Buxheti 2018 dhe “bukuria që vret”

Publikuar më 12. 11. 2017 nga Eno Shkëmbi

Feti Zeneli

Buxheti i Shtetit përbën instrumentin kryesor të aksionit ekonomik të qeverisë, pasi duke qënë sa afro 30 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë, ai zë një vendin kryesor në politikën tonë ekonomike. Parë në këtë këndvështrim, Buxheti konsiderohet në thelb një akt i mirëfillt politik, pasi ai reflekton në mënyrën më të plotë dhe domethënëse politikën e qeverisë për zhvillimin ekonomiko-shoqëror të vendit, jo thjeshtë përgjatë një viti. Kësisoj, të ardhurat dhe shpenzimet e një shteti të tërë janë, pak a shumë, një shumatore e të ardhurave dhe shpenzimeve për secilin individ të veçantë. Ashtu si individi apo familja, që i planifikon shpenzimet, në bazë të të ardhurave mujore që ka në dispozicion, ashtu edhe qeveria i planifikon shpenzimet që do të kryej në bazë të buxhetit që harton. Qeveria programon se sa nga të ardhurat e saj do të shpenzohen përgjatë një viti për pagat, për pensionet, për spitalet, për arsimin, për investimet publike, për mbrojtjen e vendit e kështu me radhë. Ndaj, nisur nga premtimet e bëra dhe shpresa për mbajtjen e fjalës së dhënë, diskutimi dhe miratimi i Buxhetit të Shtetit zgjon një interes të madh publik të mjaft aktorëve dhe faktorëve, duke përfshirë këtu të gjithë grupmoshat e popullsisë. Si rregull, 20 nëntori përbën afatin e fundit për dërgimin në Kuvendin e Shqipërisë të projekt-buxhetit dhe paketës fiskale të çdo viti. Në vazhdën e një tradite të tillë ligjore ka filluar, këto ditë, diskutimi në Komisionin e Ekonomisë për projekt-buxhetin dhe paketën fiskale të vitit 2018.

Pa u ndalur në traditën e keqe të sherrit mashorancë-opozitë për treguesit e ofruar, e cila e mbulon me tymnajë politike analizën profesionalo-teknike, në vazhdimësi do t’i referohem kryesisht shifrës së rritjes ekonomike të planifikuar për vitin e ardhshëm, agumentimi i së cilës shërben si argument “pro” ose “kundër” për çdo shifër tjetër të Buxhetit, si në krahun e të ardhurave ashtu dhe të shpenzimeve. Sa më i lartë të jetë treguesi i rritjes ekonomike, fjala vjen, aq më e madhe është mundësia e ekonomisë për të plotësuar nevojat e popullatës me mallra e shërbime, sikundër mund të thuhet e kundërta për një tregues të ulët të saj. Duke ju referuar treguesve buxhetor të vitit të ardhshëm konstatojmë se treguesi i rritjes sonë ekonomike për 2018-ën do të jetë në kufijtë e 5 për qindshit, një shifër shumë afër vitit të parë të “mrekullisë ekonomike”, siç shprehet Ruschir Sharma tek “Ngritja dhe Rënia e Kombeve”, e cila, për hir të së vërtetës, nënkupton një rritje ekonomike mbi 6 për qind në vit për më shumë se një dekadë. Ka një diferencë prej 1 për qind midis asaj parashikohet në Buxhetin e vitit të ardhshëm dhe asaj që i referohet Sharma, por po të kemi parasysh premtimin e mëhershëm të kryeministrit Rama, që rritja mesatare ekonomike gjatë mandatit të dytë qeverisës do të jetë në kufijtë e 6 për qindëshit, atëherë kjo “mrekulli” do t’na shoqëroj për 4 vite rresht.

Pastaj sipas parimit, që “pula bëri vezën dhe veza-pulën”, apo që “mrekullia ekonomike” i hap rrugën edhe “mrekullisë politike”; me këtë ritëm rritjeje, qeverisjen aktuale të “mrekullisë një-vjeçare” në 2018-ën, mund ta gëzojmë për më shumë se një decade më pas. Faktikisht, Shqipëria e ka tepër të domosdoshme realizimin e një treguesi të tillë të rritjes ekonomike, për të mundësuar uljen e varfërisë dhe për të përmirësuar nivelin e jetesës së qytetarëve të saj. Nëse arrihet një rritje ekonomike prej 6 për qind në vit, vetëm përgjatë mandatit të dytë qeverisës, që sapo ka filluar, të ardhurat për frymë mund të shtohen me afro 1500 euro, duke arritur kështu në fund të vitit 2021 në rreth 5000 euro nga 3500 euro që janë aktualisht. Ndërsa të fund të vitit 2028, pra pas një dekade, ato mund të dyfishohen në raport me nivelin aktual. Por kushti kryesor që të arrihet një tregues i tillë i rritjes ekonomike është edhe rritja e popullsisë  së vendit me afro 3 për qind në vit ose me 25- 30 për qind përgjatë një dekade. Në fakt, duke iu referuar projeksioneve demografike të INSTAT për 10-15 vitet e ardhëshme, rasti më i mirë është që popullsia e Shqipërisë të rritet maksimumi me 3 për qind për të gjithë këtë periudhë, ose 10 herë më pak se sa i duhet “mrekullisë” së rritjes ekonomike prej 6 për qind në vit. Ekspertët më në zë të fushës së ekonomisë, duke filluar nga autori i librit “Ngritja dhe Rënia e Kombeve”, nuk na japin qoftë edhe një rast të vetëm, ku rritja ekonomike të ketë vazhduar me këto ritme për një periudhë të gjatë kohë, qoftë edhe brenda një mandati qeverisës, pa plotësuar kushtin e rritjes demografike me rreth 3 për qind në vit, aq sa ç’e ka patur Shqipëria këtë tregues nga fillimi i viteve ’60 deri në fund fund të periudhës së monizmit.

Natyrisht në vitet e socializmit shqiptar nuk mund të pritej rritje ekonomike, për shkak të izolimit dhe centralizimit, por tani në kushtet e ekonomisë së tregut të lirë, rritja ekonomike dhe ajo demokrafike përcaktojnë njera-tjetrën. Është kjo arsyeja që Komisioni Europian, një vit pas pranimit në BE të 10 vendeve ish-komuniste të Europës Qëndrore dhe Lindore nënvizonte: “Në histori nuk kemi parë rritje ekonomike pa rritje të popullsisë”. Po mbushen gati tre dekada që shqiptarët po bëjnë poshtë e më poshtë në numër, edhe për faktin se po ikin nga vendi i tyre për shkak të kushteve të vështira social-ekonomike drejt një jete më të mirë. Ajo që ka ndodhur në vitet e tranzicionit me popullsinë shqiptare, ku numri i saj është ulur ndjeshëm, nuk ka ndodhur as në dy dekadat e fundit të kohës së Luftës, ku ajo është shtuar me mbi 200 mijë vetë, ose me 37.8 për qind. Duke filluar nga vitet 90 e në vazhdim, emigracioni është konsideruar si një ndër elementët kryesorë për të përballuar jetesën e përditshme dhe siguruar të ardhmen, veçanërisht atë ekonomike; të individit, të familjes dhe të shoqërisë shqiptare. Rritja e faktorëve që i shtyjnë njerëzit të lënë vendin e tyre drejt një vendi tjeter, nuk kanë qënë vetëm paqartësitë që kanë sjellë krizat, por edhe dobësimi i faktorëve tërheqës, që rrjedhin nga kontraditat e shumfishta, eksperiencat individuale dhe nga rritja e madhe e pengesave drejt emigrimit dhe integrimit të emigrantëve.

Në çdo rast motivet kryesore të emigracionit mbeten ato ekonomike, por edhe për shkak të trazirave politike. Ndërsa resurset e brendëshme jo të përdorura si duhen për momentin, do të ndikojnë tek plaga e emigracionit në vitet pasuese. Mjafton të kujtojmë se përgjatë kësaj periudhe kanë ikur rreth dy milionë shqiptarë, një pjesë e mirë e të cilëve as nuk kanë ndërmend të kthehen më mbrapsht. Dhe kjo lloj hemoragjie e njerëzve, në vend që të vij duke u ndalur, paradoksalisht po shtohet gjithnjë e më shumë. Situata është kaq e rëndë, sa që po të ekzistonin mundësitë për të mos patur pengesa reale për të ikur, vendi mund të boshatisej nga shumica e moshave të reja, brenda një kohe mjaft të shkurtër. Një sondazh i Fondacionit gjerman Fridrih Ebert ka zbuluar kohët e fundit faktin, se rreth 60 për qind e të rinjve tanë duan të ikin nga Shqipëria. Popullsia shqiptare ka pësuar ndryshime të thella gjatë 27 viteve të fundit për shkak të procesit të tranzicionit drejt demokratizimit të strukturave politike dhe ekonomike. Ky proces u vu re gjatë periudhës së trazirave politike dhe ekonomike, të cilat nxitën shumë të rinj shqiptarë të linin vendin e tyre drejtë një jete më të mirë. Natyrisht, dëshira për të ikur nuk është e re; pra nuk i përket vetëm periudhës së tranzicionit, por ç’ka të lë një shije të keqe në këtë drejtim lidhet me faktin se kjo dëshirë bëhet gjithnjë e më e ethshme, pavarsisht kalimit të viteve, kur realisht duhej të ndodhte e kundërta.

Mjafton të kujtojmë se vetëm 3-4 vitet e fundit, përveç mijëra shqiptarëve që po dyndën për azil politik në vendet europiane, me mijëra të tjerë po zgjedhin mundësinë e aplikimit nëpërmjet Llotarisë Amerikane për të shprehur indirekt dëshirën e largimit nga Shqipëria. Nga ana tjetër, emigrantët e fillimviteve ’90 po përpiqen të fitojnë shtetësinë e vendeve ku punojnë e jetojnë. Konkretisht në Italinë fqinje, për shembull, janë bërë shtetas italianë rreth 22 mijë emigrant shqiptarë. Ndërsa në Greqi janë legalizuar më shmë se 100 mijë emigrantë. E njëjta gjë po ndodh edhe në vendet e tjera të Bashkimit Europian si në Gjermani, Angli dhe kudo ku kanë emigruar shqiptarët. Nga ana tjetër, të zë trishtimi kur njihesh me treguesin mesatar të lindshmërisë, që përbën “fabrikën” e shtimit të popullsisë së një vendi, i cili sipas statistikave zyrtare më të fundit është rreth 1.5 për qind për çdo çift bashkëshortor në Shqipëri. Kjo shifër tregon se popullsia e vendit tonë po zvogëlohet ndjeshëm, pasi me treguesin e lindshmërisë prej 1.5 fëmijë, nuk arrihet të sigurohet as riprodhimi i çiftit, që minimalisht kërkon dy fëmijë. Përtej këtyre statistikave pesimiste, situata është akoma dhe më e rëndë, për shkak të emigrimit të moshës së re dhe mbetjes këtu të moshave më të vjetra.

Përveç rrudhjes në numër të popullsisë, do të regjistrohet edhe një përkeqësim i ndjeshëm i vitalitetit të saj, ku rreth 546 mijë persona do të jenë mbi 60 vjeç, ç’ka do të reflektojë edhe një nivel të ulët të numrit të lindjeve. Kësisoj, numri i personave mbi moshën 60 vjeçë do të jetë më i madh se numri i personave nën këtë moshë. Por treguesi i rënies demografike nuk është i vetmi faktor që vë në diskutim shifrën e planifikuar të rritjes ekonomike në Buxhetin e vitit të ardhshëm e më tej në të gjithë 4-vjeçarin e mandatit të dytë qeverisës të “Rilindjes”. Banka Botërore sheh me risk në të ardhmen eksportet tona dhe flukset e investimeve të huaja në Shqipëri, duke i përkthyer më tej ato në më pak të ardhura buxhetore e investime publike, e për rrjedhojë në një rritje ekonomike në kufijtë 3.5 për qindshit për dy vitet e ardhëshme. Mungesa e reformave strukturore, ngulitja në shtresa të ndryshme të popullsisë e psikologjisë kanabiste të fitimit pa u lodhur shumë dhe përkeqësimi i klimës së binzesit apo shtimit të barrës fiskale të tij janë disa faktorë të tjerë që kërcënojnë seriozisht treguesin e rritjes ekonomike.

Deri tani Shqipëria nuk ka mundur të konkurojë as Kosovën për sa i përket rritjes ekonomike, e cila vitin e kaluar e realizoi këtë tregues në masën 3.6 për qind. Kosova pritet të jetë sërish para Shqipërisë edhe gjatë 2017-ën, ku sipas Bankës Botërore, parashikohet që treguesi i rritjes ekonomike të shkojë në 3.9 për qind, ose 0.5 për qind më shumë se treguesi ynë i rritjes ekonomike. Ne do t’ja kalojmë Kosovës, gjithë rajonit, madje dhe tërë botës, sigurisht në plan dhe jo në fakt, sipas parashikimeve në Buxhetin 2018. Në këto kushte, të deklarosh një rritje të tillë ekonomike, do të thotë që më shumë se paaftësi teknike të dëshmosh papërgjegjshëmri politike, duke i ushqyer me shpresa të kota gati gjysmën e popullsisë së vendit që jeton me 2 deri në 5 dollarë në ditë, si askush tjetër në rajonin e Ballkanit. Tregues të tillë, ku 30 për qind e familjeve shqiptare nuk sigurojnë dot bukën e fëmijëve apo ku 39 për qind e tyre nuk paguajnë dot faturën e dritave dhe ujit janë pjesë e statistikave për vendet më të varfëra të botës. Parë në këtë kontekst, që është realist e profesionist njëherësh, mund të themi se rritja ekonomike prej 5 për qind në Buxhetin e vitit 2018 është një “mrekulli” si “bukuria që vret”.