Bledi Shkëmbi do të nisë aventurën si trajner, merr “timonin” e klubit kosovar

Publikuar më 16. 06. 2017 nga Eno Shkëmbi

Ish-kapiteni i Skënderbeut Bledi Shkëmbi është zyrtarizuar sot si trajneri i ri i klubit të Lirisë së Brizrenit.

Lajmi është bërë me dije nga klubi kosovar përmes një njoftimi në faqen zyrtare në “Facebook”. Bëhet fjalë për një kontratë 1-vjeçare dhe sipas presidentit Mirsad Çollaku prezantimi do të bëhet në ditët në vijim.

Liria e mbylli sezonin e shkuar në Superligën e Kosovës në vendin e 8, duke siguruar mbijetesën vetëm në javët e fundit.

Njoftimi i Lirisë së Prizrenit

“Zyrtare: Shkëmbi drejton Lirinë e Prizrenit
Prizren, 16 qershor. “Të nderuar miq të KF ‘Liria’. Duam t’ju njoftojmë që trajneri i ri i skuadrës për sezonin 2017-2018 do të jetë Bledi Shkëmbi. Klubi ka arritur një marrëveshje 1-vjeçare me ish-futbollistin e disa klubeve të njohura ne Shqipëri dhe jashtë saj. Bledi Shkëmbi ka qenë dhe ish-futbollist i Kombëtares Shqiptare. Pas disa ditëve do të bëhet dhe prezantimi zyrtar”, ka thënë kryetari i KF ‘Liria’, Mirsad Çollaku. Ndërkohë, që klubi dhe trajneri kanë arritur akordin për ndërtimin e një skuadre konkurruese, duke rritur ambiciet dhe objektivat e klubit, pohojnë zyrtarët e ‘bardhezinjëve’.

Për Shkëmbin kjo është përvoja e parë si kryetrajner. Ai deri tani ka punuar si ndihmës trajner me Kombëtaren U-17 të Shqipërisë. Ndërkohë, ai ka të gjithë kualifikimet dhe licensat e nevojshme që i ka përfituar në muajt e fundit. Shkëmbi është shpallur 6 herë radhazi kampion i Shqipërisë me Skënderbeun, ka qenë kapiteni i skuadrës që luajti ne grupet e Europa Ligës ndërkohë që në të shkuarën ka fituar dhe Kupën e Shqipërisë me Besën e Kavajës. “Klubi i Lirisë dëshiron t’i uroj atij suksese në punën e nisur dhe kërkojmë prej tifozëve mbështetje maksimale për këtë zgjedhje”. Ka thënë kryetari Mirsad Çollaku, pas bërjes publike të lajmit..
Forca Liria !”