Brenga e regjisores Xhanfise Keko para ndarjes nga jeta (FOTO)

Publikuar më 28. 12. 2017 nga Jola Alimemaj

Nga Valeria Dedaj

Regjisori Mevlan Shanaj prezanton dokumentarin “Koha e pelikulës”.  Një dekadë pas ndarjes nga jeta, flasin për Xhanfise Kekon protagonistët e filmave për fëmijë dhe kineastët. Regjisorja para se të ndahej nga jeta ka rrëfyer kujtimet e bukura, por jo vetëm

Ka kaluar një dekadë, që regjisorja Xhanfise Keko (Artiste e Popullit) nuk është më midis nesh. E megjithatë filmat e saj, janë parë edhe do të vazhdojnë të shihen nga brezat që vijnë, në ekranet tona, për vlerat artistike edhe tematikat e veçanta dedikuar fëmijëve, që vetëm ajo dinte t’i realizonte mjeshtërisht. Për këtë, por edhe për merita të tjera, regjisori i njohur Mevlan Shanaj ka realizuar filmin dokumentar “Koha e pelikulës”.

Xhanfise Keko, e njohur si një ndër gjashtë krijuesit e parë, që u specializuan në ish- Bashkim Sovjetik, e nisi punën ditën e inaugurimit të Kinostudios “Shqipëria e Re” më 10 korrik 1952, si montazhiere. Për njëzet vjet kontribuoi në këtë fushë, duke montuar dhjetëra kinoditarë, kinoreportazhe, filma dokumentarë e filma artistikë, aq sa me eksperiencën e saj përgatiti kuadrot e para në këtë fushë.

Në këtë dokumentar publiku pati mundësinë, që të shihte vet Xhanfise Kekon, duke rrëfyer përreth një orë arritjet dhe brengat e saj profesionale edhe në jetë, që nga martesa e saj me regjisorin Endri Keko e derisa arriti që të jetë regjisore e pavarur.

Fillimisht në krah të regjisorit Endri Keko, realizoi si regjisore edhe disa filma dokumentarë, të cilët trajtojnë këndvështrimin e saj, veçanërisht për temën e fëmijëve, si “Tingujt dhe fëmijët”, “A, B, C… Zh” dhe “Para shfaqjes”. “Puna me fëmijët duhet të ketë qenë diçka e brendshme, sepse shkoja nëpër festa dhe doja që të xhiroja vet me operatorët”, rrëfen regjisorja e dashur e fëmijëve, Xhanfise Keko.

Ishte publiku ai, që vendosi përfundimisht rrugën në të cilën do të ecte regjisorja Xhanfise Keko. Pritja, që publiku u bënte filmave të saj, bëri që regjisorja nga viti 1972 deri në vitin 1984 të realizonte njëmbëdhjetë filma, të gjithë kushtuar botës së fëmijëve. Njëri më interesant se tjetri. Njëri më i veçantë se tjetri. Njëri më i bukur se tjetri… “Artistët e mëdhenj dija ku t’i gjeja, në teatër dhe në kinema, ndërsa fëmijët duhet që t’i kërkoja në klasa e kudo që ata ishin. Për të gjetur ata nuk shkonin vetëm operatorët, por i gjithë ekipi dhe së bashku me ta edhe unë”, rrëfen gjatë dokumentarit “Koha e pelikulës” Keko.

Filmat për fëmijë “Mimoza llastica”, “Qyteti më i ri në botë”, “Kryengritje në pallat”, “Tingujt e luftës”, “Tomka dhe shokët e tij”, “Pas gjurmëve”, “Partizani i vogël Velo”, “Një vonesë e vogël”, si dhe ata për fëmijë e të rritur “Beni ecën vetë”, “Kur xhirohej një film” e “Taulanti kërkon një motër” etj,. janë vlerësuar jo vetëm nga publiku shqiptar, por, edhe ai i huaj në aktivitete ndërkombëtare, duke u të vlerësuar me çmime speciale në festivale ndërkombëtare, si “Beni ecën vetë”, “Pas gjurmëve” e “Kur xhirohej një film”.

“Për realizimin e tyre dëgjoja çdo gjë, që të merrja nga jeta. Një herë, në një tavolinë dëgjova një fëmijë, që i shkruante letër shokut nga jeta që kishte kaluar nga qyteti në fshat. Pas kësaj menduam që të bënim një film, që ta trajtonim këtë tematikë. Në 4000 fëmijë është përzgjedhur Beni”, tregon regjisorja.

Regjisori Shanaj nuk kishte lënë jashtë këtij dokumentari, për të cilin ka punuar rreth tre vite, as kujtimet e artistëve të vegjël protagonistë, që tashmë janë rritur. Herion Mustafaraj (Beni te “Beni ecën vet”) teksa rrëfen për ditën që e kanë përzgjedhur, si aktor kujton se ka qenë i mërzitur, sepse i kishte humbur një pëllumb. Pas këtij takimi, Herioni kujton, se i është premtuar një rol në film dhe regjisorja i kishte bërë dhuratë edhe një pëllumb.

Aktorët Ena Zhegu (“Tomka dhe shokët e tij”, Tomka), Adrian Laperi (“Beni ecën vet”, Astriti), Donald Kokona (“Taulanti kërkon një motër”, Taulanti) etj., janë disa nga artistët, që regjisori Shanaj, kishte intervistuar për të sjellë kujtimet e tyre për regjisoren aq të dashur për fëmijë, që shpeshherë ka qenë edhe një nënë për ta.

Adrian Laperi e kujton Xhanfize Keko ku u jepte mëngjesin gjatë xhirimeve, por edhe kur kujdesej për ta. “Pas 20 vitesh Xhanfise Kekon e takova në rrugë. Isha bashkë me fëmijët e mi, të cilëve u thashë: Do t’ju prezantoj një grua të madhe, për të cilën çdo vend i botës do të ishte krenar, nëse do ta kishte”, rrëfen Laperi.

Zhaklina Dhimojani (Mimoza Llastica) e vlerëson sot regjisoren, si model të femrës dhe të nënës. “Sot që jam bërë nënë vet, e kujtoj, si një simbol të femrës dhe të nënës”, thotë Dhimojani.

Regjisori Kristaq Dhamo vlerëson punën e regjisores, duke qëndruar jashtë kornizave shtetërore dhe duke kontribuuar në edukimin e fëmijëve.

Një vëmendje të veçantë, në këtë dokumentar regjisori Shanaj u ka kushtuar edhe kineastëve të huaj, të cilët shprehen me nota të larta për punën, që ka bërë Keko. Sipas tyre, filmat e saj janë të rëndësishëm, jo vetëm në kinemanë shqiptare, por edhe atë botërore, për tematikën, që trajtojnë.

Por, për Xhanfise Kekon jo çdo gjë ka qenë e lehtë, shpeshherë i është dashur të jetë në lëvizje. Ndonëse, regjisori Endri Keko, i krijonte përherë atmosferë, duke këmbëngulur, që të mos hiqte dorë nga filmat për fëmijë, puna e saj nuk ka kaluar pa u paragjykuar nga njerëzit e tjerë të afërt. “Vjehrra ime ka qenë një grua shumë punëtore e nikoqire, por në fillim jo shumë miqësore me mua, sepse ndikohej nga opinioni. Një ditë e mora në një premier filmi me vete dhe kur pa në sytë e njerëzve aq shumë gëzim më tha: Vazhdo punën edhe mos dëgjo se çfarë them unë”, rrëfen regjisorja. Nuk la pa treguar edhe episode nga marrëdhënia e veçantë, si nënë e bir, me djalin e saj, Teodor Kekon, derisa mësoi për ndarjen e tij nga jeta, nëpërmjet televizionit.

“Jam kaq e mbushur me kujtime, me njohje, ngjarje të bukura, saqë nuk ia vlente që të bëja një punë tjetër veç fëmijëve. Por kam një dhimbje, se nuk shikoj regjisor, që t’i drejtohen temës së filmave për fëmijë. Të them të drejtën kam dhimbje, që s’ka filma për fëmijë”. Me këtë frazë të Xhanfise Kekos, regjisori Mevlan Shanaj mbyll dokumentarin “Koha e pelikulës”.

“Ditët e jetës sime”

Në fund të këtij rrugëtimi të gjatë e të bukur artistik, regjisorja Xhanfise Keko do të largohej nga krijimtaria e qetë dhe kryelartë pasi e përmbushi misionin e saj në jetë ndaj fëmijëve të Shqipërisë. Por, e nderuar dhe e vlerësuar edhe nga shteti me titujt më të lartë për kontributin e saj në kinematografinë shqiptare.

