Çamëria, qasje të reja për një çështje të vjetër

Tanush Çaushi

Çështja çame duket se ende nuk po ndërkombëtarizohet në përmasat që duhet. Nëse para dhjetë vitesh ndoshta nuk ka qenë momenti më i përshtatshëm diplomatik sot, në kuadër të një Europe të bashkuar tashmë janë të gjitha kushtet për ta ngritur dhe për ta zgjidhur si çështje. Por, duket se mungon vullneti politik i qeverive shqiptare, që “të mbytura deri në fyt me hallet e popullit”  nuk kanë mundësi të merren me çështjen kombëtare. Mendoj se ka ardhur koha të përdorim “armë të reja” në kohën moderne ku jetojmë dhe arma më e fuqishme është politika paqësore elastike e kombinuar me ndërkombëtarizim dhe përballje ligjore. Nëse është rasti që të investojmë në çështjen kombëtare, duhet të investojmë në drejtimin dhe gjërat e duhura. Përveç aspektit kulturor dhe përkujtimor që duket se është në nivelin e duhur, tashmë është e nevojshme që të kuptojmë se nuk mjaftojnë marshimet dhe thirrjet “Rroftë Çamëria” apo banderolat nacionaliste për ta zgjidhur këtë çështje. Nacionalizmi amorf i përket së shkuarës, ndërsa politika e së drejtës ndërkombëtare është mjeti i së sotmes e i së ardhmes.Duket se ndërkombëtarizimi ka qenë më i madh në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore me kongreset e komitetet e njohura sesa sot në vitin 2019. Ky fakt është i çuditshëm, por i vërtetë dhe më e bukura është se sot kemi numër shumë të madh personalitetesh që kanë studiuar diplomaci, ndërkohë në vitin 1945 numëroheshin me gishta. Po cilat janë disa nga aspektet që unë mendoj se duhen konsideruar dhe investuar për të arritur një rezultat sa më të mirë dhe të shpejtë për zgjidhjen e kësaj çështjeje? Ndërkombëtarizimi nëpërmjet aksionit diplomatik. Në këtë pikë ka mungesë të një aksioni diplomatik tē mirë organizuar për këtë çështje. Ka raste sporadike të ngritjes së problemit, por nuk ka një vazhdimësi konseguente diplomatike në nivele qeveritare dhe të diplomacisë së lartë shqiptare. Në të vertetë ka një përpjekje të shoqatave joqeveritare të komunitetit çam në përgjithësi dhe ato të diasporës dhe Kosovës, por vetëm këto përpjekje duket se nuk janë të mjaftueshme për të arritur një rezultat. E vërteta është se çështja çame, nëse në fillim të viteve 90te pranohej të diskutohej, për të ka vite që konsiderohet si një kapitull i mbyllur nga diplomacia greke. Një nga arsyet e këtij ndryshimi është se diplomacia shqiptare çuditerisht heziton edhe ta përmendë këtë çështje e jo më të bëjë strategji diplomatike rezultative.

Çështja Çame është pjesë e Çështjes kombëtare shqiptare. Në këtë kuadër duhet hartuar strategjia për çështjen Çame,  jo si një pankartë politike për të fituar pushtet dhe vota, por për të zgjidhur këtë problem njëherë e mirë në kuadrin e fqinjësisë së mirë midis popujve. Krijimi i një partie të bashkësisë çame, pavarësisht qëllimit të mirë duket se ka krijuar përshtypjen se kjo çështje është kartë politike e marrë tashmë nga një forcë politike dhe të tjerat kanë larë duart duke harruar se problemi i Çamërisë është mbarëkombëtare siç i kanë padrejtësitë etnike gjithë kombet e globit. Pamvarësisht dëshirës së mirë, çështja çame i kalon përmasat e një partie politike dhe nuk mund të jetë pronë e saj, pasi asnjë forcë e vetme, sado e madhe qoftë ajo, nuk ka shpatulla për të mbajtur një peshë kaq tē rëndë. Sa i turpshëm veprimi i braktisjes se sallës së parlamentit nga disa deputet kur ndonjëherë është cikur plaga!

Ndërkombëtarizim nëpërmjet studimeve historike të publikuara në gjuhë të huaj. Nëse shfleton me kujdes literaturën shkencore që shoqëron këtë çështje, gjen më tepër botime në gjuhën shqipe dhe promovime që nuk i kalojnë kufijtë e kombit shqiptar. Kjo e bën të izoluar në aspektin shkencor këtë çështje. Ka një numër të kufizuar dhe të papërfillshëm të punimeve shkencore për këtë çështje në gjuhën angleze. Librat më të rëndësishëm janë publikuar nga të huajt siç është “The Cham Albanians Of Greece” nga autorët Robert Elsie dhe Bejtullah Destani dhe botimet e Miranda Wicker.  Duhet investuar  në punime shkencore, libra historie që të paraqiten në konferenca dhe revista të ndryshme shkencore. Përse të mos ketë konferenca shkencore me studime argumentues nga historianët tanë për këtë qëllim? Përse të mos organizohen nga Akademia e Shkencave apo Institucione të tjera private apo shteterore simpoziume me tema konkrete të mirëstudiuara ku të ftohen edhe akadrmikë të huaj, midis të colëve edhe grekë? Kështu më së miri mund të realizohet një dialog shkencor midis historianëve të të dyja vendeve. Po marrim një rast si shembull: nëse pika më e nxehtë që duket se pengon rikthimin e pasurive dhe pronave është pretendimi për bashkëpunim me pushtuesit nazi-fashistë, a e kemi vërtetuar shkencërisht të vërtetën historike? Kush janë punimet shkencore që e mbështesin këtë gjë? Ky studim mund të shërbejë edhe si argument ligjor në tribunat juridike. Pra, nuk duhet të mjaftohemi vetëm me poezi e këngë për shfrime të drejta e të shtrenjta shpirtërore. Edhe ato duhen dhe bëjmë mirë që i krijojmë, por mendoj se duhet të paraprijë Parlamenti, Shteti dhe Alademia.

Ndërkohë dy qëndrime të kundërt që nuk konvergojnë në asnjë pikë. Mijëra shqiptarë çamë u mblodhën përsëri afër Konispolit në Qershor 2019 për të përkujtuar me dhimbje masakrat mbi një krahinë të tërë të kombit. Në krahun tjeter pala greke që e konsideron tragjedinë si Çështje e mbyllur. Ateherë  le të bëjmë perpjekjen tonë për ta hapur valiçen e gozhduar që çështjen ta zgjidhim duke shfrytëzuar armët e reja të epoke së re kur jetojmë. Nëpërmjet një politike paqësore larg urrejtjes etnike dhe thirrjeve ekstremiste le të reformojmë jo vetëm politikën dhe diplomacinë tonë, por edhe atë të fqinjëve. Le të ngremë një sistem me vlerat më të mira për vete, por veças për pasardhësit në mënyrë që t’u mbetet si trashëgim një Ballkan i qetë e paqësor për vitet që do vijnë. Mundësitë janë, por duhet kalitur argumenti, durimi dhe përkushtimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet