Buxheti, fond minimal për rritjen e pensioneve

Publikuar më 09. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Neritan Gjergo

Ministria e Financave zbardh faturat për fondet speciale. Shpenzimet për pensionistët, pronarët dhe ish-të përndjekurit për vitin 2018. Si dështoi skema me kontributet e fermerëve dhe rreziku nga fatura e koncesioneve

Pagat dhe pensionet do të njohin sërish rritje gjatë vitit që vjen, por ajo do të jetë minimale, duke mos ndikuar nw pwrmirwsimin e jetesës sw rreth 600 mijw pensionistëve që marrin pensionet më tw ulëta nw rajon. Në projektbuxhetin e vitit 2018 fondi në total për rritjen e pagave dhe pensioneve llogaritet 2.8 miliardw lekë, ndër të cilat 1 miliard për politikat e reja të pagave dhe 1.8 miliardë për pensionet. Lajmin e ka bërë të ditur dje ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj gjatë diskutimit në komisionin e Ekonomisë ku prezantoi shpenzimet dhe investimet për vitin e ardhshëm.

Ndërsa për pagat do të ketë rritje në sektorë të veçantë, shuma e akorduar për pensionet e pleqërisë nuk ofron shpresë për rritje të madhe. Duke u ndalur te fondet speciale, Ahmetaj u shpreh se për ish-pronarët vitin e ardhshëm do të ndahen 4 miliardë lekë. “Fondi në dispozicion për kompensimin e pronarëve do të jetë 4 miliardë lekë. Në vitin 2013 ky fond ka qenë 1.8 miliardë lekë, ndërsa sipas ligjit të vitit 2015 “Për Trajtimin  e Pronës”,  në vitin 2019 do të shënojë rekord 5.5 miliardë lekë”.

Sa i takon dëmëshpërblimit të ish-të dënuarve politikë, Ahmetaj u shpreh se brenda këtij viti mbyllet procesi për kategorinë parësore dhe vitin tjetër do të fillojë shpërndarja e këstit të tretë për trashëgimtarët. Ndërkohë, amendamentit të Partisë Demokratike, drejtuar kreut të parlamanetit Gramoz Ruçi për tekste shkollore falas në arsimin parauniversitar, qeveria do t’i përgjigje pozitivisht pjesërisht. Kjo pasi, me fondin në dispozicion do të ndahen libra falas vetëm për nxënësit nga klasa e parë deri në të pestë.

Debatet

Gjatë seancës së  prezantimit Ahmetaj, u shpreh se fatura e koncesioneve e planifikuar për vitin e ardhshëm kap vlerën e 78 milionë dollarëve.  Sipas tij, këto janë pagesa për koncesionet e dhëna vite më parë, por edhe për Partneritet Publik Privat. “Vlera e koncesioneve brenda llogarisë kapitale për vitin 2018 është rreth 78 milionë dollarë, pra nuk ka shkuar akoma as 3% e të ardhurave totale tatimore përtej nivelit 5%. Programi “1 miliard dollarë” i PPP-ve është një program, i cili fokusohet tek investimet në infrastrukturë, kryesisht në segmentet kryesore të vendit dhe do të financohet në të dyja mënyrat: qoftë në kombinim PPP-project financing, qoftë me garanci të riskut të trafikut”, tha Ahmetaj.

Gjithashtu sipas ministrit të Financave, tashmë me aktin normativ janë shlyer 3.6 miliardë lekë detyrime të prapambetura të krijuara në muajt e parë të këtij viti. “Akti normativ i djeshëm pastroi të gjitha detyrimet e prapambetura, të krijuar pesë muaj e fundit, sidomos në sektorin e infrastrukturës, pra praktikisht që nga dje nuk ka më detyrime të prapambetura të trashëguara sidomos në sektorin e infrastrukturës, ku prapambetja ishte 3.6 miliardë lekë”, u shpreh Ahmetaj.

Nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Jorida Tabaku, e ka cilësuar këtë si një paaftësi të qeverisë për të bërë investime publike dhe për të menaxhuar buxhetin. “Qeveria është e paaftë për të bërë investimet publike dhe të gjitha investimet publike është duke i transferuar nëpër koncesione, ose partneritete publik-privat siç keni dëshirë t’i quani ose siç preferoni ta quani. Koncesionet janë duke e gërryer buxhetin e shtetit në periudhën afatmesme dhe afatgjatë dhe janë duke u bërë diskutimi primar parësor edhe i partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe këtu i referohem FMN-së. Keni sjellë një ligj me koncesione, i cili e rrit me 30% koston e tyre nga viti i kaluar. Është 9.4 miliardë lekë në mos gaboj”, tha Tabaku.

Ndërkohë, deputeti Dashamir Shehi, duke e quajtur buxhetin si të rëndomtë e pa asnjë risi në kaq vite propozoi uljen e TVSH-së në të gjithë sektorët në nivelin 10 për qind, sikundër u veprua me TVSH-në e turizmit që aktualisht është në masën 6 për qind. Referuar zërit të shpenzimeve në buxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm, investimet publike kapin vlerën e 86.1 miliardë lekë ose 5.2 % e PBB. Ndërsa të gjitha shpenzimet buxhetore janë parashikuar në vlerën e 496.6 miliardë lekëve.

Dështimi me kontributet e fermerëve

Maxhoranca pranoi për herë të parë se një nga reformat më të rëndësishme të saj në mandatin e parë, ajo e pensioneve, ka rezultuar problematike në fshat, pasi për shkak të rritjes së kontributeve fermerët nuk po sigurohen. “Pjesa e reformës së pensioneve që i adresohet fshatit nuk po funksionon”, tha Erjon Brace, deputet i PS-së. Kontributi për të përfituar pension në fshat është 62 mijë lekë në vit.

Por vetë fermerët paguajnë nga 29 deri në 38 mijë lekë në vit, ndërsa gjysmën tjetër e subvencionon qeveria. Por edhe me këtë subvencion një pjesë e madhe e fermerëve nuk po sigurohen. “Për të qenë shumë transparent me komisionin unë kam nevojë për dy muaj kohë për të avancuar ndryshimet ligjore”, tha Ahmetaj. Ministri i Financave tha se qeveria po diskuton dy variante.

“Një nga mënyrat është që, pagën minimale e cila është baza e kontributit, përderisa në fshat nuk ka atë dëshirë për të paguar ta ulim, ta bëjmë pak më shumë se gjysma e pagës minimale në mënyrë që baza në fshat të jetë më e ulët që përdoret si referencë për kalkulimin e kontributeve”, vijon ministri. Ky variant përbën një ndryshim madhor të skemës. Ulja e pagës minimale përgjysmon kontributin për fermerët dhe lehtëson buxhetin nga subvencioni. Por në të njëjtën koha ajo ul ndjeshëm përfitimin kur fermeri del në pension. Por qeveria do bëjë dhe një përpjekje të fundit ndërgjegjësimi.