Bordet/ Ndërhyrja në VKM nuk emëron pedagogun. Lleshaj-Shahinit: Nuk të pëlqeu rezultati?

Pas 8 muajsh, Ministria e Arsimit ende nuk ka konfirmuar kandidaturën e pedagogut Llesh Lleshaj, i përzgjedhur si përfaqësues i studentëve në Bordin e Administrimit për UT-në. Pedagogu thotë për “Shekull”-in se gara ka qenë në përputhje me kriteret e publikuara  dhe VKM-në

Enida Vërça

Bordi i Administrimit në Universitetin e Tiranës, vazhdon ende të jetë i papërfaqësuar, ndonëse me votat e studentëve, i përzgjedhur është pedagogu i fakulteti Ekonomik, Llesh Lleshaj. Ministrja Shahini, u shpreh ditën e sotme në një konferencë për mediat, se nuk e ka konfirmuar emrin e pedagogut, sepse janë shkelur kriteret e garës. Sipas saj fakti që është pedagog i brendshëm në këtë universitet, nuk e lejon këtë emër të jetë përfaqësues i zërit të studentëve. Në një prononcim për gazetën “Shekulli”, pedagogu Llesh Lleshaj tha se kriteret dhe rregullat e garës nuk janë shkelur dhe çdo gjë është bërë në përputhje me VKM-në e miratuar prej tyre. “Kriteret kanë qenë të publikuara dhe aty thuhet se nga fusha e akademisë, e juridiksionit, ekonomike dhe publicistika, mund të konkurrojnë. Ky ka qenë kriteri dhe nuk ka pasur specifikime, pedagog i jashtëm apo i brendshëm. Që në aplikim dhe janë shpallur listat e aplikantëvë, emrat janë të pranuar dhe të nxjerrë në faqen e universitetit të Tiranës, në përputhje me VKM-në e publikuar nga Ministria. Pra, si proces ka qenë në rregull çdo gjë. Ndoshta ministrisë nuk i ka pëlqyer rezultati dhe do të kthejë emrin, në prapavijë ka qëllime të tjera, në këtë pikë nuk kam çfarë them. Në dinjitetin e punës sime, saktësinë dhe transparencën, procesi ka qenë i hapur për çdo gjë”, tha ai.

I pyetur nëse kandidatura e tij nuk është miratuar për të vendosur emra të cilët ministrja kërkon t’i zgjedh vet, ai u shpreh se kjo është një mundësi për të politizuar bordet. “Kjo është një mundësi për të kapur bordet e Administrimit. Ata janë mësuar të bëjnë shkelje, më të mëdha se kaq dhe nuk m;u duk çudi  që nuk e kanë aprovuar akoma emrin tim. U bë 8 muaj që janë fituar zgjedhjet dhe kjo situatë ishte e pritshme”, deklaroi ai.

Kujtojmë që në garë me pedagogun Llesh Lleshaj  ishte Denada Toçen dhe Florian Binajn.  Sipas Shahinit, në rastin e Universitetit të Tiranës, Llesh Lleshaj nuk është emëruar sepse është pedagog i brendshëm dhe nuk lejohet të marrë pjesë në garë. “Në bordin e administrimit do të jenë njerëz që përfaqësojnë Ministrinë e Arsimit. Ky proces ka mbaruar, aty ku kemi mbetur pa anëtarë bordi janë 3 universitete, ku studentët nuk kanë zgjedhur përfaqësuesit e tyre. Në Universitetin e Tiranës mirëpresim që të bëjë sa më shpejt procesin zgjedhor në mënyrë që studentët ta kenë përfaqësuesin e tyre. Universiteti i Tiranës ka zhvilluar zgjedhjet për përfaqësuesin e studentëve dhe përkundër faktit që kemi njoftuar që nuk mund të jenë pedagogë të brendshëm, ata kanë futur brenda pedagogë të brendshëm. Ndaj për mua ishte e pamundur ta konfirmoj personin që kishte marrë më shumë vota”, tha Besa Shahini sot.

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet