Bushi: Dua spektakël ndaj Irlandës

Publikuar më 10. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Trajneri i Shpresave bën të ditur se Panuçi i ka kërkuar plot 5 lojtarë për t’i kaluar në kombëtaren A, por preferon t’i mbajë të fshehtë emrat e tyre

Kombëtarja e Shpresave U 21 do të luajë sot përballë Irlandës së Veriut në “Sleman Stërmasi” në orën  18:00. Kjo sfidë është e vlefshme për eliminatoret e “Euro 2019” ku kuqezinjtë  gjenden në vendin e katër me 5 pikë të grumbulluara. Trajneri i Shpresave, Alban Bushi i bën thirrje skuadrës të luajë një lojë dinjitoze me shumë ritëm dhe shpërfill totalisht rezultatin e ndeshjes. Ai tregon se trajneri i kombëtares A, Christian Panuçi ka kërkuar 5 lojtarë, por nuk pranoi të zbulonte emrat e tyre.

Ende nuk është shënuar goli i parë në Shqipëri. Keni deklaruar që ju ngroh loja e skuadrës. Çfarë ka të re loja ndaj Irlandës?

Nuk dua të them që fati nuk ka qenë me ne, pasi ai që punon, ka edhe fatin. Unë jam i kënaqur nga loja sulmuese. Mendoj se do shënojmë nesër (sot). Ndeshjen më parë me Irlandën, kemi pasur raste për të shënuar, por nuk e bëmë. Shpresoj ta bëjmë nesër (sot).

Ndonjë strategji e veçantë për Irlandën?

Në fillim mendonim se të gjithë ekipet do na sulmonin, por tashmë po na rrinë në mbrojtje. Mendoj se nesër (sot) duhet të bëjmë durim. Irlanda del shumë shpejt në kundërsulm. Ka lojtarë shumë të shpejtë. Ne kualifikimin e ëndërrojmë. Ne i bëjmë yzmetin çdo ndeshje, pasi jemi ekip i vogël. Nesër ndaj Irlandës do japim maksimumin. Është diçka pozitive që çojmë lojtarë edhe në ekipin A. Përveç rezultatit, duhet të shqetësohemi edhe për këtë.

Pas Ramadanit, keni ndonjë lojtar tjetër që Panuçi ju ka kërkuar?

Dua ta falënderoj Panuçin, pasi më uroi suksese për nesër dhe na ndjek gjithmonë. Kam biseduar me të dhe ai gjithmonë insiston tek lojtarët e rinj. 4-5 lojtarë ai i ka në mendje, dhe kërkon ti marrë.

Barazim dhe humbje ndeshjet e fundit. Ju vjen keq për këto rezultate, kur keni zhvilluar lojë të mirë?

Normale që më vjen keq. Nuk do më vinte keq nëse do luanim keq, por këto ndeshjet e fundit kemi bërë lojë të mirë. Në Irlandë na shënuan në minutën e 95-të me penallti, por tashmë e kemi harruar. Lojtarët janë të rinj dhe nuk duhet të kenë presion. Edhe publiku është i rëndësishëm për ne. Çunat e kanë justifikuar veten me lojën që kanë zhvilluar.

Mund të na zbuloni diçka nga formacioni?

Mendoj se fati ynë i keq me Islandën dhe Irlandën nuk kemi pasur Durmishajn, lojtarin më të mirë sulmues. Do bëjmë një lojë sulmuese, duke patur edhe ekuilibrat mbrapa, pasi është shumë e rëndësishme. Nesër mund të kemi shumë sulmues në lojë, por kërkoj që të jenë të kujdesshëm edhe në mbrojtje.

Jeni diplomat dhe i rezervuar në lidhje me kualifikimin. Është objektiv i juaji ky?

Duke pasur Spanjën në grup, është shumë e vështirë të kualifikohemi. Por, nuk është e pamundur. Nuk është çudi që të mundim edhe Spanjën. Por ne kërkojmë të mundim Irlandën nesër (sot). Nëse bëjmë këtë lojë që kemi bërë deri tani, jam i kënaqur. Nuk më intereson nëse nuk fitojmë. Edhe tifozët janë të rëndësishëm pasi na japin mbështetje. Kërkoj nga tifozët që të mbështesin edhe të rinjtë e kombëtares. Nuk mund të fitojmë në një stadium bosh, pa tifozë.

Ish-trajneri Hafizi ka bërë një përshëndetje për ju dhe për Bogdanin. Si e lexon deklaratën e Hafizit, ku deklaron se duhet të ndërhyni më shpejt?

Patjetër që rezultati është i rëndësishëm, por objektivat i vendos institucioni. Objektivi ynë është të kemi sa më shumë lojtarë në ekipin A. Kemi bërë një punë të mirë. Por edhe rezultatin e kemi pasur. Nuk mund të krahasohemi me kombëtare moshash të mëdha, si Spanja. Panuçi më dërgoi një mesazh për ndeshjen tonë nesër (sot). Ai ka bërë një lojë sulmuese, dhe besoj se do shënoj edhe ndaj Turqisë. Panuçi e ka qejf lojën sulmuese dhe besoj se do i shënojë Turqisë.