Çështje të taktikave elektorale

Publikuar më 13. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Gani Elezi

Në zgjedhjet e zhvilluara këto ditë në rajonin e Siçilisë, me afro 4.6 milionë votues “Cinque Stelle” (5 Yjet ) u votua sì forca e parë politike. Vetëm për 3 apo 4 % do të mund të merrte presidencën e rajonit, post të cilin e mori koalicioni i djathtë ku bënte pjesë edhe “Forza Italia” e Berluskonit. Duke u nisur nga ky rezultat Berluskoni deklaroi se sfida, tani, edhe në votimet në shkallë vendi, është mes të djathtës, pra Berluskonit dhe Chinque Stelle, Grillos. Partitë e tjera, edhe PD e Renzit që është në qeverisje, nuk i llogari fare. Nuk mund të flas shumë për këtë lëvizje. Nuk kam shumë informacion për drejtuesit, për elektoratin, për programin dhe objektivat e saj. Di që ka lindur si lëvizje qytetare që lufton kundër pushtetit të oligarkisë politike, financiare, mediatike dhe mafioze. Pra është vënë në krye të një lëvizjeje qytetare, është bërë zëdhënëse e kauzes së milionea qytetarëve, për një qeverisje më të mirë. Në krye të një levizjeje qytetare pa dallime moshe, profesioni, madje edhe politike.

Në këtë lëvizje njerëzit i bashkon pakënaqësia ndaj keqqeverisjes. Çfarë nuk e kane quajtur Grillon, kur tërë pasion fliste para qytetareve anë e mbanë Italisë. Klloun, komedian, madje edhe karagjoz. Por duke u vënë në krye të një lëvizjeje qytetare të fuqishme Cinque Stelle, komediani Grillo ka arritur rezultate që shumë pak i mendonin. U fut në zgjedhjet e përgjithshme me një listë që doli dhe u mbështet nga qytetarët e mori jo pak, por 26% të vendeve të parlamentit dhe të senatit të Italisë. Në disa zgjedhje rajonale po ashtu ka arritur rezultate shumë të mira. Ka marrë kryetarin e bashkisë në Romë, në Torino dhe në disa qytete të tjera. Tani në Siçili u provua si forca e parë politike, duke sfiduar disa parti tradicionale të djathta dhe të majta. Tani drejtuesit e saj, ndër ta Di Maio, pretendojnë që në zgjedhjet e rradhës të konfirmohen si parti qeverisëse në Itali. Do ta arrijë këtë objektiv ose jo Cinque Stelle kjo do provohet ditën e zgjedhjeve. Mund të ketë sukses ashtu si edhe mund të dështojë. Por edhe sa ka arritur deri tani Cinque Stelle ka qenë një shembull domethënës se si një lëvizje qytetare, një parti e Re, mund të futet në një betejë për qeverisje dhe të ketë sukses. Ka patur edhe shembuj të tjerë që mund të shërbejnë si përvojë në luftën politike. Eshte rasti Syrizës në Greqi, aktualisht në qeverisje. është Podemos në Spanjë që ka marrë në qeverisje disa qytete të medha, lëvizja Vetëvendosja në Kosovë, por përvoja e Cinque Stelle është më e veçantë.

E bëra këtë parantezë të gjatë për ta “çuar gjuhën atje ku ne na dhemb dhëmbi”. Për diskutuar nëse në nje rrugë të tillë mund të ecë edhe e majta jonë revolucionare. Jo e majta që është në qeverisje, por e majta që seriozisht është kundër qeverisjes së këtyre 27 viteve postsocialiste. Që është kundër oligarkisë politike , financiare, mediatike dhe mafioze. Kundër krimit dhe korrupsionit, që e kanë çuar vendin, popullin shqiptar në kufijtë e mosekzistencës. Kundër atyre që për interesa partiake e personale shesin, kanë shitur interesat e Shqipërisë. Duke e shtruar këtë çështje për diskutim nuk dua të njësoj këto lëvizje qytetare me një parti të majtë revolucionare. Ndryshojnë shumë në synimet finale, por në rrugët dhe taktikat për t’u bërë faktor i rëndësishëm politik, madje edhe për të marrë qeverisjen e vendit nuk ndryshojnë, nuk duhet të ndryshojnë. Në këtë rast nuk flas për programin dhe produktin qeverises, flas vetëm për taktikat elektorale për të marrë përgjegjësinë qeverisëse. Tjetër janë programet qeverisëse, synimet strategjike. Ato ndryshojnë nga përkatësia klasore e çdo partie politike. Tjetër janë rrugët, taktikat elektorale për të marrë përgjegjësinë qeverisëse.