Catherine Bohne: Unë amerikania që luftoj për Valbonën deri në Bruksel

Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, aktivistja amerikane për mbrojtjen e Alpeve Shqiptare, Catherine Bohne, thekson se situata e lumenjve në Shqipëri nuk është e mirë, legjislacioni nuk po zbatohet dhe se opinioni i publikut nuk respektohet

Erjon Dervishi

Problematike e HEC-ve në Shqipëri është kthyer në një situatë shqetësuese për vendin dhe natyrën e Shqipërisë. Para disa javësh, Parlamenti Evropian zhvilloi një seancë speciale për çështjen e rivierës shqiptare dhe rrezikun e lumenjve, të cilët po shkojnë drejt shkatërrimit dhe shterimit të tyre. E pranishme në atë seancë ishte edhe Catherine Bohne, Themeluese e organizatës “Toka”, (The Organisation to Conserve the Albanian Alps). Kjo organizatë vepron posaçërisht për mbrojtjen e lumit dhe zonës së Valbonës. Në jo pak raste Znj. Bohne ka qenë pjesë e shtypit në vend, për të mbrojtur këtë thesar të natyrës shqiptare. Gjatë intervistës së saj ajo thekson se Shqipëria ka një legjislacion të pasur, por që nuk zbatohet totalisht, shumë mendime dhe opinione të shoqërisë dhe grupeve të eksperteve nuk merren parasysh fare.

Si e shihni gjendjen e lumenjve në Shqipëri, mënyrën e përdorimit të tyre?

Unë mendoj se Shqipëria është jashtëzakonisht me fat që ka kaq shumë lumenj të bukur dhe të paprekur, dhe se historia e njerëzve që jetojnë me këto lumenj është gjithashtu e çmuar dhe interesante. Mendoj se ka një histori interesante që mund të shkruhet në lidhje me atë se sa ligji zakonor “Kanun”, ka të bëjë me njerëzit që punojnë së bashku për të menaxhuar burimet e përbashkëta ujore. Kjo është me të vërtetë e mahnitshme, dhe një model i përgjegjësisë së komunitetit dhe menaxhimit të suksesshëm dhe të qëndrueshëm. Shqipëria duhet të jetë krenare për këtë! Duke qenë amerikane, unë u rrita duke u mësuar herë pas here sa e lehtë është të shkatërrohet natyra dhe sa shpejt mund të ndodhë. Nuk e di nëse kjo histori amerikane është thënë jashtë vendit, por ne flasim shumë për mënyrën se si evropianët arritën në atë që tani është SHBA dhe brenda 100 viteve kanë shkatërruar kaq shumë gjëra – pëllumbat shtegtarë janë shembulli klasik. Natyrisht amerikanët vendas. Historia e vendit tim është bërë nga njerëzit që mbërrijnë, e shohin gjithë këtë pasuri natyrore siç është ajo që Shqipëria ka akoma me tepricë, dhe pastaj vetëm duke u bërë shumë të pangopur dhe e shkatërrojnë atë shumë shpejt. Ajo që thyen zemrën time është se Shqipëria ka këtë mundësi të madhe për të mësuar nga ato gabime që ne kemi bërë. Unë do të them që Shqipëria mund të jetë në majë të Evropës, një lider në ruajtjen e natyrës dhe menaxhimin e qëndrueshëm. Në vend të kësaj, duket sikur jemi në një fazë shumë të rrezikshme, ku është një garë midis lakmisë private dhe sundimit të ligjit.

A mendoni se Shqipëria duhet të bëjë ndonjë ndryshim në legjislacionin e saj në lidhje me mbrojtjen e lumenjve dhe natyrës?

Sa mund të shoh, ka shumë ligje të mira tashmë në vend dhe procesi i pranimit në BE po e ndihmon këtë. Ne në të vërtetë kemi transkriptuar një direktivë në kuadrin e ruajtjes së burimeve ujore, por ajo thjesht nuk është duke u zbatuar. Duhej të ishin 6 plane të menaxhimit të pellgjeve të lumenjve deri në vitin 2012, mendoj, por vetëm dy janë bërë dhe nuk po zbatohen. Gjithashtu, problemi më i madh që shoh është dështimi për të zbatuar në mënyrë domethënëse ligjet tona mbi pjesëmarrjen e publikut dhe angazhimet tona ndaj konventës Aarhus. Kjo do të rregullonte shumë, mendoj. Por unë gjithashtu do të doja të shihja në praktikë propozimi që u kam bërë autoriteteve mbi krijimin e diçkaje të ngjashme me Akti amerikan “Rreziqe ndaj natyrës dhe faunës së egër”, i cili lejon që edhe pjesa e lumenjve të mbrohet përgjithmonë. Pasi një lumi i jepet ky status (i rrezikuar), ai nuk mund të tërhiqet, të modifikohet ose negociohet kurrë. Kjo është diçka shumë e fuqishme dhe do të ishte mirë ta kishim këtu. Sepse unë mendoj se shumë prej nesh kanë frikë se edhe kur fitojmë një betejë, ajo rikthehet më vonë (ashtu si mënyra se si veprohet me koncesionet e HEC-eve,  që thjesht ri-tenderohen disa vjet pasi një projekti anulohet). Mendoj se duhet të luftohet vazhdimisht për të mbrojtur thesaret natyrore të Shqipërisë, edhe pse deri tani ka qenë shterrues dhe kundër produktive. E gjithë kjo energji e mirë mund të përdoret më mirë.

