Burgimi i gjyqtarit Miri, si u përgjuan dhe vëzhguan takimet me njerëzit e vrasësit 

Publikuar më 14. 11. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Nikoleta Kovaçi

Ditën e djeshme Gjykata e Krimeve të Rënda vlerësoi masën e sigurisë ndaj Kujtim Mirit, i njohur dhe njëherësh i akuzuar si ndërmjetësi i parave mes njerëzve të gjyqtarit Shkëlqim Miri dhe njerëzve të Gentian Dodës. Ndaj tij është caktuar ndaj tij masën e sigurisë arrest me burg e njëjta masë që u dha edhe për gjyqtarin Miri dy ditë më parë. Ndërsa rezulton se për Alban Bucin dhe për Gentian Dodën, Krimet e Rënda kanë dhënë masën e sigurisë arrest me burg në mungesë dhe ata janë në kërkim nga policia për llogari të këtij hetimi. Tri ditë para arrestimit të gjyqtarit Shkëlqim Miri dhe të afërmit të tij Kujtim Miri, mes të dyve të akuzuar për korrupsion ka pasur një takim poshtë shtëpisë së gjyqtarit të Apelit në lagjen “Myslym Shyri” në Tiranë. Në dosjen hetimore rezulton se më datë 7 tetor 2017, Kujtim Miri është thirrur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për t’u pyetur si person ndaj të cilit kryen hetime. Kujtim Miri rezulton se nuk ka dhënë shpjegime, dhe sapo ka lënë ambientet e prokurorisë është ndjekur nga agjentët e fshehtë, thotë prokuroria.

Vëzhgimi dhe përgjimi

Prokuroria saktëson: Kujtim Miri ka lëvizur në drejtim të Rinasit pasdite në ora 19:40! Më datë 7.11.2017 ulet në një bar kafe në rrugën “Islam Alla” ku është dhe shtëpia e gjyqtarit dhe aty takohet me këtë të fundit. Sipas dosjes mësohet se nga Kujtim Miri, i cili është mbajtës i numrit të telefonit 068208xxxx si dhe gjyqtari i Apelit, Shkëlqim Miri, mbajtës i telefonit 069206xxxx janë përgjuar mes tyre teksa kanë folur në datat 23, 24, 25 dhe 26 maj 2017 si dhe në datat 4, 5, dhe 8 qershor 2017 që korrespondon me një ditë pas shpalljes së vendimit në Apel, vendim i cili është shpallur më 7 qershor 2017. Një tjetër provë sipas të cilës gjyqtari Miri ka qenë i përfshirë në këtë akt korruptiv është dhe fakti se ai është përgjuar teksa komunikon me Kujtim Mirin, 6 minuta para se ky i fundit i njohur si sekseri do të takonte në lokalin në Fushë-Krujë ku u paguan 30 mijë shtetasin Alban Bucin dhe shtetasin me iniciale N. A. Mes tyre, sipas akuzës, më 23 Maj 2017 ka pasur tre telefonata më 18:57 minuta e cila ka zgjatur 72 sekonda. Më 21:05 telefonatë që ka zgjatur 32 sekonda dhe një telefonatë prej 1 sekond.

Më pas ka qenë gjyqtari Miri që ka telefonuar të afërmin e tij Kujtim Miri dhe kjo bisedë ka qenë rreth orës 21:36 minuta dhe ka zgjatur 21 sekonda. Nga pamjet filmike të lokalit të ndodhur në Fushë-Krujë ku është dorëzuar zarfi i bardhë me 30 mijë euro, përkon me kohën që Kujtim Miri ishte në lokal. Atz duket se ishte me personat e dërguar nga Gentian Doda. Më 25 maj 2017 rezulton se është përgjuar dhe Alban Buci i cili është në kërkim. Për të njëjtin hetim dhe mëngjesin e 25 maj në ora 09:45 min, Buci njofton të afërmit e Gentian Dodës duke u shprehur: “Iu dhashë atyre një thes me dokumente”. Ndërkohë vendimi për lënien në fuqi të ndryshimit të akuzës nga vrasje në plagosje me pasojë vdekjen ndaj Gentian Dodës ishte planifikuar të jepej në Apel më 6 qershor! Por kjo seancë është shtyrë për më datë 7 qershor. E pikërisht për këtë shtyrje një person telefonon Gentian Dodën dhe e njofton se: “U shty më datë 7, në ora e 15: 00, për dy arsye. Mos formim të trupit gjykues dhe mos paraqitje të prokurorit, se ai kryesuesi i seancës është shumë korrekt, ai iku me gjyq tjetër!”