Nga ajo ditë, ajo jetoi shumë vite, mbi të gjitha, me kënaqësinë e nderimit, vlerësimit dhe falënderimit nga fëmijët e dikurshëm tashmë të rritur e fëmijët e tyre të cilët, ende dhe sot vazhdojnë t’i shohin me kënaqësi filmat e realizuar më shumë se dyzet vjet më parë nga regjisorja më e famshme e filmit shqiptar për fëmijë dhe një nga personalitetet më të shquara të kinematografisë shqiptare. Me ikjen e viteve dhe në pamundësi për shkak të moshës që të krijonte përsëri me të njëjtin pasion e dashuri si dikur, për ta e fëmijët e tyre, Xhanfise Keko gjeti një mënyrë të re komunikimi. Ajo vendosi dhe hodhi në letër deri ditën e fundit, gjithë jetën e saj personale, familjare e artistike në një libër autobiografik të titulluar “Ditët e jetës sime…”. Kush më mirë e më bukur se ajo mund t’a bënte këtë gjë?!…

Dhe, Xhanfise Keko vazhdon të komunikojë me ne dhe fëmijët tanë, edhe sot, dhjetë vjet pas ndarjes nga jeta. Me filmat e saj që vazhdojnë të jenë ndër më të shfaqurit e më të pëlqyerit në ekranet e televizioneve shqiptare. Me prezantimet e shumta nëpër botë, nga Britania e Madhe në Francë, nga Izraeli në Amerikë, ku befasia e fillimit ja ka lënë prej vitesh vendin vlerësimeve, analizave e studimeve që i bëjnë nder jo vetëm asaj si krijuese, por dhe kinematografisë shqiptare. Me çmimet e karrierës të dhëna në festivale të ndryshme filmi në Shqipëri. Me titullin “Qytetare Nderi” që e kanë nderuar Gjirokastra ku lindi e u rrit dhe Berati ku realizoi një nga filmat më të suksesshëm. Me Çmimin e Nderit “Xhanfise Keko” që Giffoni Film Festival Albania nderon krijuesit e filmit shqiptar në vite. Me emrin “Xhanfise Keko” që mban një nga rrugët kryesore në Tiranë ku çdo ditë mijëra kalimtarë, në një kuptim, duke përshëndetur njeri tjetrin, përshëndeten edhe me të.

Mevlan  Shanaj dhe Natasha Lako

Dje gjatë transmetimit të dokumentarit “Koha e pelikulës” në Televizionin Publik Shqiptar një gabim teknik do të bënte, që regjisori i filmit Mevlan Shanaj të revoltohej. Ai e konsideroi skandal prezantimit e dokumentarit, pa përkthimin e specialistëve të huaj për portretizimin e figurës së regjisores Keko.Në filmin e dorëzuar në Arkivin e TVSH me HD dhe jo me DVD apo USB, filmi është në standarde profesionale, ashtu si u shfaq në kinema. Mungesa e përgjeshmërisë në punë nga TVSH është e turpshme. Lutem, taksapagues të shpreheni”.

Ndërsa, skenaristja Natasha Lako, u shpreh se është skandal i TVSH-së, i cili ka një javë që po reklamon siglën e vet të re kundër vendimeve të Kongresit të Manastirit, duke shfaqur dokumentarin për Xhanfize Kekon, po e transmeton pa përgjegjësi, duke mos përdorur teknikisht përkthimet në titra të kritikëve të huaj. “Qëndrim i papërgjegjshëm që reklamon siglën gati, si zvastike dhe nuk mendon për përgjegjësitë dhe shkeljen absolute të së drejtës së autorit. Vettingu duhet të fillojë nga ky institucion. Turp kombëtar.

Një javë me një sigël të tmerrshme jo me shkronja latine dhe luftë krijimit. Nuk është Shqipëria në këtë papërgjegjësi. Për siglën do të flasim përsëri, por për dokumentarin është dhunuar. Turp, drejtorit që vjen nga një krahinë, ku patriotet janë vrarë për shkronjat shqipe. Shihni siglën  dhe kuptoni se ç’bëhet në këtë vend. Kanë gjithë javën që po buçasin për një sigël të papranueshme. Dhe nuk bëjnë punën. Apo ka më tepër se kaq?”, shkruan Lako në profilin e saj, në “Facebook”. Pas këtyre reagimeve, vet Shanaj lajmëroi, se TVSH, e korrigjoi gabimin, duke e nxjerr me titra dokumentarin sërish gjatë ditës së djeshme.