Çështja Çame në kapërcyellin e Luftës së Dytë Botërore

Foto 1 nga 2 Pas Para

Disa raporte të diplomacisë amerikane dhe britanike në përkujtim të ngjarjeve të ndodhura 75 vjet më parë. Mbërritja e Misionit Amerikan në Shqipëri dhe raportet shqiptaro-greke të kohës

Agron Alibali  

Punimi i mëposhtëm është pjesë e një studimi të zgjeruar për aspekte juridike të çështjes çame, të cilin ende e kemi në dorë. Ekstraktin po e botojmë për herë të parë, në përkujtim të viktimave të ngjarjeve të ndodhura 75 vjet më parë.

Misioni Amerikan në Shqipëri

 Me 12 prill 1945 kapiteni shqiptaro-amerikan Tom Stefan, i cili ndodhej në Shqipëri në kuadrin e Zyrës së Shërbimeve Strategjike (OSS), merrte këtë njoftim zyrtar nga Mihal Prifti, Shefi Protokollit të Këshillit të Ministrave: “Kryeministri më ka kërkuar t’ju komunikoj sa më poshtë: Misioni amerikan i kryesuar nga Xhozef Xhejkobs [Joseph Jacobs] është i lirë të hyjë në Shqipëri”. Fillonte kësisoj një prej misioneve më të vështira diplomatike të qeverisë amerikane në Shqipëri, i cili pak më vonë do të mbyllej. Misioni i Posaçëm Amerikan i kryesuar nga Z. Xhejkobs, diplomat karriere dhe me përvojë, kishte si qëllim kryesor studimin e gjendjes në Shqipëri dhe hartimin e një raporti të hollësishëm që do të ishte në themel të vendimit për njohjen ose jo të qeverisë së Tiranës. Misioni hasi pengesa të shumta logjistike, si në mungesë personeli ashtu dhe politike. Z. Xhejkobs ishte oficer i Shërbimit të Jashtëm i Klasit I, dhe kishte qenë këshilltar i Legatës Amerikane në Kajro për 4 vjet me radhë. Propozimi për emërimin e tij në rangun e Ministrit në Tiranë iu paraqit Presidentit Ruzvelt [Roosevelt] me 25 nëntor 1944, d.m.th. rreth një javë pas hyrjes së qeverisë së Enver Hoxhës në Tiranë. Ndërkohë, diplomacia greke filloi të veprojë kundër qeverisë së re të Tiranës, njëlloj siç kishte vepruar kundër njohjes së autoritetit të Mbretit Zog gjatë Luftës. Ambasadori grek Cimon P. Diamantopoulos në 6 dhjetor 1944 njoftoi Departamentin Amerikan të Shtetit për qëndrimin e qeverisë së vet [të shprehur me telegram] se qeveria greke “kundërshtonte fuqimisht formimin e një Qeverie në Shqipëri”, duke iu referuar Enver Hoxhës si “Turk Mysliman”, dhe duke shtuar se forcat e këtij të fundit “po terrorizonin dhe shtypnin minoritetin grek në Shqipërinë e Jugut”.

Edhe pse e ndodhur në gjendje të vështirë në rrafshin e brendshëm nga ngjarjet e Dhjetorit 1944 në Athinë, qeveria greke e Jorgo Papandreut, vazhdonte qëndrimet tradicionale anti-shqiptare, që synonin të neutralizonin reagimin institucional shqiptar ndaj pretendimeve territorial greke, si edhe të largonin vëmendjen ndaj ngjarjeve të pashembullta që kishin ndodhur dhe vazhdonin të zhvilloheshin në Çamëri. Nga ana tjetër, trysnia britanike ndaj qeverisë shqiptare në mbështetje të pretendimeve greke arriti përmasa absurde në fund të vitit 1944. Në fund të dhjetorit 1944 qeveria britanike i përcolli instruksione Kolonelit Palmer, që “Britania do ta shikonte hyrjen e mundshme të trupave shqiptare në Greqi si një veprim armiqësor”. Përse anglezët ishin të shqetësuar për një lëvizje të mundshme ushtarake të UNÇ në Çamëri? Ka të ngjarë që pushteti i ri i sapovendosur në Shqipëri të kishte filluar më në fund të njihej me përmasat e vërteta të tragjedisë çame. Mijëra njerëz të pafajshëm, shumica pleq, gra dhe fëmijë, kishin gjetur strehim të përkohshëm në “Çamërinë e Lirë”, d.m.th. në rrethet e Konispolit dhe Sarandës. Në kushte tejet të vështira humanitare, me mungesa të theksuara ushqimore, veshmbathjeje, medikamentesh, etj., kjo masë e madhe njerëzish priste qetësimin e gjendjes në Çamëri për t’u kthyer sa më pare në shtëpitë e veta. Por, nga ana tjetër, kushtet e vështira të motit dhe mungesat e tjera të jashtëzakonshme kishin sjellë si pasojë vdekjen e një numri të madh të refugjatëve të luftës nga Çamëria.

Me shumë gjasë, Qeveria e re në Tiranë ishte vënë në dijeni të kësaj situate të pashembullt. Kontrolli i hekurt që Enver Hoxha vendosi shpejt mbi mbarë vendin e përjashton mundësinë që gjendja e refugjatëve Çamë të luftës t’i kishte shpëtuar vëmendjes së Tiranës. Qeveria shqiptare, natyrisht, ndiqte me vëmendje zhvillimet në Greqi dhe ishte e shqetësuar ndaj pretendimeve dhe propagandës greke. Në këtë kuadër, duhet patur parasysh se qeveritarët e rinj në Tiranë kishin marrëdhënie të afërta me forcat e majta greke të EAM/ELAS-it. Mirëpo Enver Hoxha e kuptonte qartë se hyrja e brigadave partizane në Çamëri mund të sillte zhvillime të paparashikueshme dhe të papëlqyeshme. Prandaj ai mund të ketë ndjekur një rrugë tjetër, që mund të dukej më e arsyeshmja në ato kushte dhe rrethana: atë të bashkëpunimit me forcat e majta greke, që në atë kohë, kontrollonin pjesë të gjera të territorit grek, dhe madje kishin edhe një qeveri “të maleve”.  Prandaj, më një takim në fund të dhjetorit 1944 me përfaqësuesin e OSS në Tiranë, që duhet të ketë qenë Tom Stefani, Enver Hoxha “mohoi kategorikisht që trupat e tij të ndodheshin në Çamëri ose përtej kufirit jugor në çfarëdo vendi dhe shtoi se ai nuk do të përzihej në çështjet [e brendshme] greke. Edhe Mehmet Shehu [Shef i Shtabit i UNÇ-së] mohoi raportet e BBC-së për një ndërhyrje të tillë në faqen e parë të Gazetës “Bashkimi”, numri i 26 dhjetorit [1944].” Sipas burimeve britanike, në të njëjtën kohë, Fronti Nacional Çlirimtar kishte arritur një marrëveshje me EAM-in për kthimin e çamëve në Çamëri. Këtë marrëveshje deri më sot nuk e kemi gjetur. Gjithsesi, si rrjedhim i saj, “në janar 1945 rreth 5000 çamë u kthyen në Greqi”.