Po në lidhje me situatën në Shqipërinë e Veriut. A mund të tërheqë Valbona vëmendjen e BE-së?

Kur ishim në Bruksel, në mars, ne i kërkuam BE-së të punonte nëpërmjet Delegacionit në Tiranë, për të inkurajuar qeverinë për të përfshirë më shumë njerëz lokalë. Ndihmoni qeverinë në tavolinë me njerëzit lokalë. Unë mendoj se ju mund të shihni se sa e fuqishme është kjo, kur marrim rastin çfarë ndodh në Kurbnesh. Disa ditë më parë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka anuluar një HEC, megjithëse ishte në pozicion shumë të vështirë nga administrata e mëparshme. Dheu unë e përshëndes ministrinë për këtë hap. Ne, gjithashtu kërkuam që ata të ndihmojnë të përqendrohen në gjërat, si procesi “Natyra 2000” – i nevojshëm për statusin e kandidatit për anëtarësim në BE – në vlerësimin e biodiversitetit në zona kyçe të kërcënuara si Valbona, Gashi dhe Kelmendi. Është çmenduri për mua, që këto zona po shkatërrohen (ose propozohen të shkatërrohen) pa studiuar edhe atë që ekziston atje!

A mund të na tregoni, cilat janë pengesat kryesore që duhet të përmirësojë Shqipëria për të mbrojtur Natyrën?

Lakmia afatshkurtër dhe konfuze, kapitalizmi i shfrenuar me demokracinë. Ato nuk janë e njëjta gjë. Në të vërtetë ato janë në shumë mënyra të kundërta polare, pasi kapitalizmi sipas definicionit duhet të konsumojë – nëse janë burime apo punë – për të krijuar pasuri të koncentruar. Demokracia duhet të sigurojë të mirën më të madhe për një numër më të madh njerëzish, për shumicën. Nuk ka asgjë të keqe me zhvillimin afatgjatë dhe të qëndrueshëm, për të krijuar pasuri të përbashkët. Në vitin 2017 isha ulur në një takim me Bashkim Ulajn pronarin e kompanisë “Gener 2”, dhe ai, që ishte pothuajse i tronditur – nga zemërimi mbase – më tha: Kush je ti, që më kërkon llogari? Por pashë diçka, kohët e fundit, ku ata janë krenarë që kanë punësuar mbi 900 njerëz në të gjithë kompaninë. Por, në Tropojë jetojnë të paktën 20,000 njerëz. Unë shikoj fëmijët e Tropojës, të rinjtë dhe mendoj: Ju jeni përparimi, ju jeni e ardhmja. Dhe çfarë do të lëmë për ta, nëse lumenjtë tanë shkojnë në tunele nën tokë, vendi thahet, pyjet zhduken dhe nuk do të ketë asgjë për të përdorur?

Dhe cila është e ardhmja e lumenjve dhe e hidrocentraleve, a do të bashkëjetojnë?

Unë besoj se ata munden. Megjithatë, hidrocentralet mund të hiqen. Kjo po ndodh tani në të gjithë Evropën. 100 diga janë hequr në Francë, Suedi etj. Në disa mënyra më shqetëson më shumë një rrezik më i madh, mungesa e imagjinatës për të ardhmen, për të pasur besim në një Shqipëri më të mirë. Do të doja të shihja një plan kombëtar koherent ku të gjithë shqiptarët të punojnë së bashku për ta imagjinuar Shqipërinë si parajsë që mund të jetë e lehtë për t’u bërë. Ne kemi donatorë nga Bashkimi Evropian dhe vende të tjera që janë të gatshëm  për të mbështetur projekte të zhvillimit të qëndrueshëm. Mund të ndodhë. Vetëm nëse mund të guxojmë të ëndërrojmë për një të ardhme më të mirë. Shqipëria ka burime, që vendet evropiane do t’u jepnin ndihmën e tyre për t’i ruajtur, pra që nuk mund të shkatërrohen. Nuk kanë mbetur lumenj të egër në Evropën e zhvilluar. Evropa është duke ligjëruar të krijojë llojin e menaxhimit të bashkëpunimit të komunitetit, që shqiptarët e kanë thellë në kulturën e tyre. Ne mund ta bëjmë atë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet