit? A nuk e kupton sa qesharake bëhet kjo qeveri kur vendos të kompensojë deri 10m2 truall me një euro? Pse e ka më të lehtë që të godasë vazhdimisht interesat e pronarëve e jo ato të kastës së korruptuar? Pse e shfuqizoi ligjin nr. 8561 datë 22.12.1999 për interesin publik i cili e kushtëzonte këtë interes në 8 raste të mirë argumentuara dhe e zëvendësoi me ligjin nr.93/2015 ku përcaktimi interes publik vlerësohet nga V.K.M – ja e Kryeministrit pasi propozon ministri i Turizmit? A nuk është ky një rast i pastër i hapjes së portës së korrupsionit qeveritar? Pse u kalua në nivel më të ulët juridik përderisa ligji përcakton saktë ato raste?

D   – Konstatojmë se: Gjithë veprimet ligjore dhe administrative të kësaj qeverie, të hapura dhe në prapaskenë janë në kurriz të pronarëve, e ne interes të mafias qeveritare e cila as nuk e di dhe as nuk do t’i shërbejë këtij populli. Kjo qeveri nuk është ulur kurrë në tavolinë bisedimi me grupet e interesit, por ndjek parimin hoxhist: “thoni si them unë, mos bëni si bëj unë”. Pabesia dhe mashtrimi janë tiparet dalluese të kësaj qeverie. Propaganda (me paratë e popullit) e qeverisë udhëhiqet nga parimi “shpif, shpif se diçka mbetet”. Na vjen keq se nën efektet e kësaj propagande kanë rënë dhe njerëz të shtypit.

E Duke pas parasysh gjithë sa u tha më lart, ne deklarojmë: Do jemi pengesë në rrugën e qeverisë, derisa ajo të ulet në tavolinë si e barabartë me grupet e interesit. Derisa të bëhet një ligj i ri për korrigjimin e gjithë padrejtësive të ligjeve të mëparshme, ky vend nuk do të gjejë dot qetësi. Interesat tona nuk i përfaqëson asnjë individ që pranon veprimin e ligjeve të sotme të pronave. Kushdo individ që firmos modelarin e kompensimit në A.T.P, humbet përfundimisht të drejtat mbi pronën, ndaj tregohuni të vëmendshëm. Shpresojmë në seriozitetin e misionit të nisur nga Bashkimi Europian, sipas takimit më 22 Qershor 2018 me zonjën ambasadore Romana Vlahutin. Pa zgjidhur çështjen e pronave me drejtësi, vet drejtësia si institucion nuk do të mbijetojë dot!

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet