Butrint/ Betoni mes mureve antike lë pa bukë 200 banorë (FOTO)

Publikuar më 18. 10. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Valeria Dedaj

Katër orë udhëtim nga Tirana për në Parkun e Butrintit. Në Parkun e njohur, që është pjesë e UNESCO-s, si pasuri e njerëzimit mbërrijmë në orën 16.00. Këto ditë, Parku i Butrintit, ka qenë në qendër të vëmendjes, së specialistëve të trashëgimisë së kulturës dhe jo vetëm, por, kësaj here jo për mirë. Disa e konsiderojnë kasaphanë, atë çka po ndodh atje, ndërsa disa të tjerë e konsiderojnë, si një investim pa kosto, i mundësuar nga privati, që do të lehtësojë turistët, që do ta vizitojnë në pesë vitet e ardhshëm. Por, për këto ndërhyrje, që synon t’u shërbejë turistëve, secili ka një të vërtetë për të.

Nga Tirana, por jo vetëm, ishim disa gazetarë, që kur mbërritëm në Park, para se të nisnim rrugën për në vendin e shumëpërfolur na priste vet ministrja e kulturës, Mirela Kumbaro, organizatore e këtij takimi. Sa më tepër afrohemi, aq më tepër kurioziteti dhe pikëpyetjet, për atë çka do të shihnim rritej. Rruga për t’u ngjitur nga hyrja e Parkut, për tek objekti i shumëpërfolur (ndërtuar 1975) zgjati rreth 10 minuta.

Jemi para një objekti, që dikur ka qenë përdorur nga arkeologët për të lënë mjetet e punës, ndërsa sot duket që është jashtë funksioni. Pranë tij është Kulla Veneciane dhe muri, që daton në shekullin e VI-VII përpara Krishtit. Kur u afrohemi nga afër për të parë themelet me beton, shohim se distanca, ku përfundon betoni i parketit mbuluar me dru, me murin është rreth 30 cm, ndërsa lartësia e betonit rreth 50 cm.

Në anë të parketit të shtuar, hapësirë e njëjtë me atë që zë sipërfaqja e objektit (rreth 100 metra katrorë), qëndron një shtyllë e lartë hekuri me bazament në tokë. Pjesa e jashtme, përveç hyrjes është e gjitha e rrethuar me rrjetë ngjyrë të gjelbër, që s’të lejon të shohësh përtej saj.

Godina shumëvjeçare, por jo pjesë e monumentit, është ndërtuar me gurë dhe sot përbëhet nga tri dhoma të ndara me dy dritare brenda. Tullat, shumë pak në krahasim me ato çka është parë më herët, janë përdorur vetëm për të kornizuar dyert.

Brenda në objekt edhe sot shohim mjete pune; kazmë e lopatë, një fuçi e kuqe, disa tulla të sistemuara përtokë, disa thasë me çimento, zhavorr i papunuar dhe disa materiale druri dhe hekuri. Jashtë anash ndërtesës, në njërën anë është muri antik, ndërsa në anën tjetër të bie në sy një grumbull tjegullash. Ndërsa mbi të, të bie në sy një bojlerë uji dhe   një gryk oxhaku, që dikur ka ekzistuar në këtë godinë. Kjo është ekspertiza e asaj çka duket me sy, për pjesën që specialistët kanë vënë “kujën” prej më shumë se dhjetë ditësh, ministrja i fton që të shkojnë ta vizitojnë, derisa të sqarohen për gjithçka.

200 familje rrezikojnë të mbeten në rrugë të madhe

Kur u ngjitëm për te objekti, i cili mendohet, që të kthehet në një pikë shërbimi për turistët, para nesh dalin  tetë artizanë, të cilët i kërkuan zonjës Kumbaro që ta takonin. E gatshme për t’i dëgjuar, ajo ndali në kthim për të biseduar me ta. Por, normalisht, që as ne nuk mund që të rrinim pa i pyetur, artizanët e këndit “Sal”, të cilët që prej vitit 2004, ishin bërë pjesë e pandashme e këtij Parku, me prodhimet artizanale, që tregtonin. Por, ata na treguan se gjatë muajve të fundit, edhe puna e tyre, me të cilën ushqehen rreth 35 familje, në total me rreth 200 banorë mesa duket nuk do të shpëtojë pa u cenuar nga rehabilitimi i pikës së shërbimit pranë murit antik.

“Ne këtu jemi 8 persona. Në bazë të këtyre të ardhurave nga këto produkte mbahen rreth 35 familje. Janë mbi 200 persona, që mbahen me këtë. Ne këtu jemi në rrezik, për arsye se duan të na largojnë. Deri tani na ka ndihmuar një fondacion italian dhe anglez”. Artizanët rrëfejnë njëzëri se punojnë me lincensa dhe kanë qenë me kontratë, por u është kërkuar një marrëveshje bashkëpunimi nga kompania, që ka marrë me qira edhe objektin, të cilën ata nuk e konsiderojnë, si të tillë. “Shekulli” në një bisedë me Agur Kapo-n, por edhe me artizanët e tjerë, mëson edhe më tepër për gjendjen, ku ata ndodhen.

A keni bërë marrëveshje bashkëpunimi?

Artizania: Përse duhet ta bëjmë?! Na është dhënë për të firmosur një kontratë, se ndryshe nuk do na ishte lejuar, që tërë beharit të punonim këtu. Na kanë thënë bëni një kontratë me Parkun e Butrint, që të punoni këtu.

Po përse jeni kundër kësaj kontrate?

Artizani: Sepse është një lustër, që të na marrin vendin dhe të na largojnë neve. Ne kemi vetëm një kontratë, që e bëjmë çdo vit. Mbase, punën tonë e prishin dy tavolina, që kanë sjellë më prapa. Ato të shëmtuarat atje. Shihni, janë vendosur prej tyre (shikimin artizanët e drejtojmë te dy tavolinat të ulëta, në hekur).

Agur Kapo: Na kanë bërë presion të paparë. Për dy muaj ne kemi firmosur. Por na kanë bërë sërish presion dhe si kemi firmosur.

Zoti Kapo përse nuk firmosni, ku ju cenon më konkretisht ky projekt?

Nga kjo nismë preket projekti “Sal” (në hyrje të parkut), që ekziston këtu. Ne jemi këtu që në vitin 2004. Ne jemi artizan që punojmë këtu. Ne punë dore bëjmë, le të vijnë dhe ta kontrollojnë, që kush nuk i ka të tilla, le të largohet.

Zonja Kumbaro u shpreh gjatë seancës në Komision se asnjë nga ju nuk do të preket, pasi është bërë një kontratë me një subjekt, që do të garantojë edhe cilësinë e produkteve tuaja…

Artizania: Për çfarë do të na marrin, për salsiçe. Ata janë për të shitur sallam. Ne nuk duam që të na lëvizin nga vendi i punës.

Agur Kapo: Kërkuam një kontratë dhe na thanë ose firmosni kontratën, ose dilni. Kemi paguar biletat. Ka ardhur polica private dhe e shtetit edhe na ka nxjerr.

A ja keni shprehur zonjës Kumbaro këto shqetësime?

Jo, asnjëherë! Nuk na i ka varur fare. Ka ardhur sekretarja e përgjithshme edhe na ka thënë: Kush jeni ju? Duhet që të jeni më të organizuar. Ne tani po organizohemi edhe po presim vendimin e gjykatës për këtë. Na i kanë dërguar fletën për të na larguar.

Dje pas takimit më zonjën Kumbaro. A arritët që të bënit ndonjë bisedim konkret me zonjën ministre?

Drejtoresha e IMK-së në televizor tha që kemi rënë dakord, por ne për asgjë nuk kemi rënë dakord me ta. Ne kemi firmosur vetëm për dy muaj, më mbrapa nuk kemi firmosur më, pasi na kërkojnë që të shkëputemi nga Parku.

Domethënë, ju mendoni se ata vazhdojnë të thonë diçka të pavërtetë?

Ne nuk kemi pranuar asnjëherë për këtë.

Po dje a ia shprehët këto shqetësime zonjës Kumbaro?

Ne kemi firmosur nën presion para disa muajsh një kontratë, që na mbaron në 1 datë nëntor, këtë gjë e kemi të dokumentuar edhe me video, se nuk kemi qenë dakord për këtë. I thamë, që nuk jemi dakord dhe na thanë, që do të rrisin standardet.

Po përse nuk vendosni që të bini dakord me ta për rritjen e cilësisë edhe për atë që kërkojnë ata konkretisht?

Ne dakord jemi, por ne largohemi. Nuk kemi fare lidhje. Ajo duhet që të na thotë, që të paguajmë qiranë e kësaj dhe për pastrimin. Por, ata nuk kanë asnjë siguri, se kompania private s’do i ndajë me ne lekët. Ata vijnë që të bëjnë një kafene, çfarë lidhje kemi ne me këtë punë? Nga ana tjetër ata anashkalojnë problemin tonë, ne i kemi të gjitha të paguara, nuk dimë çfarë të bëjmë më shumë. Na është thënë që do të largohemi.

Ndërkohë, keni vendosur të mos firmosni më asnjë kontratë në vazhdim?

Na erdhi sërish fleta në vazhdim. Nëse është problemi për të paguar, ne paguajmë. Por kontrata bie ndesh me punën tonë, pasi i jep të drejtë kompanisë që të marrë punën në dorëzim dhe për ta menaxhuar, që të shesin produktet tona. Kështu ne dalim jashtë kësaj.

Çfarë do të bëni pas datës 1 nëntor?

Do të largohemi dhe në mënyrë ligjore do të shikojmë se çfarë do të bëhet me ne. Tashmë ne jemi të organizuar. Ajo quhet marrëveshje bashkëpunimi, jo marrëveshje me zor. Marrëveshja e bashkëpunimit nuk bëhet nën presion. Jemi ankuar shumë herë, por nuk na ka dëgjuar njeri. Është e kotë.

Kumbaro: Specialistët të vijnë të sqarohen këtu, janë po ata që kanë marrë vendime për ndërhyrje Kalanë e Lezhës

Në sipërfaqen e jashtme të shtruar “me çakëll” u ekspozuan fotot e projektit dhe u sistemua vendi para se zonja Kumbaro do të t’u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve. Përreth një orë, pa asnjë ndryshim nga seanca dëgjimore, që zonja Kumbaro mbajti në Komisionin e Medies para deputetëve të opozitës, Kumbaro përsëriti edhe një herë arritjet, që janë bërë deri më tani në fushën e trashëgimisë. Ndërsa, gjatë përgjigjeve të gazetarëve, përsa i përket publikimit të kontratës me kompaninë private, ajo u shpreh se janë ekspertët ata që vendosin se cilët elementë të saj mund të publikohen dhe cilët jo.

Sipas saj, nuk do të ketë tym në këtë pikë shoqërimi, pasi të funksionojë. “Janë shërbime me një listë të kufizuar produktesh të domosdoshme dhe gjenerike, ushqime të lehta ose pije freskuese”. Më tej, e pyetur se çfarë u bë me tullat e shumta, që janë publikuar në medie, dhe nëse ka ndryshim projekti, shtoi se nuk ka pasur ndryshime, sepse projekti është miratuar në maj të 2017-së dhe është i depozituar në Institut të Monumenteve të Kulturës. “Këto janë të gjitha gjykime mbi subjektivizmi, jo kritere që ministri të jap përgjigje. Projekti është i depozituar pranë procesverbalit”.

Por, a ka beton nën parketin me pllaka, shtuar jashtë godinës, që zë pothuajse të njëjtën hapësirë sa godina me sy të lirë, Kumbaro thotë se as ajo dhe askush tjetër që nuk  është specialist, këtë nuk mund t’ja lejojë vetës për ta thënë. “Por pjesa e rrjetit të hekurit me pllakën e betonit vendoset atje për të ruajtur në stabilitet, ndërsa pjesa ku jemi është thjesht e shtruar me çakëll, që hiqet e vihet”. Nëse mendohet për të bërë gërmime në këtë zonë do të duhet që të kalojnë 5 vite, nga dita e kontratës me privatin. Kumbaro nuk është takuar asnjëherë me drejtuesit e kompanisë “Hako”. “Asnjëherë nuk i kam takuar. Ministrit i vjen negociata dhe gjykon mbi negociatat, që bëjnë ekspertët”.

Megjithatë, në kërkim të një specialisti të trashëgimisë së kulturës, apo supervizorit të këtyre punimeve nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, të cilit as emrin nuk i mësuam dot zyrtarisht, pasi askush nga punonjësit e MK-së apo IMK-së nuk e kujtonte. Kërkesa jonë për t’u ballafaquar në këtë takim dhe me një specialist të trashëgimisë u justifikua me faktin se janë pezulluar punimet edhe ai nuk ishte aty.

Megjithatë, punimet janë ndjekur nga stafi dhe zyra e administrimit të Parkut. Iu drejtuam drejtorit të Parkut, Gjergji Mano, i cili gjithë kohës shoqëroi Kumbaron, por ai plot vërtetësi u shpreh se fjala e tij, nuk vlente më pas fjalës së ministres, e aq më pak, që ai nuk i përkiste kësaj fushe, pasi nuk ishte as arkeolog apo specialist i trashëgimisë, por vetëm menaxher i Parkut.

Kumbaro u kërkoi edhe ekspertëve të fushës, që të shkojnë ta shikojnë se çfarë po ndodh në Butrint. Pasi sipas saj, ata që flasin janë po të njëjtët që kanë qenë edhe në këshilla kombëtarë, apo në forume të tjera, zyrtare edhe vendimmarrëse dhe kanë marrë mbase ca vendime, që i kanë gjykuar nga pikëpamja ligjore në rregull, si vendimi për Kalanë e Lezhës. Punimet në Butrint mendohet të nisin pasi të sqarohen të gjitha pyetjet e ngritura.