Burg për ujin, nga 1 shkurti nis aksioni. Ja ç’do të ndodhë

Pas 1 shkurtit nis aksioni për ndërprerjen e paligjshme të lidhjeve të ujit të pijshëm. Aksioni në terren do të nisë me sensibilizimin e qytetarëve për vendosjen e matësve dhe më pas me kontrollin derë më derë për pagimin e faturave të prapambetura.
Ligji parashikon burg për ata qytetarë, që ndërhyjnë në rrjetin e shpërndarjes së ujit, pasi grupet e kontrollit u kanë ndërprerë lidhjen.
Ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri, në letrën që u dërgoi në muajin dhjetor bashkive dhe ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve shpjegonte se faza e dytë do të shoqërohet me kontrolle derë me derë dhe me masa ndëshkimore për ata që nuk paguajnë faturat e ujit.
“Në fazën e dytë të aksionit, që konsiston me verifikimin e formalizmit të shërbimit të çdo abonenti derë më derë, pajisjen me ujë-matës të të gjithë abonentëve dhe marrjen e masave për vënien përpara përgjegjësisë të kundërvajtësve dhe shkelësve, që ndërhyjnë në rrjetin e ujësjellës–kanalizimeve”, thuhej në letrën e ministrit Gjiknuri.
Aksioni do të nisë me verifikimin e kontratave, sahateve dhe pagesat e institucioneve publike dhe buxhetore e jo buxhetore, më pas me nëpunësit e administratës, biznesi dhe familjarët, shkruan “Panorama”.
Qeveria, në bashkëpunim me bashkitë për familjarët që kanë detyrime të mbartura të faturave të ujit, do të ofrojë skema lehtësuese për kryerjen e pagesave me këste. Skema do të jetë e njëjtë si për detyrimet e faturave të dritave, ku qytetarët duhet të lidhin aktmarrëveshje me ujësjellës-kanalizimet për të paguar detyrimet e mbartura.
Nga të dhënat që jep Enti Rregullator i Ujit, qytetarët janë furnizuar me ujë mesatarisht 11.4 orë në ditë. Por shqetësim mbetet niveli i lartë i humbjeve, ku 67 për qind e ujit humbet për shkak të rrjetit të amortizuar. Ky tregues, të paktën për në katër vitet e fundit, mbetet në nivele aspak të mira dhe përbën shqetësimin kryesor në sektor. Përqindja e mbulimit me shërbimin e furnizimit me ujë në qytet arrin 90 për qind, ndërsa në fshat 62,7 për qind.

Të tjera

Lavdi sportit!

Nga Enver Robelli Në çdo Kampionat Botëror të futbollit është mirë të lexohet libri “Lavdërimi i sportit” i profesorit Hans…

Abissnet