Mirëpo pritja që iu rezervua atyre nga autoritetet greke ishte po aq mizore. Burimet zyrtare angleze shprehen me një cinizëm krejt të pazakontë, të panevojshëm, dhe aspak të merituar. “Nuk është habi që [Çamët] u sulmuan nga grekët, etja për hakmarrje e të cilëve u mpreh nga dëshira për t’i shpronësuar ata prej fushave të pjellore, të cilat ata i kishin monopolizuar. Më pas, të gjithë çamët (18,000 deri në 20,000 veta) ikën për në Shqipëri”. Ky opinion zyrtar i Drejtorisë Kërkimore të Ministrisë së Jashtme britanike ngre pikëpyetje serioze për vërtetësinë e informacionit faktit në terren, që mblidhte Misioni Ushtarak Britanik në Epir në atë kohë, dhe që ia filtronte në raportet e veta qendrës në Londër. Po ashtu, pikëpyetje serioze ngrihen edhe për cilësinë dhe thelbin e vendimmarrjes në terren, për rrezikun që prirje apo simpati personale të ndikonin në vendimmarrje dhe në raportimin në qendër. Me fjalë të tjera, pyetja që shtrohet është se cili ishte ndikimi i oficerëve të Misionit Ushtarak Britanik në Epir ndaj vendimmarrjen politike në qendër në Londër në lidhje me tragjedinë çame. Në krye të Misionit Ushtarak Britanik në Greqi në atë kohë ishte Claire Montague Woodhouse. Lidhur me figurën dhe rolin e tij do të përqendrohemi më vonë. Tash veç mund të përmendim se te Memorandumet Studimore të Drejtorisë Kërkimore në Ministrinë e Jashtme Britanike pas gushtit 1944 pa dyshim që vërehet ndikimi i pikëpamjeve të Woodhouse. Për shembull, nëse në raportin e pare që kemi, atë të 10 gushtit 1944, për çamët thuhet se “nuk ka prova që ose Greqia don t’i dëbojë ata ose që ata kanë ndjenja të forta politike të shqiptarizmës…”, në raportin periodik një vit më pas është shtuar kjo frazë: “Tash kemi mësuar, megjithatë, se këta shqiptarë myslimanë, fillimisht ndihmuan pushtuesit italianë, dhe më vonë ndihmuan gjermanët kundër Zervas. Rrjedhimisht, kur gjermanët u tërhoqën, shumë prej shqiptarëve – në disa raste fshatra të tëra – e menduan të këshillueshme për të emigruar për në Shqipëri, sepse grekët ndjenin ndaj tyre tashmë një urrejtje thuajse fanatike”.

Diplomati amerikan në Tiranë, z. Xhejkobs u prit nga Enver Hoxhanë mëngjesin e 9 majit 1945. Në takim z. Xhejkobs shpjegoi qëllimin e misionit të tij. Enver Hoxha, nga ana e vet, e siguroi diplomatin amerikan se misioni do të ishte i lirë të kryente punën e vet, por ia bëri fare të qartë se “shpresonte që qeveria e Shteteve të Bashkuara do ta njihte pa vonesë regjimin e tij”. Vetëm katër ditë më vonë, z. Xhejkobs do të dërgonte një telegram tjetër Departamentit të Shtetit, ku raportonte vëzhgimet e veta lidhur me gjendjen në Shqipëri për javën që përfundoi me 12 maj 1945. Ai përmend shkurt edhe përmbajtjen e bisedave me Enver Hoxhën dhe Omer Nishanin, si dhe vizitat që i bënë atij dy nëpunës të Bankës së Shqipërisë, Kuqali dhe Boshnjaku.“Pritja që i është rezervuar Misionit ka qenë e përzemërt, –thekson ai – dhe kam marrë shprehje të veçanta vlerësimi që misioni është civil, dhe jo ushtarak”. Lidhur me temën e studimit tonë, telegrami përmban një njoftim shumë domethënës: “Katër. Duket se ka zemërim në rritje ndaj refuzimit të Greqisë për të lejuar që refugjatët shqiptarë nga krahina e Çamërisë të kthehen në shtëpitë e tyre.”…Xhejkobs”. Ç’të kishte ndodhur vallë? Kujt “refuzimi” i referohet diplomati amerikan, ose më saktë, cilit akti administrative apo gjyqësor të shtetit greke? Në fakt, një “refuzim” më zyrtar kemi rreth një vit më vonë, sikurse do të sqarohet në Kreun për rolin e UNRRA-s në Çështjen Çame.

Kuvendi jashtëzakonshëm çam i majit 1945

Ndofta shënimi i Xhejkobs mund të pasqyrojë përgjigjen e qeverisë greke ndaj telegramit që Këshilli Anti-Fashist Çam i drejtoi Presidentit të Konferencës së San Françiskos, ku kërkohesh respektimi i të drejtave të komunitetit çam bazuar në Kartën e Atlantikut. Nuk kemi kohën e saktë të konstituimit të Komiteti Antifashist Çam, por ai duhet të ketë filluar të funksionojë fill pas ardhjeve të para masive në fund të qershorit dhe korrikut 1944 dhe deri në Kongresin e Parë Çam të Shalësit në shtator 1944. Dokumentin e parë që kemi në dorë, çka natyrisht nuk do të thotë se është absolutisht i pari, është një Deklaratë e Komitetit Antifashist Çam e 17 tetorit 1944, e shpallur një ditë më vonë. Dokumenti është thelbësor për të kuptuar qëndrimin e komunitetit çam atëherë, si dhe përmban mësime të paçmueshme për drejtuesit e lëvizjes çame sot. Dokumenti quhet “protestë”, dhe i është dërguar, përveç qeverive të Britanisë së Madhe, Bashkimit Sovjetik dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe Shtabit të Përgjithshëm Aleat të Mesdheut, edhe Qeverisë së Unitetit Kombëtar të Greqisë, Governatorit të Epirit, Komitetit Qendror të EAM-it, Komitetit PanEpirot të EAM-it, Komitetit Qarkor të EAM-ut në Filat [Filat, Chameria]. Pasi denoncon dhe dënon krimet e pashembullta ndaj komunitetit çam, Protesta thekson se “krimet u kryen nga E.D.E.S., në emër të çlirimit kombëtar në një kohë kur Nazizmi ishte pranë disfatës”.  Protesta hidhte poshtë përgjegjësinë kolektive të mveshur ndaj një komuniteti të tërë:  “Shqiptarët e Çamërisë nuk e mbajnë veten përgjegjës për krimet kundër grekëve dhe shqiptarëve të Çamërisë…të kryera nga klika fashiste e familjes Dino dhe pronarët vendas [local landlords].  Shqiptarët e Çamërisë nuk ranë pre e planeve të E.D.E.S., prandaj edhe po vuajnë”.

Më pas, Protesta thekson qëndrimin themelor dhe afirmon interesin strategjik të komunitetit çam: “Minoriteti shqiptar në Çamëri e konsideron veten si pjesë integrale e popullit grek, me të cilin kanë interesa të përbashkëta. Gjaku i derdhur në luftën e përbashkët për çlirimin e Greqisë e forcon edhe më shumë lidhjen vëllazërore midis tyre”.

Protesta paraqet këto kërkesa para Qeverisë Greke:

  1. Kthimin e menjëhershëm të popullssë së Çamërisë dhe dhënien e sigurimeve për vendosjen dhe mundësinë për të jetuar.
  2. Dërgimin e menjëhershëm të përfaqësuesve të qeverisë në Çamëri për hetimin dhe gjykimin e fajtorëve.
  3. Dërgimin e menjëhershëm të furnizimeve ushqimore dhe me medikamente e nevoja të tjera për popullsinë.
  4. Largimin e menjëhershëm të ushtarëve të E.D.E.S.-it nga rajoni i Çamërisë me qëllim ruajtjen e nderit, jetës dhe pronave të popullsisë.
  5. Barazinë e plotë të të drejtave, mbështetur në parimet e Kartës së Atlantikut dhe bazuar në pjesëmarrjen tonë në luftën e popullit grek kundër agresorit të huaj.
  6. Lirimin e menjëhershëm të 300 grave dhe fëmijëve që mbahen në kampe përqëndrimi në Filat dhe Paramithi.

 Çamëria e Lirë Komiteti Antifashist i Çamërisë 17.10.1944.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet