Biznesi i vogël me TVSH, qeveria paditet në Gjykatën Kushtetuese

Publikuar më 13. 11. 2017 nga Bleona Metushi

 

Nga Neritan Gjergo

Kryetari i Shoqatës së Biznesit të Vogël, Albert Nasto, thotë se vendosja e TVSh-së për biznesin e vogël nuk është e pranueshme nga ana e tyre dhe se po lobojnë fuqishëm si shoqatë që të mos aplikohet skema e re. Një ndër veprimet që do të ndërmerret për këtë nismë, është padia në Gjykatën Kushtetuese, edhe me mbështetjen e opozitës e aktorëve të tjerë që kanë dalë kundër. Në një intervistë për “Shekulli”-n, Albert Nasto thotë se do të kërkojnë vendosjen e pragut për të përfshirë në skemën e TVSh-së prej 10 milionë lekë (ndërkohë që nga qeveria është propozuar ulja e pragut nga 5 milionë lekë që është sot në 2 milionë lekë). Argumentet që do të çojë biznesi i vogël për të hedhur poshtë vendosjen e TVSH është kontributi i ulët që do të sjellë kjo taksë në buxhet. Kreu i shoqatës se Biznesit të Vogël thotë se ligji vendoset për të  favorizuar segmente të caktuara të biznesit të madh.

Nasto, cilat janë disa nga nismat që keni ndërmarrë pas propozimit të qeverisë për të shtrirë pragun e TVSH te bizneset e vogla, propozim ky i cili është miratuar nga qeveria këtë fundjavë?

Veprimet tona janë të qarta. Ne u gjendëm të papërgatitur për këtë situatë. Ishte e papritur, sepse një ditë të bukur kryetari i qeverisë doli dhe tha se të gjithë bizneset do të përfshihen në skemën e TVSH-së. Sinqerisht u gjendëm në një dilemë të madhe, sepse kjo është një ngjarje e madhe, një ndryshim sistemi. Mesatarja e vendeve evropiane ku ndahet biznesi i madh nga i vogël është 40 mijë euro. Të futësh biznesin e vogël në TVSH, do të thotë që me duart e qeverisë, ose kompani të mëdha pranë qeverisë të shkatërrohet gjithë zinxhiri i biznesit të vogël në vend; një sektor që numëron mijëra të punësuar. Janë mbi 120 mijë biznese të vogla. Ne besojmë se regjimi i TVSH-së do të falimentojë shumë biznese. Sipas llogarive tona, mbi 60 për qind e sipërmarrjeve në fund të 2018-s do të kenë mbyllur qepenat. Unë mund t’ju them se ata që disponojnë një biznes të vogël nuk e kanë idenë e ndikimit të TVSH-së. Një ndër nismat që po ndërmarrin është sqarimi i plotë për çdo pronar biznesi.

Pse mendoni se do ketë një zinxhir falimentesh te ky biznes?

Në qoftë se do munden të mbijetojnë, me vendosjen e TVSH-së shtohen pagesat dhe detyrimet. Kjo do të thotë se, në qoftë se një biznes i vogël sot ka paguar të gjitha shpenzimet (taksat lokale dhe kombëtare) ato arrijnë 600 mijë lekë. Në 2018-n ata do të paguajnë nga 800 mijë deri në 1.5 milionë lekë. Prandaj, në qoftë se një biznes i vogël futet në TVSH me  xhiro vjetore mbi 2 milionë lekë, kjo është jashtë logjikës. 2 milionë lekë në vit janë baras me 4 mijë lekë xhiro në ditë. Unë mendoj se do të jetë një gabim shumë i madh për më shumë se 92 për qind të biznesit që operon në Shqipëri. Do jetë gabim sepse do rezultojë me falimente dhe rritje të çmimeve për qytetarët. Dy janë rrugët për këtë vendim, ose do rritet çmimi i mallrave ose do mbyllet qepeni. E vërteta e hidhur do të jetë dëmi i pariparueshëm për ekonominë shqiptare dhe për mijëra familje që punojnë në këto subjekte. Tani jemi shpejt, por kostot do jenë të pariparueshme.

 Do të ndërmerrni ndonjë aksion për të rrëzuar vendimin?

Ne do të organizojmë protesta, do të lobojmë me qeverinë për t’u tërhequr, sepse kjo të sjellë rrënimin e ekonomisë shqiptare dhe humbjen e shumë vendeve të punës. Ne nuk mund të pranojmë që për interesat e një grupi oligarkësh të falimentojnë bizneset e vogla dhe për këtë do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese. Së pari, ky ndryshim duhet të votohet në parlament dhe jo të kalojë me vendim qeverie. Krahas Gjykatës Kushtetuese, në do ndërmarrim veprime të tilla si protesta, do të ulim qepenat, madje do të shkojmë deri në grevë urie. Për ne është e pavend, duke marrë edhe modelin evropian apo mendimin e FMN-së.

Propozimi juaj është që TVSH për biznesin të mbetet në pragun aktual apo keni kërkesë të re?

Faktikisht, propozimi ynë është pragu mbi 10 milionë lekë. Pra të ndryshojë edhe regjimi aktual, sepse edhe pragu 5 milionë lekë linte shkas për abuzim. Pra, nëse një biznes bën xhiro mbi 5 milionë lekë, qoftë edhe 100 lek më tepër, kalon në biznes të madh.  Detyrimisht, për të qëndruar poshtë këtij pragu, bizneset bëjnë evazion. Pragu 10 milionë lekë do të tregojë ekonominë reale, sepse tregtarët nuk do të ngurrojnë për ta prerë kuponin.  Duke parë që edhe me prag 5 milionë (nga 8 milionë që ishte) informaliteti dhe korrupsioni janë shtuar, sikurse dhe të ardhurat që mblidhen nga biznesi i vogël janë pakësuar  ne mendojmë se qeveria duhet të tërhiqet nga propozimi. Po bashkohemi me opozitën që këtë nismë ta çojmë në parlament.

Vendimi

Zbatimi nga 1 prilli, edhe të huajt kundër

Do të fillojë të zbatohet nga 1 prilli i vitit të ardhshëm ndryshimi i regjimit të TVSH-së për biznesin e vogël. Duke zbatuar Nenin 117 të ligjit për TVSH-në, që autorizon Këshillin e Ministrave të vendosë pragun minimal të xhiros së bizneseve të përfshirë në këtë sistem, në mbledhjen e fundit të qeverisë, që u zhvillua në Peshkopi, është vendosur që ky prag do të ulet përfundimisht, nga 5 milionë lekë xhiro vjetore, në vetëm 2 milionë lekë xhiro. Në këtë mënyrë, do të jenë shumë të paktë ato subjekte, të cilët do të operojnë pa fatura TVSH-jë, pas tremujorit të parë të vitit 2018. Pavarësisht nga rekomandimi i FMN-së dhe paralajmërimit të ekspertëve, qeveria shqiptare e vendosi uljen e kufirit të TVSH-së, me përjashtim të hoteleve dhe prodhuesve bujqësorë. Ndonëse ministri i financave Ahmetaj kishte deklaruar se në skemën e TVSH-së do të futeshin vetëm 9 mijë biznese dhe disa kategori si p.sh berberët, ambulantët do të përjashtoheshin, në ligj nuk përjashtohen këta të fundit, teksa të statistikat tregojnë se janë mbi 60 mijë biznese që sot operojnë pa TVSH.

Pse kundërshton FMN
Fondi Monetar Ndërkombëtar, përmes përfaqësuesit Jens Reinke u shpreh kundër uljes së kufirit të TVSH-së për bizneset e vogla. “Pas vlerësimeve të shumta nga ekspertët tanë të taksave, ne e kemi këshilluar qeverinë fuqimisht kundër uljes së kufirit të TVSH-së nga niveli aktual. Ndërmarrjet e vogla përbëjnë gjysmën e të gjithë bizneseve, por sjellin vetëm 2% të transaksioneve të taksueshme. Zgjerimi i sistemit të TVSH-së do të jetë një barrë shumë e rëndë për burimet e departamentit të taksave. Informaliteti dhe evazioni i taksave mund të rritet dhe eficenca e administratës së taksave ka të ngjarë të bjerë. Sipërmarrjet e vogla do të mund të përballen gjithashtu me një barrë të shtuar të kërkesave për raportime. Ne e kemi këshilluar gjithashtu qeverinë që të thjeshtojë sistemin e taksave, përfshirë heqjen e përjashtimeve dhe unifikimin e kufirit (p.sh., ai i zbatuar për TVSH-në, tatimin e korporatave dhe tatimin mbi të ardhurat personale). “, ka pohuar Përfaqësuesi i Përhershëm i FMN-së, në Shqipëri, Jens Reinke. Ndërkohë, edhe Dhoma Amerikane ka shprehur shqetësimin që kufiri I TVSH-së iu la në dorë të vendoset Këshillit të Ministrave çka është një shkelje e Kushtetutës. “Nga leximi i projektligjeve të propozuara si pjesë e Paketës Fiskale 2018, anëtarët e Dhomës janë të mendimit që këto projektligje përcaktojnë vetëm disa parashikime të përgjithshme dhe lënë një hapësirë të madhe për plotësim nga ana e Këshillit të Ministrave. Sipas nenit 155 të Kushtetutës së Shqipërisë “Taksat, tatimet dhe detyrimet financiare kombëtare e vendore, lehtësimi ose përjashtimi prej tyre i kategorive të caktuara të paguesve, si dhe mënyra e mbledhjes së tyre, caktohen me ligj”, ka pohuar Dhoma në komentet për paketën fiskale.

Hotelet
Si do zbatohet TVSH-ja 6 për qind për furnizimin

Vendimi i Këshillit të Ministrave ka sqaruar kushtet, kriteret dhe procedurat për zbatimin e shkallës së reduktuar për furnizimin e shërbimit të akomodimit në strukturat akomoduese. Në zbatim të pikës 3, të nenit 49, të ligjit, shkalla e reduktuar e tatimit mbi vlerën e shtuar, e cila aplikohet për furnizimin e shërbimit të akomodimit në strukturat akomoduese, sipas kategorive të përcaktuara në legjislacionin e fushës së turizmit, është 6 për qind. Për qëllime të zbatimit të shkallës së reduktuar të TVSH-së, me termin “furnizim i shërbimit të akomodimit” nënkuptohet furnizimi i shërbimit të fjetjes në strukturat akomoduese, sipas legjislacionit për turizmin, pa përfshirë furnizimin e ushqimit apo çdo furnizim tjetër, të ofruar nga këto struktura. Përjashtimisht, “furnizimi i shërbimit të akomodimit” nënkupton, përveç shërbimit të fjetjes, edhe furnizimin e ushqimit (mëngjesit), në rastet kur struktura akomoduese e ofron mëngjesin brenda çmimit të furnizimit të shërbimit të fjetjes. Personi i tatueshëm, i cili ushtron veprimtari në fushën e akomodimit në strukturat akomoduese, sipas përcaktimit në legjislacionin e fushës për turizmin, evidenton veçmas në faturë furnizimin e shërbimit të akomodimit, për të cilin aplikon shkallën e reduktuar të TVSH-së, në masën 6 për qind. Për çdo furnizim tjetër të tatueshëm, të ofruar në strukturat akomoduese, personi i tatueshëm aplikon shkallën standarde të TVSH-së, 20 për qind, sipas përcaktimeve në ligjin për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë. Personat e tatueshëm, që aplikojnë shkallën e reduktuar të TVSH-së sipas këtij neni, janë personat që ushtrojnë vetëm veprimtari ekonomike në fushën e strukturave akomoduese, sipas legjislacionit të fushës për turizmin. Nëse personi i tatueshëm ushtron edhe veprimtari të tjera, përveç asaj në fushën e strukturave akomoduese, atëherë duhet të jetë i regjistruar si person i tatueshëm më vete, për qëllime të veprimtarisë në fushën e strukturave akomoduese. Aplikimi i shkallës së reduktuar të TVSH-së nuk kufizon të drejtën e zbritjes së TVSH-së. Zbritja e TVSH-së lind dhe ushtrohet në përputhje me përcaktimet e ligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë.