Çështja ekziston, Tsipras të takojë Servetin nga Çamëria

Arian Galdini

Servet Mehmeti është një burrë me flokët e bardha borë, i cili ka ardhur 2 apo 3 vjeç në Shqipëri. Është bir në një familje me shumë fëmijë që u rritën vetëm nga nëna e tyre sojlie, për të cilën, kur e kujton e flet për të, xhaxhi Serveti përlotet. Vuajtjet dhe sakrificat e nënës së tij për të ushqyer, shkolluar e rritur me dinjitet fëmijët e saj, xhaxhi Serveti i ka të skalitura si 10 urdhëresat e Zotit në pllakat e gurta të Moisiut. Ajo nënë çame, nuk i pa kurrë varfërinë, mungesat, padrejtësitë, si shkase e arsye për të ushqyer smirë, mllef, ligësi, dorëzim apo marifete te fëmijët e saj. Përkundrazi, çdo ditë mjerimi e zbukuroi me këngët e gëzueshme të krahinës së Çamërisë. Çdo mungesë e padrejtësi e mveshi me histori burrash e trimash Çamërie që luftonin për të mbrojtur vendin e tyre, tokat, pronat dhe familjet e tyre, që lundronin deteve për të bërë tregti me botën, që punonin nga agimi në muzg për të ndërtuar të mirat,  që së bashku zhvillonin qytezat, lagjet dhe fshatrat ku jetonin, e që kurrë nuk bënin armiq, e që lindnin e vdisnin kryelartë. Asnjëherë nuk e pa a dëgjoi nënën e tij, Servet Mehmeti që të shante, mallkonte a urrente ndokënd për hallet e mëdha që i kishin rënë si male mbi shpinë. Ajo dinte të bënte gjellë e haje të shijshme edhe nga ajri. Dinte ti ngopte fëmijët e saj me gëzimin e buzëqeshjen e saj. Dinte ti ngrohte kur kishin ftohtë, me dashurinë e saj. Kur ishin pa strehë, ajo u tregonte fëmijëve të saj se trimat e Çamërisë ishin yjet e qiellit dhe i mbronin ata nga shiu, bora, ftohma dhe të ligjtë. Kur gjenin strehë, ajo u thoshte fëmijëve se pluhuri i yjeve të qiellit i kishte bërë ato mure e atë çati, që ata të ishin gjithmonë e të pandarë nga trimat e Çamërisë. E kur fëmijët e pyesnin se përse ishin pa shtëpi, përse ishin pa baba, përse ishin të varfër, ajo me sytë lart nga qielli e të lagëta si deti Arpicës u përgjigjej, i kemi edhe shtëpinë, edhe të mirat edhe babain, i kemi. Fëmijët që kurrë nuk e kishin parë të qante nënën e tyre, i uleshin përreth e përpiqeshin të kuptonin nga valët e detit të lotëve që i rrëshkisnin në faqe nënës së tyre, se nëse i kishin të gjitha këto, çfarë i kishte prurë larg tyre. Jemi në atdheun tonë, por jo në vendin tonë, u thoshte teksa psherëtinte nëna. Me kaq e mbyllte detin në sy dhe niste të këndonte tumankuqen a ndonjë këngë tjetër të gëzueshme çamërie. Ku e gjente forcën ajo nënë që detin e lotëve ta mbyllte me këngë të gëzueshme, asnjëherë nuk e kuptoi askush. Derisa fëmijët u rritën e këngët u bënë histori dhe historitë u bënë kujtesë, e kujtesa u bë ndërgjegje, e ndërgjegjja u bë kushtrim. Në ditët e sotme, xhaxhi Serveti është ai plaku i moçëm e i urtë që qëndron në udhëkryq e të dëfton se cila është rruga që të çon e të kthen, e cila është ajo që s’të kthen. Deti i Arpicës në sytë e nënës së tij është bërë shkumë e bardhë dallgësh të rrepta në flokët e tij. Këngët e trimave të Çamërisë janë bërë urtësi në fjalët e tij. Historitë e Çamërisë janë bërë fuqi dhe drejtësi në mendimet e veprimet e tij. Kujtesa është bërë kudhra dhe çekani i karakterit të tij. Ndërgjegjja dhe kushtrimi janë bërë arsyeja e jetës së tij. Njëlloj si atëherë kur ishte 2 a 3 vjeçar, ai pyet, përse jam larg detit të Arpicës, larg shtëpisë sime, larg babait, përse?  Me këto pyetje ai jetoi çdo ditë të jetës së tij. Me këto pyetje u bë edhe njëri ndër themeluesit dhe Kryetari i Shoqatës Çamëria. Me këto pyetje u përlesh para Kuvendit të Shqipërisë në vitin 2004, ndërsa e përgjakte policia që mbronte deputetët që kishin frikë të votonin Rezolutën Çame. Me këto pyetje e fitoi Rezolutën Çame. Me këto pyetje iu bë krah e mbështetje shumë miqve e çamëve të përkushtuar që të themelonin partinë e kauzës çame. Me këto pyetje refuzon t’i bindet kufizimeve të moshës dhe si një luftëtar i paepur e nis dhe bitis ditën duke notuar në detin e Arpicës që i kanë ngulitur në mendje sytë e lagët të nënës së tij. Ai noton në ato sy, noton në atë det sepse kërkon bregun. Është Uliksi i kohëve moderne. Kërkon Itakën e tij. Kërkon atë Itakë ku ka shtëpinë, babain dhe detin ku lundronin të parët e tij. Do të prekë ata gurë që ngriti me duar babai i tij për të ndërtuar shtëpinë. Do të shkelë në atë tokë ku prehet babai i tij e shumë të tjerë që u vranë e masakruan pabesisht nga bandat e Napoleon Zervës. Do të shohë atë prag prej nga ku e larguan përdhunshëm, krejt pa arsye ndërsa ai ishte vetëm 2 a 3 vjeç. Do të shkojë në vendin e tij. Në Tiranë e ngado në Shqipëri, të gjithë ata që e njohin Servet Mehmetin, e nderojnë si një njeri e burrë të rrallë. Shpesh ai ngjason me ndonjë nga ata yjet lart në qiell si në rrëfenjat e nënës së tij që ka zbritur këtu si burrë i çmuar Çamërie. Ai këtu është në atdheun e tij. Por nëna i ka lënë amanet që të mos harrojë kurrë vendin e tij, shtëpinë e tij, babain e tij. Kur dëgjonte Tsiprasin, ministrin e Jashtëm të Greqisë, Kotziasin e të tjerë politikanë atje, të deklarojnë se çështja çame nuk ekziston, xhaxhi Serveti i ndjen sytë e t’i bëhen si deti i Arpicës.  Kur dëgjon t’i thuhet se shtëpia, toka, babai i tij, nuk ekzistojnë, deti i syve të tij dallgëzon furishëm. Kur dëgjon t’i thuhet nga Qeveritarët e Greqisë se në moshën 2 a 3 vjeçare ai është dënuar nga Gjykata si bashkëpunëtor i nazizmit, furia e dallgëve në detin e syve i mbyt faqet dhe zemrën. Servet Mehmeti është në Tiranë. Atdheu i tij është Shqipëria. Shtëpinë, tokën dhe babain i ka në Arpicë. Nëse Qeveritarët e Greqisë thonë se Servet Mehmeti nuk ekziston, ndoshta duhet që vetë Kryeministri Tsipras të vijë në Tiranë për ta pirë një kafe me xhaxhi Servetin. Xhaxhi Serveti nuk është armik i Greqisë, nuk i urren grekët. Përkundrazi. Atje në Greqi ai ka vendin e tij  ka tokën, shtëpinë, pronat dhe babain e tij. Ai do vetëm të shohë detin e Arpicës. Është thinjur duke notuar në detin e Arpicës nëpërmjet syve të nënës së tij. E nuk do që sytë e tij të bëhen det Arpice për fëmijët e tij.  Do vetëm të shohë detin me sy, që ta heqë detin nga sytë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Tradhtia e patriotizmit

Nga Koço Kokëdhima Në të njëjtën ditë që Rama përmbysi shqiponjën “korb” në hyrje të Tiranës, Macron në Paris fliste…

Abissnet