Cana dhe De Biasi, nisma për të prekurit nga tërmeti (VIDEO)

Tërmeti e ka gjetur në SHBA ish-kapitenin tonë të kombëtares, Lorik Cana, në një angazhim privat atje. Fatkeqësia e madhe, me 51 të vdekur e qindra të plagosur, ka bërë që legjenda kuqezi ta ndryshojë qëllimin e vizitës në “tokën e premtuar”. Ai ka bërë thirrje te shqiptarët e Amerikës që ta ndihmojnë vendin e tyre në këto ditë tepër të vështira. Nga Michigani, ku ndodhet, Loriku ka folur për “Zërin e Amerikës”, duke bërë me dije se po punohet me shoqatat dhe njerëzit atje për mbledhjen e donacioneve në ndihmë të të prekurve nga tërmeti i 26 nëntorit. Vetëm në ditën e parë janë mbledhur afro 50 mijë dollarë, shumë e cila mjafton për një banesë të re:

“Kemi mbledhur më duket diku rreth 50-60 mijë dollarë, vetëm në mbrëmjen e parë. Dhe ne i kemi inkurajuar njerëzit që të vazhdojnë dhe të japin donacione në këto ditë e në javët në vijim, aq sa munden. Duhet t’ua çojmë amanetin deri në fund, sepse në fund të fundit është një detyrë morale, është një detyrë shpirtërore dhe nuk luhet me momente të tilla. Ne me fondacionin dhe me shoqatat këtu në Amerikë do të evidentojmë shtëpi, shkolla, ose kopshte që kanë nevojë për rindërtim. Ndërhyrjen do ta bëjmë drejtëpërdrejt me fondacionin tim.

Unë jam shumë i bindur që do t’i ndihmojmë njerëzit, do t’i rindërtojmë banesat e prishura dhe do të ringrihemi si popull. Në momente të vështira e kemi dëshmuar këtë. Kemi ruajtur identitetin dhe gjuhën tonë. Dashuria për vendin, dashuria për të ndërtuar një shoqëri, dashuria për të investuar te gjeneratat që do të vijnë, nuk është diçka e cila fiket dhe ndizet. Është sikur besimi ndaj Zotit. Ne nuk mund ta ndezim pjesën e atdhedashurisë vetëm në momentin e tragjedisë. Në shumë raste, si ky tërmeti, lëndohemi, sepse nuk i bëjmë gjërat e duhura”.

Ndërkohë, edhe ish-trajneri ynë kuqezi, Gianni De Biasi, ka njoftuar nismën për mbledhjen e foindeve financiare në mbështetje të të prekurve nga tërmeti në Shqipëri. Përmes një videoje në Facebook, se ka nisur mbledhja e ndihmave financiare ai ka bërë publike nismën në fjalë. Synimi është që të gjithë të bëjnë donacione. Llogaria përkatëse do të hapet të shtunën e 14 dhjetorit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet