Bllokohet sistemi në Greqi, emigrantët shqiptarë nuk rinovojnë dot dokumentet

Publikuar më 01. 02. 2018 nga Xhentila Gjoshi

Sistemi kompjuterik i Ministrisë së Politikës për Emigracionin në Greqi, që prej datës 18 janar është jashtë funksionit, duke bllokuar pajisjen me leje qëndrimi, procedurat e aplikimit apo rinovimit të dokumenteve për emigrantët shqiptarë në Greqi.
Situata ka sjellë probleme për emigrantët që gjenden “të izoluar” në burokracinë vendase. Konkretisht, sipas BalkanWeb, gjatë këtyre ditëve do duhet të ishin depozituar kërkesat për rinovim për lejet që skadonin në fund të dhjetorit 2017.
Vonesa në këtë procedurë parashikon një gjobë të rëndë e pasoja të tjera, në lëshimin e lejes së re për emigrantin. Por prej 20 ditësh sistemi mbetet i bllokuar, dhe ende nuk është dhënë zyrtarisht ndonjë rrugëzgjidhje.
Shumë organizata për të drejtat e njeriut kërkojnë shtyrje 6-mujore të të gjitha lejeve të qëndrimit për të gjitha kategoritë e shtetasve të huaj, si e vetmja mundësi që të kalohet ky ngërç, i cili ka krijuar probleme në jetët e mijëra emigrantëve shqiptarë në Greqi.