Buffon konfirmon tërheqjen nga Kombëtarja: Është turp që ndeshja ime e fundit zyrtare …  

Publikuar më 14. 11. 2017 nga Bleona Metushi

Portieri i kombëtares Italiane Gianluigi Buffon ka konfirmuar se do të tërhiqet nga kombëtarja pas dështimit të Italisë të kualifikohet për Kupën e Botës “Rusia 2018”.

Italia barazoi mbrëmë në shtëpi me Suedinë në kuadër të ndeshjes së dytë të “play-off” për Kupën e Botës, pasi që e kishte humbur ndeshjen e parë në Stokholm, duke dështuar kështu që të sigurojë një vend në botëror pas plot 60 vitevesh.

“Është turp që ndeshja ime e fundit zyrtare rastis  me dështimin për t’u kualifikuar në Kupën e Botës. Por, natyrisht futbolli italian ka të ardhme sepse ne kemi krenari, aftësi, përkushtim dhe pas kohërave të këqija ne gjithmonë gjejmë mënyrën për t’u ngritur në këmbë”,  tha Buffon. “Po e lë këtë skuadër italiane e cila di si të flasë për vete”, ka shtuar ai.