Bruno Shllaku: Artistët e rretheve, në dorën e njerkës!

Publikuar më 16. 06. 2017 nga Jola Alimemaj

Aktori Bruno Shllaku mendon se artistët janë lënë pas dore, edhe për këtë faji kryesor është i bashkive të rretheve, jo i drejtuesve të qeverisë. Ai mendon se ka ardhur koha, që teatri i Shkodrës “Migjeni”, të mos jepet me koncesion, por të jetë në varësi të Ministrisë së Kulturës, sa nuk është vonë.

Sa i përfaqësuar ndiheni si artist, nga politikëbërsit tanë në platformat e tyre zgjedhore deri më tani?

Unë nga politika që kryeson jam i përfaqësuar, ndërsa nga politika e bashkive asnjë prej nesh nuk është i qetë. Kur them këtë kam parasysh politikën që bëhet në bashkinë time. Që prej vitit ‘67 jam në skenë, pa u shkëputur asnjë vit, por përsa i përket kësaj, mendoj se këtu duhet të ndalim. Unë kam pasur takime të shpeshta me drejtuesit në qeveri dhe kemi diskutuar gjerë e gjatë me ta për të gjitha hallet, telashet, mospërfilljet, rezultatet dhe mosrezultatet e artit në Shqipërinë e Veriut. I referohem Shqipërisë së Veriut, por kam parasysh të gjithë Shqipërinë këtu.

Më dhembë kur shikoj se ne artistët: Tinka Kurti, Zef Bushati, Agron Dizdari etj., një gjeneratë e tërë që kur teatri ishte i populluar vlerësoheshin, ndërsa sot për fatkeqësinë e madhe tonën dhe të teatrove të rretheve, është tragjike, që janë në dorën e njerkës… Tetari nuk ka një repertor përfaqësues. Të gjitha dekoratat e mohuara aktorëve, u kthehen vetëm po iu kthye dinjiteti teatrit. Është lënë teatri në koncesion të duarve të njerëzve të paaftë, të cilët janë të gatshëm për të shpërdoruar dhe shkatërruar një histori, që e kanë vënë njerëzit me gjak në jetë. Për të shkelur gjithçka që artistëve i kanë kushtuar jetën; që nga Pirro Mani, Reshat Arbana, Kadri Roshi etj., të gjithë artistët që e kanë pasur teatrin si një shtëpi të parë.

Mendoni se partia që do të fitojë zgjedhjet, cilado qoftë do ta kthejë “kokën” edhe nga arti?

Mendoj se nëse teatrit i kthehet dinjiteti, nuk duhet që të ketë më koncesione teatri. Edhe kur ankohesh te qeveria, të thotë: Po është e vërtetë, nuk kam çfarë të bëj, sepse e ka në dorë bashkia. Kjo është e para A, si në alfabetin e gjuhës sonë, e cila duhet të zgjidhet njëherë e përgjithmonë. Shteti që është shtet, mundet që ta mbajë godinën e madhe që quhet teatër, nëse nuk do ta mbajë edhe nuk do të përkujdeset për të është tjetër gjë. Apo nëse do ta shikojë si një fëmijë që quhet Art, ka një tjetër veçori, sepse në memorien e një qyteti mbeten shumë pak artistë, tre apo katër mund të meritojnë që të quhen të tillë.

Prandaj shteti shqiptar, edhe pse ka kaq shumë epidemi në fusha të tjera, tashmë e ka kohën të kthejë kokën nga arti. Ata e dinë se cilët janë kontingjenti i artistëve të mirë, prandaj duhet që të veprojnë sa nuk është vonë. Kur nuk vlerësohet një artist është mosmirënjohje. Ka ardhur koha që artistët të ndihet artistë, dhe duhet që të rikthehen në skenë, si maratonomakët, pasi kanë kohë që kjo ka qenë e pamundur për ta. Ka emra shumë të nderuar të artit kinematografik dhe teatrit shqiptar, të cilët bashkitë dhe njerëzit inkompetentë i kanë lënë në hije. Unë jam rritur me skenën, prandaj dëshiroj që gjendja e teatrit të ndryshojë.