Certifikatë pronësie për 12 mijë ndërtime në të gjithë vendin

Vendimi i Kadastrës/ Nisin procedurat për legalizimin e trojeve të shitura nga bashkitë në vend. Pjesë e procesit, ndërtimet e viteve 1991-2007. Shtatë rastet kur ndërtuesi do përfitojë tapinë

Të gjithë ata që kanë ndërtuar në periudhën 1991-1997 dhe në vitet 2006-2007 në truallin që u ka dhënë bashkia dhe nuk kanë marrë certifikatë, do të përfshihen në procesin e regjistrimit dhe pajisjes me dokumentin e pronësisë. Në të gjithë vendin janë 13 mijë të evidentuara, të cilat nuk e kanë marrë ndonjëherë certifikatën e pronësisë. Procedurat për pajisen me tapi dhe dokumentet që duhet të dorëzohen nga pronarët e ndërtimeve apo të truallit i ka shpjeguar dje kreu i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame, i cili pohoi se do të nisë procesi për regjistrimin e pajisen me dokumentet të të gjitha pronave që kanë qenë problematike. “Me VKM-në e vitit të kaluar, vumë në rrugën e zgjidhjes ndërtimet e përpara vitit 1991, por Bashkitë edhe pas atij viti (pra 1991) kanë vijuar në mënyrë masive të ndajnë troje banimi për nevoja të tyre. Këto troje, në shumicën e tyre janë dhënë pa procedura të rregullta, me procedura që kanë mbetur varur, apo edhe pa procedura fare. Me këto dokumente qytetarët kanë vijuar ndërtimin dhe në fund janë gjendur përpara situatës ku nuk kanë mundur të regjistrojnë si të ligjshme banesat e tyre, për shkak të dokumentacionit të mangët të truallit”-deklaroi Lame . Sipas tij procesi i dhënies së këtyre trojeve nga Bashkitë ka filluar që në vitin 1991 me Komitetet Ekzekutive Pluraliste, ka vijuar më pas vit pas viti me Bashkitë, ka njohur pikun e vet në vitet 1996-1998 dhe më pas ka qenë më i kufizuar, pavarësisht se në mënyrë absurde ka vijuar edhe në vitet 2006-2007.

Ndërtimet

Në të gjithë vendin janë rreth 12-13.000 banesa dhe troje në këtë situatë absurde, ku rekordin e mban Saranda me rreth 3500 troje të dhëna në këtë mënyrë. “Të tilla troje ka me shumicë edhe në Gjirokastër, në Përmet, Kolonjë, Tepelenë, Berat, Fier, Elbasan, Lezhë, Kukës, Shkodër, etj. E them me përgjegjësi që, në një pjesë të rasteve, procesi i dhënies së këtyre trojeve ka qenë i parregullt apo i paligjshëm. Por pavarësisht kësaj, faji nuk është i banorëve, por i vetë njësive vendore apo i Kryetarëve të Bashkive dhe Këshillave Bashkiakë, që i kanë hyrë këtyre aventurave, për të cilat ende sot e kësaj dite pasojat i paguajnë qytetarët të cilët kanë qenë në mirëbesim”, tha Lame. Vendimi i miratuar në mbledhjen e fundit të Qeverisë (VKM 329/2019), përcakton rregullat dhe dokumentacionin e nevojshëm që mundëson regjistrimin në zyrat vendore të Kadastrës të këtyre trojeve dhe banesave. Qytetarët që e vuajnë këtë situatë, duhet të fillojnë të grumbullojnë dokumentacionin që kanë, pra aktin për dhënien e truallit, faturën e pagesës së truallit, lejen e ndërtimit përkatëse, apo çdo lloj dokumenti tjetër provues. Pas kësaj, duhet të paraqesin kërkesë pranë zyrave vendore të Kadastrës, për regjistrimin e truallit dhe të objektit përkatës.

Trualli

Pronësia, si trajtohen rastet nga bashkitë

Trualli i përfituar me Vendim të Këshillit Bashkiak, e dhënë për leje ndërtimi, është ende në emër të qytetarit dhe ky i fundit, nuk e ka shitur te të tjerë, ai mund të kërkojë regjistrimin. (nëse nuk është regjistruar dhe shesë/blejë apo ta vërë kolateral lirisht, atë nëse janë plotësuar këto kushte). Kur ka mangësi të dokumenteve, por për subjektin është miratuar të paktën vendimi i Bashkisë për dhënien e tokës për ndërtim, regjistrimi i pronësisë ose heqja e kufizimit, kryhet pasi Bashkia të ketë plotësuar mangësitë e dokumentacionit ose procedurat e kalimit të pronësisë. Nëse Bashkia nuk vepron brenda 3 muajve, atëherë qytetarit i lind e drejta për ta çuar në Gjykatë. “Ky proces si fillim kërkon bashkëpunimin e domosdoshëm të Bashkive përkatëse. Kjo, jo thjesht prej faktit që ato e kanë iniciuar këtë proces dikur, por edhe sepse ato janë depozitare të dokumentacionit fillestar. Por, Qeveria ka parashikuar edhe situatën e vazhdimit të neglizhencës së Bashkive, pasi VKM e miratuar parashikon që për rreth gjysmën e tipologjive, procedura të vijojë direkt midis qytetarit dhe Agjencisë së Kadastrës. Përfitoj nga rasti të ftoj qytetarët që, në këto procese le të përfshijnë zyrat e avokatëve, të cilët, duke qenë më të specializuar, janë në gjendje t’i ndihmojnë në përgatitjen e dokumentacionit përkatës. Kjo në shumë raste lehtëson edhe punën tonë në trajtimin e këtyre praktikave. Nesër qytetarët po deshën le të merren edhe me protestën e Opozitës, por nga e hëna i ftoj të fillojnë të përgatisin dokumentacionin përkatës për të ligjëruar pronën dhe banesën e tyre”, shpjegoi Lame. /N.GJ/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet