Bytyçi: Reforma zgjedhore, dialogu pas ndëshkimit të zyrtarëve

Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, studiuesi i njohur i cështjeve të rajonit, Enver Bytyçi, flet për situatën politike në të cilën ndodhet vendi. Bytyçi thekson se zyrtarët qe kanë manipuluar zgjedhjet duhet të shkojnë përpara drejtësisë

Lindita Bushgjokaj

Kriza politike që po kalon vendi nuk ka marrë akoma zgjidhje. Faktori ndërkombëtar është tepër i përfshirë në këtë proces. Cështje kryesore mbetet zgjidhja e krizës politike, përfundimi me suskes i reformës zgjedhore dhe dënimi i zyrtarëve të lartë për korrupsion dhe manipulim të zgjedhjeve. Enver bytyçi, ekspert i rajonit flet në një intervistë për gazetën “Shekulli”. Bytyçi thekson se 9 pikat kryesore të përcaktuara nga Bundestagu për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri, janë kushtet themelore për opozitën dhe palët e tjera politike në vend.

OSBE në apelin drejtuar palëve politike në vend kërkon që dialogu të nisë nga reforma zgjedhore. Si i komentoni qëndrimet që po mbajnë palët për zgjidhjen e krizës?

Këto kohë duket sikur opozita është pasive, inaktive, jo kërkuese dhe jo këmbëngulëse. E vërteta është se raporti i OSBE-ODHIR për të ashtuquajturat zgjedhje të 30 qershorit i ka dhënë opozitës më shumë oksigjen, optimizëm. Mesa duket as vetë opozita nuk priste që ky raport të kontestonte jo vetëm zgjedhjet, por edhe vetë qeverisjen e Edi Ramës e të Rilindjes. Në fakt këtë raport e shoh si moment kthese në qëndrimin e faktorit ndërkombëtar. Kjo do të thotë se Edi Rama është i padëshirueshëm për ndërkombëtarët. Deklaratat pro qeveritare të përfaqësuesve diplomatikë në Tiranë i shoh si përpjekje për ruajtjen e ekuilibrit të brishtë social në Shqipëri. Qeveritë demokratike të Europës dhe ajo e SHBA-ve janë kundër një qeverisjeje autokratike si kjo e Edi Ramës. Ky faktor bashkë me krizën ekonomike do ta detyrojnë këtë kryeministër unik në strukturimin e një qeverisjeje kriminale në botë të thyejë qafën, të iki. Rëndësi ka që të mos iki me marrëveshje. Kam frikë se thirrja e OSBE-së për dialog, fillimisht për reformën zgjedhore, është ftesë për marrëveshje faljen e krimeve të qeverisjes aktuale, si kusht për ndërrimin e pushtetit. Nëse ndodh kjo, Shqipëria do të mbetet thuajse kjo që është. Nëse falen dhe krimet e kësaj qeverie e të këtij kryeministri, atëherë edhe qeverisja e ardhshme nuk do t’i shpëtojë murtajës së korrupsionit. Pa dënuar këta që e kanë nëpërkëmb në mënyrë kriminale Shqipërinë, nuk mund të ketë perspektivë dhe shpresë për shqiptarët. Për këtë arsye unë mendoj se opozita nuk duhet t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së OSBE-së. Së paku duhet të vendosë si kusht shkuarjen para drejtësisë e prapa hekurave të personazheve politike të dosjeve për manipulimin e zgjedhjeve. Dialog për reformën zgjedhore pa ndëshkimin e Gjushit, Gjiknurit e të tjerëve, nuk mund të ketë. Ndërkaq besoj se Shqipëria nuk ka kohë të diskutojë, asaj i duhen zgjedhje urgjente të parakohshme, me këtë kod zgjedhor. Më pas mazhoranca e re të bëjë reformën e sistemit politik tek ne.

Në radhët e opozitës po flitet për një Pakt Kombëtar për zgjidhjen e krizës. A mendoni se janë të gatshëm palët për tu ulur në bisedime serioze për ndryshimin e sistemit zgjedhor, apo do jetë një marrëveshje si e 2017-ës, me pasoja negative për shqiptarët?

Paktin kombëtar duhej ta formulonte opozita shqiptare. Por në vend të saj e formuloi Bundestagu gjerman. Nëntë kushtet që ka parapërgatit Bundestagu për mbledhjen plenare të 26 shtatorit janë platforma e zgjedhjes së krizës në Shqipëri. Kjo do të thotë se nga e enjta e ardhshme e në të ardhmen opozita është e legjitimuar ndërkombëtarisht të kërkojë rrëzimin pa kush të Edi Ramës.  Fatkeqësisht shoh se kryeministri nuk shfaq asnjë lloj fleksibiliteti për të realizuar ndryshimin e madh që opozita kërkon. Vazhdon vesin e mashtrimit, kur nxit Gjiknurin të thotë se ‘Unë jam i gatshëm të largohem si bashkëkryetar i Reformës Zgjedhore, vetë që opozita të kthehet në tryezë. Mashtrime si ky të nervozojnë, sepse të duket sikur kryeministri e trajton opozitën si zhele. Edi Ramës i duhet dhënë përfundimisht mësimi i madh se nuk mund t’i poshtërojë as opozitën, as Shqipërinë dhe as shqiptarët. Pakt kombëtar me Edi Ramën si kryeministër e madje edhe si kryetar të Partisë Socialiste nuk mund të ketë. Do të ketë vetë një mashtrim të radhës për shqiptarët e dëshpëruar e të rënë në gjunjë nga qeverisja e tij gjashtëvjeçare. Nëse do të ketë një marrëveshje me kryeministrin aktual, dijeni se ajo do të jetë marrëveshja e radhës e turpit kombëtar. Ne e kemi një eksperiencë, atë të vitit 2017. Nëse përsërisim atë marrëveshje, kësaj here përgatisim arkivolin për Shqipërinë. Fund tjetër nuk ka vendi ynë me Edi Ramën në krye të ekzekutivit ose në majat e politikës shqiptare!

A do t’i përfshijë kjo platformë të gjitha palët e interesuara?

Nuk shoh se ka palë të interesuara pjesëmarrës të një pakti kombëtar. Edi Rama nuk ka asnjë interes dhe nuk është i gatshëm të japë pushtet. Gjyqi i Samir Tahirit dëshmoi se pushteti i Edi Ramës është shtrirë frikshëm në çdo qelizë të sistemit të qeverisjes në Shqipëri. Shqipëria i ngjan një monarkie absolute. Është rikthyer sistemi politik autokratik i shekullit XIX. Ndërsa ne bëjmë sehir para një katastrofe të tillë. Kësisoj kryeministri nuk është i interesuar për një pakt me të cilin ai detyrohet të lëshojë pushtetin e tij absolut. Ndryshe përfundon në pranga. Në këto kushte edhe opozita nuk besoj se do të kishte interes të bënte pakt me djallin në pushtet. Duhet fut djalli në shishe e pastaj të bëhet një marrëveshje. Vetëm ndërkombëtarët duket se janë të interesuar për pakt të tillë, çka do të thotë për kalim të butë të pushtetit nga autokracia mafioze e pushtetit të rilindësve te opozita demokratike. Kjo ndodh se ndërkombëtarët nuk duan destabilizim. Por unë do të preferoja më mirë një fund të tmerrshëm dhe më pas një ringjallje e progres të pandalshëm, sesa një tmerr pa fund. Kjo duhej të ndodhte në vitin 1991. Por nuk ndodhi. Nuk ndodhi as në vitin 1997. Më duket se nuk ka terapi tjetër që Shqipëria të fillojë rimëkëmbjen e saj pa kthim.

Cilat janë vendimet e gabuara që ka marrë Partia Demokratike, të cilat nuk duhet t’i përsërisë?

Partia Demokratike dhe partitë e tjera të opozitës kanë hedh hapin më ekstrem të mundshëm, madje më ekstremin në histori, atë të dorëzimit të mandateve. Kam dëgjuar të thuhet se ‘bënë gabim’. Nëse tundohen nga ky lloj kompleksi demokratët dhe opozita do ta humbasin betejën. Ata duhet të vazhdojnë të jenë krenarë për sakrificën që bënë dhe të dëshmojnë se dorëzimi i mandateve do të jetë jo humbje për opozitën, por shembje e sistemit politik mafioz që instaloi Edi Rama dhe Rilindja. Demokratët dhe qëndrestarët që luftojnë për rrëzimin e Edi Ramës nga pushteti nuk janë ekstremistë edhe nëse hedhin ndonjë shashkë në protesta. Ata nuk kanë pse kompleksohen nga etiketimet e banditëve në pushtet. Banda e Sajmir Habilajt, Gjush Avdylit, apo bandat e Gonëve, Shullazëve, etj nuk luftohen as me pakte, as me parulla antikrim. Është mirë që deri më 18 tetor të mos protestohet Por më pas duhet izoluar e paralizuar gjithë jeta politike, sociale dhe ekonomike në Shqipëri, derisa Edi Rama të rrëzohet për të mos u ngritur më. Edhe si fantazmë nuk duhet të lejohet t’u shfaqet më shqiptarëve. Kjo jo për interesat e demokratëve, as të opozitës, por për interesat dhe të mirën e Shqipërisë dhe të shqiptarëve.

Çfarë parashikoni për çështjen e Integrimit të Shqipërisë dhe a prisni një vendim pozitiv nga Franca?

As Franca, as Gjermania, as Holanda e madje as ndonjë vend tjetër nuk e dëshirojnë integrimin në BE të një vendi të kriminalizuar sipas një platforme politike të qeverisë së saj. Është e pamundur kjo. Unë e njoh opinionin e këtyre vendeve. Ato ishin kundër edhe në kushte të tjera shumë të favorshme, ose së paku ishin skeptike, si në rastin e pranimit në NATO edhe në rastin e liberalizimit të vizave. Flas për opinionin publik. Edi Ramës ia dhanë shansin kur Shqipërisë i dhanë statusin e vendit kandidat. Por pesë vjet radhazi nuk ia hapin bisedimet për pranim. Çdo vit i shtojnë kushte. Nga pesë u bënë nëntë. Kjo sepse përkeqësohen standardet e demokracisë me këtë qeveri. Në pesë vite sot do duhej të mos kishim asnjë kusht. Së paku çdo vot mund të realizohej një nga kushtet e vendosura. Por ato u dyfishuan. D.m.th se gjendja është përkeqësuar dy fish. Krimi është rritur dhjetë fish. Droga ka pushtuar jo vetëm Xibrakat e Shqipërisë, por territoret e shteteve evropiane.  Në këtë kushte do të ishte utopi të mendoje se do hapeshin negociatat me Shqipërinë. Madje do të ndodh e kundërta. Negociatat do të hapen me Maqedoninë, por jo me Shqipërinë. Fakti që Bundestagu gjerman ka ftuar Bujar Osmanin e Maqedonisë në seancën plenare të datës 26 shtator dhe nuk ka ftuar asnjë nga Shqipëria, dëshmon se për Shkupin do të jepet drita jeshile që në janar të fillojë bisedimet e pranimit. Franca është akoma më e vendosur kundër hapjes së bisedimeve me Shqipërinë. Pse? Sepse shqiptarët e Shqipërisë përbëjnë numrin më të madh si azilkërkues në këtë vend. Holanda çdo ditë godet një grup të strukturuar kriminal, me rrënjë në Tiranë e në lidhje të drejtpërdrejtë me politikën qeveritare të saj. Dhe duhet të presim integrim?!  Lulzim Basha para disa ditësh në Bruksel kërkoi që BE të hapë negociatat me kushte e nën kontrollin e institucioneve të BE-së. Kjo është një dëshirë, por jashtë parametrave të standardit evropian. Nuk funksionon parimi që po të favorizojmë që të bëhesh i mirë. Në Europë e dinë se favorizimi i kriminelëve në pushtet është ftesë për tijen e veprimtarisë kriminale. Prandaj nuk kthehet formula e integrimit për së mbrapshti. E mbara është e njohur: Plotëso standardet, bëhu pjesë e komunitetit!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Lapërdhosja e shtetit

Rezart Prifti Këto ditë të bukura Tetori në Shqipëri diskutohet si përherë për surealen, për të paprekshmen, për atë që…

Abissnet